Friday, July 27, 2007

Tutje, tutje nga qyteti. Nga rremuja nga rremeti



Une kam filluar te krijoj nje si bicim koleksioni artikujsh udhetimesh qe njeri apo tjetri shkruan neper gazeta apo revista. Inglizi i thote "arm-chair traveller". NJe zhaner i tere librash te tille i ofrohen njerezve qe si puna ime ka me shume deshire per te udhetuar se mundesi.
Nganjehere keto artikuj jane te nje cilesie jo shume te larte, dhe nganjehere te nje cilesie shume te mire, sidomos kur shkruesi nuk ka "political agenda" dhe kur nuk niset per te bere nje artikull "gjitheperfshires". Shkrimi i meposhtem eshte i nje cilesie te mire. Fotografia, akoma me e mire...



www.revistamapo.com






Vafsh ... pas Dajtit
Shkruan : Ben Andoni

Dy arkitektëve italianë, që iu besua ndërtimi i qendrës
urbane të kryeqytetit të shqiptarëve, Florestano de
Fausto dhe Armando Brasini, pak ditë pasi kishin marrë
detyrën, nuk patën më asnjë mëdyshje. Këtë qytet të
paqëm dhe tipik osman të formësuar pak nga pak pas
rënies së Mesjetës, që ua kishin kërkuar për ta
prezantuar me një look modern në shekullin e XX, duhet
t’ia dedikonin natyrës. Nga njëra anë, në Lindje Agimi
dhe këndej kodrave Perëndimi. Pra, të gjithë banorët e
Tiranës në mëngjezet e tyre, do të gdhiheshin me imazhin
e lindjes së Diellit mbi Malin e tyre, që do ta shikonin
pastaj dhe fikjen me Perëndimin, përtej kodrave.
Ky kanon profesionistësh duket se i shpëtoi dhe kohës
socialiste, ngaqë në thelb, arkitektët e erës së
Musolinit, ishin sërish të mirëkuptuar. Por, kjo, deri
një dekadë më parë, kur Dajti do të zhdukej gradualisht
nga ndërtimet e pafundme, shumësyresh pa as më të voglin
kriter përmasash. Dhe, e vetmja mëdyshje, e cila mbeti
dhe që i grishte tash kryeqytetasit ishte sesi do të
dukej nga pas Dajti i ëndrrave të tyre. Në fakt,
Xhavitit, këtij plaku me kaloshinë, që has në fushën
ndanë Teleferikut, pak herë është kureshtuar për pas
Dajtin. I ka mjaftuar, ai i vërteti, ai që i ka falur
bukën e përditshme...

Episod banorësh në Dajt
Këtë e kujton shpesh burri 64 vjeçar, që për çdo ditë i
ngjitet malit. Në diell, në shi, në borë...ai me kuajt e
tij çapitet ngadalë drejt malit. Xhavit Cana, një banor
i hershëm, ka përgatitur një kaloshinë dhe prej Priskës
vjen për çdo ditë në fushën e madhe para ish-Kampit të
Pionerëve. Ka gjashtë fëmijë, të gjithë të rehatuar.
Njëri prej tyre, pikërisht më i zoti, që kuptohet se ai
e përmend me shumë respekt (sepse i ka ngjarë atij për
punë), i ka përgatitur këtë kaloshinë. Burri e ka
zbukuruar, paskëtaj, për tu bërë grishjen e parë sidomos
rishtarëve që zbresin nga Teleferiku. Janë ata që e kanë
përballjen e parë me të. Kështu ndodh për çdo ditë,
ndërsa ai vjen dhe i falet i vetëm perëndisë, që njeh në
këtë botë dhe ky është Mali i Dajtit. Në këtë vend ka
punuar për të gjithë jetën dhe me të gjitha punët, për
të cilat ka mundur. Ka mbathur kuaj, ka rregulluar
samarë, ka qenë farkëtar. Ka qenë dhe çfarë ka qenë, por
çdo gjë që ka bërë, ka qenë e lidhur thjesht me Dajtin.
Kokëulur sheh i përmalluar sesi pak nga pak të rinjtë
mbushin dhe mbushin vendin dhe i kënaqen Dajtit të tij.
Krejt i tij. Por, çuditërisht, pak gjëra di për Dajtin.
Asnjëherë nuk ka dëgjuar për kalanë, qindra metra më
tutje dhe fare pak për hapësirën e madhe pas tij.
Mjaftohet me këtë që i ka falur Zoti, këtej. Nga pas e
ndjek një djal me një kal bash të bukur, që pretendon se
e ka të racës arabe-angleze.

Malit përpjetë
Në fakt, kaosi i kryeqytetit të shqiptarëve të ndjek
gjatë dhe kur i afrohesh periferisë së Tiranës, e kupton
në thelb sepse Tirana është e tillë. Vërtet, kur e lë
Shkozën dhe fillon e ngjitesh pak nga pak drejt malit, e
kupton se po futesh në normalitet. Nga Uzina Traktori në
drejtim të Shkozës dhe pastaj në Fushë Farkë, një rrugë
që hera-herës është e mirë dhe hera herës e keqe, ti
duhet t’i bësh vend makinave të tjera, që vinë nga sipër
dhe bëjnë lidhjen e banorëve me qytetin. Kanë ndërtuar
ku kanë mundur dhe mungesa e një plani duket qartë. Sa
më lart të shkosh aq më shumë do të kuptosh kaosin në
simbolin emblematik të kryeqytetit. Ka pak rëndësi. Prej
atje vjen uji, krijohet mikroklima dhe ai është edhe
Mburoja, që e mbron kryeqytetin nga erërat e tërbuara,
që do e rrihnin nga të gjitha anët. E, Dajti është i
vendosur. Ai i bën mbrojtje qytetit duke parapritur
erërat detare, që vinë nga larg, dhe pastaj dremit e
mbrojtur me shkurret mesdhetare, që rriten qetazi ashtu
si edhe në lartësitë simotra në vende të tjera të
Shqipërisë së Mesme dhe Veriore...Ka ndryshuar shumë
peizazhi në vend, por duke iu afruar Surrelit do të
shikosh se banorët kanë ndryshuar më shumë. Shumë syresh
punojnë në kryeqytet, ndërsa shtëpitë e reja ia kanë
ndryshuar pamjen këtij vendi komplet...Nuk shikohet
ndonjë pastërti e veçantë, ndërsa ndërtimet e reja nuk
duhet thënë se ndryshojnë shumë në cilësi. Vendi është
tejmbushur me klube dhe makina që vinë nga Tirana.
Ndërsa, më të rinjtë si zakonisht heqin...ditën duke
soditur. Pak më tutje arrijmë në Priskë. “Do bëhet fshat
turistik”, më thotë shoferi Naim, një njeri që e njeh
bajagi mirë të gjithë zonën. Ka pasur dikur një makinë
të madhe, nga ato që ne i njihnim me emrin Skodë me turi
dhe e ka bërë pëllëmbë për pëllëmbë këtë vend. Pak nga
pak më tregon të gjithë shtëpitë e rishtarëve, që
pretendon se i njeh mirë... Aty më duket se e ka Besnik
Mustafaj, këtu filani, dhe në aksh vend ky tjetri më
thotë...pas pak.
Pas Dajtit
Kështu vazhdojmë mes Qafës së Priskës dhe befas shfaqet
ajo që quhet pas Dajt.
Sakaq rruga tashmë merr përposhtë majtas, ndërsa ajo që
të afron pas Dajti, është një shkurrnajë ahu e kafenjtë
dhe një reliev tejet e thepisur. Personalisht më duket
një rrugë tipike e pjesës veriore të shqiptarëve. Në një
kohë të tillë, por gati 100 vjet më parë, Georg von Hani
bridhte për të gjetur vendin nga ky buron Erzeni.
Pikërisht këtu afër. “Në Tiranë, preokupimi i parë ishte
gjetja e njerëzve që mund të më jepnin informata lidhur
me krahinën nga ku buron Erzeni dhe pas kërkimesh të
gjata të pasuksesshme, më së fundi, dy ditë pas
mbërritjes sime këtu, më sollën një imam të ri nga Shën
Gjergji, kryeqendrës së kësaj krahine, të quajtur Elmaz
Efendi...Pasi punuam sëbashku për afro një orë me
rradhë, ai filloi të mërzitet...Në fakt më deklaroi se
Erzeni kishte dy vendburime, prej të cilave burimi jugor
ndodhej në fshatin e Shën Gjergjit, që kishte një
gjatësi prej një orë e një e çerek larg Shëngjinit, ku
njëjtësohen këto dy burime, ndërsa burimi verior gjendej
në Shën Mëri, që ishte vetëm një orë larg Shëngjinit.
...Unë kërkova që të më sillnin pak dhè dhe me anën e
tij unë formova dy lugina. Eshtë e qartë që në këtë
mënyrë Elmazi e kuptoi atë që kërkoja, por megjithatë më
pyeti pse interesohesha për krahina të njohura prej
meje. Pasi e qetësova në atë drejtim, ai vazhdoi të më
pyeste përse interesohesha nëpërmjet vendesh, ku aty nuk
kalonte asnjë rrugë dhe së fundi çfarë kisha ndërmend
t’i bëja atdheut të tij...”.

Pas Dajtit, Në vendin ku donte të shkonte von Hani
Në fakt, që nga rruga, ku kam lënë pas Qafë Priskën, një
tabelë të orienton se një gjysmë dyzine fshatrash,
dergjen në këtë hapësirë. Që nga e rrëpirta e shpateve
lindore të Dajtit, poshtë kalon një rrugë dhe përpara ke
Qafmollën, që duket se bën një gjum të patrazuar. Kudo
përreth, guroret e kanë rrethuar Dajtin dhe tregojnë më
së miri mbijetesën e re të banorëve se në këtë
vend...Pikërisht, poshtë Dajtit, një çift që duhet të
jenë bab e bir hedhin vështrime dhe kanë ndaluar buzë
rrugës me një Ford të vogël...Nga e majta, të duket
rruga, e cila tashmë qetuar të çon në Bizë, ndërsa
matanë ajo që të dërgon drejt Shën Gjergjit apo
fshatrave të tjera nga vjen Erzeni. Njihem me dy burrat,
ndërsa Naimi vihet në rolin e ciceronit: “Duke kaptuar
një mal, të themi. Pastaj duhet të shkohet në Malin me
Gropa, (Kuptoj që dikur ishte aq i përfolur për vrasje
të pafundme, por që asnjëherë nuk janë provuar). Andej
është Shën Gjergji dhe Shën Mëria. Nga andej vjen uji
për Tiranën”. Gjurmët e borës së pak ditëve më parë e
kanë mbuluar këtë pjesë barishtesh. Por, kjo nuk mjafton
këtej, që Dajti të përsërisë mrekullinë e dikurshme të
perëndimit. Hapësirë e stërmadhe, që e ka pushtuar këtë
serenitet, nuk thotë ndonjë gjë më shumë. Që nga Dajti
me pikën më të lartë 1612 metra- nga shkalla e Tujanit
në VP deri te Qafa e Priskës në JL kemi një gjatësi
rreth 8 km e gjerësi 3-4 km. I vendosur midis dy
thyerjeve tektonike, Dajti ka formuar një ngritje malore
të rrëpirët, veçanësisht në shpatin lindor. Por këtej
duket realisht se nuk ka jetë poshtë saj. Ose më mirë
është krejt antiteza e pjesës në perëndim, ku është
Tirana e vërtetë. Veçse në horizont të mjafton Erzeni i
paqëm, tejet Martaneshi, më përtej Kruja. Diku poshtë
pas një lidhje prej 27 kilometrash, që e lidhin me
qendrën në vitin 1951, u ça një tunel, që solli ujrat e
Selitës në Qytet. Dhe, po kështu u vu në punë edhe
hidrocentrali i njohur V.I. Lenin. Naimi ma tregon me
gisht.
Gjeologët i vlerësojnë formacionet “e ndërtuara nga
gëlqerorë të kretakut në të cilët janë zhvilluar
dukuritë karstike, sidomos në pjesën e lartë e të
zhveshur nga bimësia. Me gelqerorët e proceset karstike
janë të lidhur xeherorët e boksideve, që janë zbuluar në
gjithë Dajtin. Nga ana strukturore mali i Dajtit është
formuluar mbi një rrudhë pozizive me një krah. Mbetjet e
krahut perëndimor të kësaj strukture vërehen në sektorin
e Tujanit, por tashmë si fragmente tektonike. Shkëputjet
gjatësore regjonale në lindje dhe perëndim ndërlikohen
nga disa shkëputje lokale tërthore. Në sipërfaqe ato
shprehen në përhapjen e brekçieve (Gryka e Tujanit). Për
rrjedhim shpatet e këtij mali janë asimetrike. Kurrizi
është i ngushtë dhe i prerë dhëmbë-dhëmbë. Ky shkëmbim
njohurish me banorët duket se nuk i bën përshtypje dy
banorëve bab-e bir, që pas vitit 1991 kanë pushtuar një
pjesë toke poshtë dhe që me sa duket po shikojnë
realisht një mundësi zgjerimi këtu. “Një dreq e merr
vesh me këta. Por, nuk ma mbushin mëndjen”, më thotë
Naimi, që vazhdon të orientohet mrekullisht. E përsërit
me krenari se këtë rrugë e ka bërë me qindra herë, teksa
sillte trupa nga Biza. Vetë nuk mendoj ndonjë gjë më
shumë veçse, po mos të ishte Dielli (këtu poshtë Dajtit,
për dreq nuk nxeh), ky vend do ishte i përshtatshëm për
një vend të paqëm internimi. Fshati i Qafmollëve më
duket një i tillë me indiferencën e tij dimrake. Harroj
se në këtë klimë tipike malore me verë të freskët dhe me
një dimër me shumë rreshje ka pak vështirësi. (Sasia e
rreshjeve shkon 1200-2000 mm. Sasia më e madhe e tyre
bie në shpatin perëndimor dhe jugperëndimor të tij,
kurse në lindje kjo sasi është më e pakët se 1000-1200
mm. Ajo që të bën përshtypje është se në Dajt gjen
shprehje të plotë shtrirja vertikale e bimësisë. Në
shpatin perëndimor deri në latësinë 500-600 metra
shtrihet brezi i makjeve mesdhetare (mare, shqopë, xina,
kurse në lartësinë 500-600 metra deri në lartësinë
900-1100 metra shtrihet brezi i dushkut. Mbi këtë
lartësi e deri në 1300-1400 metra, shtrihet brezi i ahut
dhe i halorëve). Nga poshtë duket se maja e Dajtit është
krejt e zhveshur. Në anën lindore, për shkak edhe të
rreshjeve më të pakta dhe tenperaturave më të ulëta,
shtrírja vertikale e bimësisë duket se pëson ndryshime.
Brezi i makjeve është më i kufizuar, ndërsa krahas
dushqeve rritet dhe gështenja e drurë të tjerë, të cilat
nuk vërehen në shpatin perëndimor. Në fakt, kanë qenë
këto arsyet, që Dajti për shkak të natyrës piktoreske
dhe klimës malore të shëndetshme të përmbushë kaq vlera
të mëdha turistike. Për këtë arsye, ai nga Shkalla e
Tujanit dhe deri tek Qafa e Priskës duke përfshirë një
hapësirë në të dy faqet e tij me sipërfaqe deri 3500 ha
është shpallur park kombëtar.

Para Dajtit
Të dy at e bir, që pak nga pak zbulohen, më thonë se
janë nga Gramshi. Duket se një gjë jo e zakonshme i mban
këtu. I has shpesh për gjithë ditën, më vonë. Të
çuditshëm shqiptarët. E, pasi e ke përshkruar këtë vend
dhe me invers kthehesh nga një rrugë e shtruar, të duhet
sërisht që të kthehesh në rrugën e kthimit. Në Qafë
Priskë sërish, por këtë herë të zbresësh dhe këtë herë
që të detyroshesh të futesh në Parkun e madh Kombëtar të
Dajtit. Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe veç klubeve
të pafundme, që kanë mbirë nga të dy anët e rrugës dhe
pak të veçuar nga njëri-tjetri. Pronarët e rinj, shumë
syresh vendalinj, pas hapjes së teleferiku i kanë bërë
një element më shumë. Ata kanë dërguar furgonat, të
cilët marrin “free”, klientët që zbresin të mrekulluar
nga Teleferiku. Që nga Panorama, Gurra..., Shelgu, etj.
të gjithë klubet bëjnë konkurrencën e tyre me makina për
kryeqytetasit. Por, nuk shkojmë deri aty.
Në të djathtë, pak kilometra nga fusha e Dajtit, një
shigjetë dhe njoftimet e disa arkeologëve më kanë bërë
të qartë se ku është një nga kalatë e vjetra të zonës.
Mbase ajo që i ka dhënë kryeqytetasve emrin e tyre.
“Tirana vjen nga Tirkan. Tirkan ka qenë një kështjellë
në shpat të malit të Dajtit. Akoma ekzistojnë rrënojat e
kësaj kështjelle të lashtë që daton në fillimin e
shekullit të parë para lindjes së Krishtit, e cila
mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin
Prokop (shek.VI), e quan kështjella e Tirkanit”, thuhet
në literaturë. Kalaja e mbetur që ndodhet rreth 400
metra në të përpjetën e një rruge përmes dushqeve dhe
ahishteve është zhgënjyese. Pak rrënoja, që i ka mbuluar
një myshk i harlisur, e ku koha ka vënë vulën e saj,
duke i errësuar frikshëm. Një arkeolog ka vënë një
shigjetë për ata që vinë më pas. Asgjë e veçantë tjetër.
Mbi të shikoj një platformë pak 50 metra, që përbën një
mur me gurë të lidhur jo mirë. Dhe, i vetmi element i
kalasë, që sërish nuk vlen për të identifikuar formën-
është një platformë në formë harku, në një nga këndet. E
çuditshme është se asnjë nga banorët nuk e njeh, përveç
një plaku, që ka bërë një restorant me një emër si
“Shelg...” në buzë të rrugës. Nuk vjen deri më sipër.
Por, na sqaron me kujdes. Një moshatar (e has
krejtësisht vetëm në rrugë me sopatë), që më bën si
kopetent dhe që pretendon se e njeh zonën, nuk di asgjë.
Çuditet dhe bën sikur dëgjon diçka për kalanë. Në fund i
kuptoj interesin dhe pse begenisi të vijë me mua në
rrëpirën me 45% pjerrësi. “A thua ka të fshehur
gjëkafshi këtu, ndopak flori”, më thotë. “Kot nuk ke
ardh”, më shkel syrin me marifet. Më duhet t’i shpjegoj
gjatë se nuk ma merr mëndja, por edhe se nuk më ka
shkuar ndonjëherë ndërmend...E shikoj pak me siklet por
banorët dyshojnë për çdo gjë. Ngaqë, mbase në kohët para
viteve ‘90, askush nuk i linte të bridhnin si donin
këtej. Një gjë të tillë me sa duket ka funksionuar dhe
për dyshimtarin, që kam përballë.

Tek Hani
Njësoj këtë dyshim e kam hasur tek Han, gati 100 vjet më
parë. “Një detyrë tjetër që duhet të zgjidhja në Tiranë
kishte të bënte me porositë që kisha marrë lidhur më
fosilizimet. Duke qenë se për shkak të stinës së
pashëndetshme...nuk kisha kohë, Seit Beu, vëllai më i ri
i mydirit të atyshëm, tek i cili unë pata rastin të njoh
një djalosh shumë të kulturuar, i cili jo vetëm ishte
një filolog i gjuhëve persiane dhe arabe...dhe fliste
një frëngjishte te admirueshme, më rekomandoi si burime
të pasura fshatrat Surrel dhe Priskë që ndodheshin dy
orë në juglindje të Tiranës, pasi atje vetë së bashku me
një mikun e tij natyralist nga Stambolli, kishin nxjerrë
një pllakë afërsisht dy këmbë të gjatë me skeletin e një
ngjale të mbajtur në gjëndje të mirë, skeleti i të cilës
tani ndodhet në Muzeun e Shkencave Natyrore të
Stambollit”.
Kuptohet se shqiptarët të alarmuar nuk i tregojnë asgjë
dhe Hani i braktis fosilet për të vazhduar rrugën në
drejtim të Matit, por megjithë dështimin është i kënaqur
sepse me aq sa e lejonin kushtet ka përcaktuar rrjedhën
e Erzenit. E njëjta gjë më ndodh me Ilirin (mëdyshuesin
që heton për çdo gjë), por jam i kënaqur që kemi shkuar
në kalanë e vjetër, ndërsa i lë në dorë, që të më
shpalosë të gjithë erudicionin e tij kallp për florën e
vendit. Për çudi më rezulton një vëzhgues i hollë, pak
më vonë, sepse më tregon barishtet, por edhe llojet e
ndryshme që i shërbejnë shëndetit tonë.

...Dajti si argëtim
Ndahemi si miq. Kohët e fundit është shtuar gjindja në
mal, më thotë, duke u ndarë. “Këtu ndahemi”.
Por kur zbresim nga kalaja dhe kthehemi për tu bashkuar
me njerëzit, asgjë nuk të ngjall ndonjë gjë të veçantë.
Ka ikur bora, ndërsa falë një punë kaotike të pronarëve,
Dajti është një atraksion i veçantë. Një vend kaotik,
gjithsesi dhe njerëz, që sapo zbresin gjenden krejt të
çorientuar. Sidomos ata që e kanë përherë të parë. Vetë
ndaloj para derës së jashtme të stacionit të
teleferikëve, ku janë tre kuaj dhe një kaloshinë. Në
njërën syresh është Xhevati. Eshtë i paqëm dhe në pak
momentet që rri me të më tregon pak me keqëardhje se:
“Isha vetëm para gjashtë vjetësh. Tashmë kanë ardhur të
gjithë. Nuk qahem”.
Ky burrë vjen çdo ditë në dimër, në verë, për të nxjerrë
të përditshmen. Dhe, është i kënaqur, sepse ka punuar
gjithmonë dhe ia ka dalë. Ky është realiteti i tij në
kapitalizëm dhe mënyra sesi ai e përballon jetën.
Nga tej ku hedh sytë qëndron i vdekur me basorelievet e
tij gjigande ish kampi i pionerëve. Një qen i stërmadh,
vëlla kobzi i Cerberit, më hungërin frikshëm “Pate fat”-
më thotë me një humor të zi, një burrë që përtej. Askush
nuk e thotë pse hesht prej kaq kohësh .
Në fakt, ka të drejtë. Kam shpëtuar. Ose kështu i dukem
një rojtari, që më shikon fodull që andej. Xhaviti më
kërkon që të kthehemi bashkë. Por, që ta pres deri
matanë orës pesë, kur ka ikur dhe udhëtari i fundit me
teleferik, nuk më duket shumë e arsyeshme. Dua të provoj
dhe gastronominë e këtyre njerëzve. Të paktën të
argëtohem pak. Rruga e kthimit është e bukur. Rend pas
Diellit, që më ikën me galopin e tij qiellor. Por,
Brasini dhe De Fausto nuk e mendonin kurrsesi të tillë
Tiranën. Këtë të shqiptarëve, të shekullit XXI, atë që
Dajti pak nga pak, do u fshihesh njerëzve....

No comments: