Thursday, August 09, 2007

Vazhdim...


Une lexova me shume nga zoti Jubica, dhe per vete ate. Jo aq entuziast sa c'isha ne fillim por nejse, nejse...


• Irhan Jubica


(vijon nga numri i kaluar)

Kadare viziton varrin e Fishtës

Në njërën nga ditët e para të prillit të vitit tonë 2007, Ismail
Kadare ka vizituar privatisht Kishën Françeskane në Shkodër. Ndoshta

është rastësi që kjo vizitë bëhet në 40-vjetorin e ndalimit të fesë,
kohë që shënon edhe dhunimin e varrit të Gjergj Fishtës, por Kadare
mund të ketë dashur të përkujtojë pikërisht atë ngjarje me mikun e
tij të ri, Zef Pllumi. Drejtuesi i Bibliotekës së mrekullueshme
Françeskane, xhakoni Viktor Demaj nuk e mohon ardhjen e Kadaresë te
françeskanët, por kujdeset që ta distancojë kishën, duke e quajtur
thjeshtë si “një vizitë private për Atë Zef Pllumin”. Fra Viktori,
që pret të shugurohet meshtar sivjet, nuk dëshiron të tregojë asnjë
detaj nga vizita, edhe pse dihet se përveç shëtitjes në ambientet e
ish-kinema “Punëtorit”, Kadare ka pasur, gjatë ndenjes njëditore,
edhe një drekë të konsideruar “pune” me disa bashkëpunëtorë të afërt
të klerit françeskan në Shkodër, e ndonjë të ftuar tjetër.
Ka zëra që duke u nisur nga dashuria e re e shkrimtarit Kadare për
katolicizmin, flasin për mundësinë e konvertimit në të krishterë,
ashtu siç thuhet se mund të jetë shndërruar një tjetër lider
shqiptar, vite më parë. Mbështetësit e kësaj teze e paraqesin këtë
veprim të mundshëm të shkrimtarit, si një sakrificë që Kadare është
i gatshtëm të bëjë për të dëshmuar para botës prirjen dhe
identitetin perëndimor të kombit që përfaqëson.
Për motive që nuk dihen, vizita u mbajt sekret, larg mediave dhe
opinionit, por mësohet se kujdestarët e kësaj vizite e kanë dëmtuar
karakterin pozitiv të pelegrinazhit të Kadaresë në Kishën e Fishtës,
me ndërhyrjet tejet të zellshme për të ruajtur fshehtësinë.
Megjithatë, për këtë vizitë është folur mjaft në opinion. Një pjesë
e intelektualëve thonë se “duke njohur karakterin e Kadaresë…” nuk
çuditen, ndërsa pjesa tjetër pohon të drejtën e individit për
ndryshim. Vetë Demaj thotë se “Kadare pranoi” faktet, duke u
përpjekur kështu, nga një pozitë jo fort komode të ruajë më shumë se
“Nderin e Kombit” Zef Pllumi, vetë Kadarenë, për disa qëndrime aspak
të lashta denigruese ndaj figurës së klerit katolik, e posaçërisht
ndaj Fishtës.

“Ai që nuk pendohet, a duhet falë?”
Por pavarësisht nga meshtari i ardhshëm, ipeshkvi Zef Simoni mendon
ndryshe. Në “Letërsia shqipe e pamè ndryshe” autori i mëse një
dyzine librash, pa ia mohuar për asnjë çast talentin shkrimtarit të
njohur, duket sikur i vë ngjitur shprehjen italiane “sprecato”, kur
pasi parashtron se “…Shkrimtarët e realizmit socialist… janë
lajkatarë të regjimit e të personës së tij [diktatorit]”, bëhet i
drejtpërdrejtë: “Ismaili e ka mbushë realizmin socialist me qindra
vargje e rreshta që nuk hyjnë në vlera, sepse kanë lëvdue partinë e
kanë rrëzue të gjitha strukturat e shoqnisë”. “…Një shkrimtar tjetër
me talent Ismail Kadare, që do t’ishte nxanës i bindun, tue i ndejtë
gatitu diktatorit”, shkruan Simoni duke portretizuar autorin e
sulmit mbi Fishtën. “Kadareja nisë të bante ndryshime, - vazhdon
Simoni duke iu referuar kohës së tashme, - …i hiqte romanit negativ
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” priftin, korrigjonte disi shkrimet
fajtore kundër Fishtës…”
Në një nga botimet për eksport, K. Bihiku duket se bën historinë kur
shkruan: “The most well-known writers of this literature such as Gj.
Fishta, V. Prenushi, A. Harapi etc. supported the ideological
expansion of Italian fascism, thus, paving the way for the Italian
aggression of April 7, 1939”. Pa dyshim që për shkak të famës dhe
përgjegjësisë, vetëm Kadaresë do t’i kujtoheshin qëndrimet mohuese
ndaj Fishtës. Kështu, në kohë të ndryshme Kadare është kritikuar nga
Injac Zamputi, Kapllan Resuli, Kasëm Trebeshina, Petraq Kolevica,
Fatos Lubonja, Aurel Plasari etj.
“Fjala ‘kronikë sterile’, shkruan monsinjor Zef Simoni në kapitullin
“At Gjergj Fishta, maje e letërsisë kombëtare”, kur flitet për
“Lahutën” prej Ismailit asht jo thjesht e gabueme, por randë gabim,
fort gabim, tejet e gabueme, ‘tërësisht e gabuar.”
Por ipeshkvi Simoni thotë se “e duem shkrimtarin ma nalt”, e për
këtë “Ideali ma i zgjedhuni në botën e fajeve, asht ai i pendimit
rranjësuer”, sepse “… ndër ne, të gjithë shkrimtarët… [e] realizmit
socialist, … rrijnë si në nji mëkat të pafalun…në këtë mënyrë mund
të bahen fytyra … pa çiltërsi”.
Ndërsa retorika e At Konrrad Gjolaj është e prerë: “Ai që nuk
rrëfehet, ai nuk pendohet, dhe ai që nuk pendohet, a duhet falë?”.
A është i të njëjtit mendim edhe At Zef Pllumi? Fra Viktori qeshet,
duke shtuar se kjo është mrekullia e françeskanëve shqiptarë: një
tolerancë mendimesh të ndryshme.
Ndoshta në këtë këndvështrim duhet parë kjo vizitë e shkrimtarit në
Kishën Françeskane të Gjuhadolit, e patjetër edhe në varrin e
Fishtës e në ata altare, kapela e korridore ku përpara se me lindë
Kadare, shkelnin sandalet e françeskanit më të madh shqiptar.

Kush ia bëri varrin Fishtës
Në pllakën përkujtimore në të majtë të Kishës Françeskane shkruhet
një tjetër datë e rivarrimit të eshtrave të Fishtës, nga ajo që
shkruajnë kronikat e pakta të kohës, të cituara më sipër.
Megjithatë, tepër i çuditshëm është fakti se prej 4 nëntorit 1990 të
mbajtjes së meshës së ringjalljes në Rrmaj, ose prej mbrëmjes së
dhjetorit ’90, kur “anonimi” konfirmoi dhunimin e varrit, ose prej
vitit 1991 kur u krijua shoqata me emrin e poetit, ose prej vitit
1993 kur Kisha Françeskane po rikonstruktohej e deri më 13 nëntor
1995 “mbas dy vjet punimesh kur i erdh radha me u shtrue dyshemeja e
kishës me rrasa mermeri”, nuk u bë asnjë përpjekje për gjetjen e
eshtrave të Gjergj Fishtës. Janë pesë vjet të gjatë që në rrëfimet e
disa françeskanëve që kanë shkruar me shumë pasion për Fishtën,
mbushen me shkrime gazetash. Zef Pllumi thotë se shteti shqiptar
“demek-demokratik” e bëri veshin shurdh përpara kërkesës së tij për
ndihmë në gjetjen e varrit që ai vetë shkruan se ia ka hapë Fishtës,
natën e akullt të 31 dhjetorit 1940. Por Pllumi, i cili pretendon se
lajmin për dhunimin e varrit të Fishtës e mësoi nga një “anonim”
vetëm në vitin 1990, nuk thotë se cilat ishin “hienat” që mund të
silleshin rreth varrit të Fishtës edhe mbas vitit 1993, kur në
Kishën, çelësat e së cilës i kishte Cavallini, punohej për
restaurimin edhe nga dëshmitari i 1967-ës, i mbikqyrur madje nga një
Topall tjetër, bashkëshorti Tonç i kryeparlamentares së ardhshme
demokrate.
Edhe pse i noterizuar, procesverbali i gjetjes së eshtrave duket se
ka përplasje me të vërtetën, më së paku për sa i takon datës.
Gërmimet kanë filluar me dt. 13 nëntor, e në “Françeskanët e mëdhaj”
shkruhet se “N’e nesre gërmimet vijuen përsëri. U gjet … nji copë
nga petku fetar (stola)…” ndërsa procesverbali që daton 13 nëntor
1995, e përfshin në listën e objekteve të gjetura, edhe stolën,
krahas kockave të tjera, falangave, karpeve e metakarpeve, ndoshta
të dorës së majtë të Fishtës, duke pasur parasysh vendvarrimin.
Pllumi shkruan se skulptori i monumentit të vetëm të Fishtës, Pjerin
Kolnikaj, është edhe autori i projektit të varrit, të realizuar me
materiale mermeri me shkronja bronzi.
Pa iu nënshtruar asnjë analize shkencore, eshtrat e gjetura 2 m nën
dhè, bashkë me protagonistët që u grupuan në një komision të
posaçëm, pritën deri më 1996 për të nderuar kujtimin e poetit, varri
i të cilit i ka kushtuar shtetit 1350 dollarë.

Duke kërkuar një “Pse?”
Më kot, Ernest Koliqi, një vit përpara dhunimit të varrit të
Fishtës, shkruan nga Italia: “Kush dënon Fishtën, don t’asgjâsojë
frymën e lidhjes së Prizrendit, mohon idén qenësore të rilindjes
shqiptare. Kush don me i a vorrue veprën në humnerë të harresës,
kapërdin faktorët historikë e gjeografikë që përbâjnë arsyen qênjeje
së nji Shqipnije shqiptare.” Më vonë, Zef Valentini nuk do të
mjaftohej me habinë për vazhdimin e sulmeve, por do t’i kërkonte
“gati zyrtarisht” shtetit shqiptar ta rivlerësonte Fishtën, duke u
bërë ndër të parët që kuptuan arsyet e dënimit të poetit: “Si mundet
vallë… që regjimi i Hoxhës dhe i Shehut e kanë dënuar me ostracizmin
më të egër? Ata s’janë aspak as njerëz të ditur as mendimtarë të
shkëlqyer, por vetëm të pajisur me nuhatje e dinakëri, cilësi këto
mëse të zakonshme në Shqipëri. E vërtetë është se dëshmia e parë e
fushatës antifishtjane qe ndikimi i fortë serb në vitet e para të
regjimit komunist; e kjo kuptohej qartë, poeti i madh kishte luftuar
gjithnjë tmerrësisht synimet ekspansioniste sllave.” (“Popuj dhe
misione”,1 Prill 1972).
Kjo ide e Valentinit për sulm mbi Fishtën për llogari të
jugosllavëve, mbështetet ndoshta pa dijeni të këtij teksti, edhe nga
“cërnagorasi” Kapllan Resuli, i cili në “Fishta dhe të tjerë” e
akuzon Fishtën për antimalazez e antiserb, duke shkruar: “…[Fishta]
impenjohet për t’i indoktrinuar shqiptarët me urrejtje ndaj
sllavëve-ortodoksë në përgjithësi e ndaj cërnagorasve në veçanti…”.
Për çudi, kjo tezë ishte hedhur më parë edhe nga Kadareja, te
“Ardhja e Migjenit…”, ku autori i “Lahutës së Malcisë” akuzohet për
ksenofobi, sidomos drejtuar sllavëve. Në atë kohë “për fat” nuk
ishte botuar ende ditari i gruas së konsullit austiak, gjatë
rrethimit të Shkodrës, von Zambur, ku ajo shkruan: “20 mars 1913, e
enjte, … sot pasdreke isha te Marta [familja e kapedanit të Mirditës
Prenkë Bib Doda, Shënimi im, i.j.], ku takova fratin françeskan
Fishta, i cili u shkreh me tërë rreptësi kundër malazezëve, kundër
barbarizmave të këtij shteti që e mban veten si “komb i civilizuar”,
sepse akuzuesit do të kishin pasur një “provë” më shumë. Ndërkaq,
një tjetër autor kujton se akuza të këtilla ndaj Fishtës janë bërë
që në vitet e para të atij që quhet “çlirim” i vendit. Shtypi
katolik botëror shkruan se menjëherë pas nënshkrimit të një traktati
miqësie të Shqipërisë me Jugosllavinë, “Lahuta e Malcisë” u
konsiderua “vepër antisllave” dhe u ndalua.
A mund të thuhet pra, se për shkak të këtyre akuzave që i bëheshin
Fishtës herë-herë edhe nga shqiptarë, ambasadori ortodoks jugosllav
në Tiranën e fundviteve ’40 do të ishte i pranishëm në pjesën më të
madhe të gjyqeve “të popullit” kundër klerikëve katolikë në Kinema
“Rozafat”? Konrad Gjolaj thotë se i ka parë vetë në pushimet e
seancave prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë duke pirë kafe me
diplomatët e Titos. Në një rast tjetër, nëpërmjet një
ish-sekretareje dhe përkthyeseje të Enver Hoxhës, tregohet krenaria
e diktatorit shqiptar teksa i raporton ambasadorit jugosllav
goditjen për vdekje që i kishte dhënë katolicizmit në Shqipëri
vrasja e Anton Harapit, por diplomati i kërkon zhdukjen e Gjon
Shllakut për rrënimin e plotë të françeskanëve shqiptarë. Sipas
porosisë, Shllaku u dënua me vdekje në prani të diplomatit
jugosllav, të cilit Mati Prennushi do t’i drejtohej gjithë neveri:
“Heee, … Serb, o serb!” I njëjti diplomat është i pranishëm edhe në
dënimin me pushkatim të Dedë Malajt e burgosjen e disa të tjerëve.
Miqësia me jugosllavët mori fund, për t’u hedhur në krahët e një
miku tjetër sllav: Bashkimit Sovjetik, por për Fishtën gjërat nuk
ndryshuan. Duke iu referuar dashurisë së gjatë me Kinën, në mënyrë
shumë kontradiktore Zef Simoni shkruan se pikërisht në këtë periudhë
“nisi të vlerësohet Fishta”, kur në fakt kjo kohë përkon me ethet e
revolucionit kulturor, pasojë e të cilit është edhe dhunimi i varrit
të poetit. Deda, nipi i ish-sekretarit të Fishtës, Antonin Fishta,
që prehet në kapelën në të majtë të altarit të Kishës Françeskane në
Shkodër, nuk kujtohet ta ketë mësuar atëherë lajmin për dhunimin e
varrit të Gjergj Fishtës. Ai mendon se axha i tij, i cili është një
ndër klerikët që nuk firmosën Statutin e ofruar nga qeveria për
ngritjen e një modeli anglez të Kishës Katolike Autoqefale Shqiptare
të shkëputur nga Vatikani, siç kishin bërë myslimanët dhe
ortodoksët, duke pranuar edhe emërimet e “kryetarëve të feve” nga
shteti - mund ta ketë ditur për Fishtën, sepse shihej gjithnjë e më
shumë i mërzitur, derisa edhe vdiq më 1970, i mbyllur në vetvete,
por “ai nuk fliste me njeri për këto gjana”.
Megjithatë, duket shumë e çuditshme që prosllavizmi i flaktë apo i
mbuluar i Tiranës (i akuzuar edhe si shkaktar i lënies së Kosovës
nën Jugosllavi për 50 vjet), të ketë vendosur fatin e eshtrave të
Gjergj Fishtës, poetit që vjershën e parë ia kushtoi një
bashkëkombasi të Titos “Al Valente Poeta Sign. Silvio Kranjcevic”
(1892); priftit që kishte aq autoritet sa të ndërhynte me sukses te
Krajl Nikolla duke ia shpëtuar jetën Mati Prennushit, të dënuar me
varje nga serbët për ngritjen e flamurit më 1911 në Deqiç.
Pelegrinazhi i munguar
Qysh prej dhjetorit 1940 kur u shpall si “premtim” e deri më sot,
varri i Fishtës nuk u bë asnjëherë vend pelegrinazhi, si varri i
Hygoit, Kafkës. Herë-herë duket se kjo nuk ka ndodhur për shkak të
mungesës së publicitetit të kësaj ideje, por nuk janë rastet që kanë
munguar. Fra Viktori e pranon se “krejt pak” njerëz kujtohen të
kthejnë te Fishta kur hyjnë në Kishën Françeskane, e ndërsa numri i
njerëzve që mund të vijnë enkas për varrin e poetit është edhe më i
pakët. Ndoshta njerëzve ua bllokon rrugën mjegulla e misterit të
pakuptimtë për fatin e eshtrave e të autorëve të këtij krimi,
mjegull që nuk davaritet, por veç shtyhet tash 15 vjet nga njëri
rrëfim në tjetrin, i njerëzve besnikë të aleancës së heshtjes. Në
mos në letër, në arkivat e gjalla të françeskanëve pa diskutim janë
të fotografuara të gjitha detajet dhe protagonistët e ndodhisë që
megjithatë, implikon dhe vë në dyshim edhe moralin e shtetit
shqiptar, si palë që duhet të kishte ofruar hapjen e hetimeve
zyrtare. Nuk dihet nëse ndonjë përpjekje e tillë nuk i është
përkrahur shtetit, e as se ndoshta 40 vjet mbas dhunimit të
përgjithshëm të fesë, sot Kisha është e mjaftuar me marrjen o
zgjerimin e disa pronave, me ndonjë ftesë nga politika e të njëjtit
shtet që ende nuk ka lypë ndjesë për rrënimin e institucionit të
besimit te shqiptarët, ashtu si kanë bërë Gjermania pas Luftës së
Dytë, apo Gjon Pali II në emër të Vatikanit për Kryqëzatat, e së
fundi edhe serbi Tadiç për kroatët. Nuk mund të dihet as nëse
ndërhyrja për t’i dhënë Zef Pllumit të gjithë titujt zyrtarë është
dirigjuar për të larë të mëkatet ndaj Fishtës, por Zef Pllumi nuk
është Gjergj Fishta. Suksesi i protagonizmit absolut të Fishtës në
shumë fusha, me siguri që meriton më shumë se barazvlerësimi me
shpikësin e viagrës.
Por ndoshta problemi kësaj here quhet pozicionim i palëve: prej
rrëfimeve të deritashme për eshtrat e Fishtës, mësohet se llogorja e
dëshmitarëve është e zënë. Duhet një palë tjetër si e akuzuar. Për
këtë duhet pritur sa të zbardhë, e mandej mund të shihet se kush
është në llogoren përballë; por meqë terri informativ rreth këtij
fakti mund të zgjasë, mbetet të besohet se armiku mund të mos
mësohet asnjëherë.
Ose se nuk ka pasur kurrë llogore tjetër.
Bibliografia

Zef Pllumi “Françeskanët e mëdhaj”
Zef Pllumi “Histori kurrë e tregueme”
Zef Simoni “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni, 1944-1990”
Konrrad Gjolaj “Çinarët”
Pjetër Pepa “Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri”
Dhori Qiriazi “Krishtërimi në Shqipëri”
Injac Zamputi “Fishta. Koha, njeriu, vepra”
Vehbi Bala “Gjergj Fishta. Jeta dhe vepra”
Anton Nikë Berisha “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë”
Ismail Kadare “Autobiografia e popullit në vargje”
Ismail Kadare “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”
Ismail Kadare “Dantja i pashmangshëm”
Kapllan Resuli “Fishta dhe të tjerë”
Kapllan Resuli “Fytyra e vërtetë e Ismail Kadaresë”
Gjergj Gashi “Vatikani dhe Arberia 1700-1922”
Hortense von Zambur “Rrethimi i Shkodrës”
Petraq Kolevica “Lasgushi më ka thënë”
Ernest Koliqi “Shejzat”
Zef Valentini “Vepra”
Lazër Shantoja “Vepra”
Hamdi Bushati “Shkodra dhe motet”
Kasëm Trebeshina “Hylli i Dritës”
Kolec Çefa “Andrra e Mjedies”
Gjergj Fishta “Vepra letrare 1”
“Lahuta e Malcisë” (Romë 1991)
IHGj “Histori e Shqipërisë”
ASHRSH “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”
Koço Bihiku “A history of Albanian literature”
“Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944–1990”
Gazetat “Zëri i popullit”, “Zëri i rinisë”, “Jeta e re”, “Bashkimi”,
“Puna”, “Drita”, “Rilindja Demokratike”, “Koha Jonë”, “Albania” etj.