Monday, July 30, 2007

Gaca te nje cilesie te larte shkrimesh


Sot rashe ne kete shkrim te nje njeriu te panjohur (per mua). Shkrimi eshte i nje cilesie te larte dhe une mezi po pres per vazhdimin e tij neser tek Gazeta Shqiptare (qe nuk eshte as gazete, dhe as shqiptare, por kjo eshte tjeter mesele, dhe nuk ja ul vlerat shkrimit).
Gjeta dhe nje biografi te vogel te autorit. Kini nge, dhe lexojeni shkrimin deri ne fund sepse do jene 5 minuta te harxhuara mire.

Irhan Jubica
Lindur ne Shkoder, me 1973. Me 1994-'95 kryeredaktor i gazetes "Thyerje". Me 1996 kryeredaktor i revistes letrare "Orana", me 1997-e vazhdim, koordinator i Penclub "Orana", nje grupim i shkrimtareve te rinj shkodrane. Me 1997-1999 redaktor i kultures ne gazeten "55". Me 1999 themelon dhe drejton gazeten "Fjala e Shkodres". Me 1996 boton vellimin e pare poetik "Beduini i fundit" ("Orana"), ndersa me 1997 vellimin ne proze "Nata e Shen Valentinit" ("Marin Barleti").
Ka botuar ne shtypin letrar dhe ate periodik artikuj problematike kulture, si dhe krijimtari poetike e proze, si dhe perkthime nga italishtja e anglishtja. Aktualisht kryeredaktor revistes letrare "ars"





Nje varr per te verteten e eshtrave te Fishtes


29/07/2007
• Irhan Jubica



Pikëpyetje, shumë pikëpyetje A janë hedhur me të vërtetë në Drin
eshtrat e Gjergj Fishtës? A mos kjo histori është më shumë
një legjendë, që për shkak të ndjeshmërisë së publikut, rezultoi më
funksionale se ajo letrarja e vitit 1963, me protagonistë një
gjeneral dhe një prift? A është e mundur që i njëjti dëshmitar të
ketë qenë i pranishëm edhe kur është dhunuar varri, që sipas një
varrmihësi, ka qenë rreth dy metër larg pllakës së mbishkruar, edhe
kur janë futur eshtrat në thes, edhe kur janë ngarkuar në karro edhe
kur karroja ka ecur përgjatë qytetit nëpër një rrugë rreth 3 km deri
në Drin? Drini qarkon një pjesë të mirë të Shkodrës, ndaj në ç’vend
janë hedhur në Drin? Në ç’datë? Në ç’orë? Kush tjetër ishte
dëshmitar? Cilët ishin varrmihësit? Po karrocieri? A e dinin
varrmihësit se për çfarë po gërrmonin? Po karrocieri, a e dinte se
çfarë po hidhte në lumë? Kush i urdhëroi të gjithë këta njerëz? Po
sikur eshtrat e Fishtës të mos jenë hedhur fare në lumë, por të jenë
fshehur diku tjetër?
Pse nuk i janë përgjigjur këtyre pyetjeve asnjë nga françeskanët që
shkruan historinë e atij Kuvendi të famshëm? Pse nuk është shpallur
një kërkim zyrtar i pjesës tjetër të eshtrave? A është e vërtetë se
lufta ndaj besimit në Shqipëri, më së shumti ishte luftë kundër
katolicizmit (dhe myslimanizmit), e udhëzuar apo frymëzuar nga
ortodoksia sllave për shkak ndoshta të një xhelozie të vjetër të
tyre ndaj katolikëve shqiptarë, meqenëse edhe numri i klerikëve
ortodoksë të përndjekur është i papërfillshëm, sidomos në raport me
besimet e tjera?
Nuk janë pikëpyetjet e vetme që dalin duke lexuar dëshmitë aq të
pakta e fragmentare të atyre që e jetuan atë kohë. Një pjese të
këtyre pyetjeve tenton t’i përgjigjet ky shkrim, por natyrisht
pyetja më thelbësore mbetet “Pse?”.

Jeronimi përsëri
“…U shkatërruan kishat… Pranë altarëve të Krishtit u lidhën kuajt si
në grazhd… Eshtrat e martirëve u nxorën nga varret”. Fjalët e
përkthyesit “Shë Hieronim” ilir të Biblës në latinisht, sipas
Bogdanit, duket sikur janë shkruar në vitin 1967, e jo dikund rreth
vitit 400 të mijëvjeçarit të parë, e ndonëse i referohen dyndjes së
hunëve, gotëve, skithëve e vandalëve në Ballkan e më gjerë, e japin
më së miri tablonë përmbyllëse të luftës së komunistëve shqiptarë
kundër besimit. Kjo luftë kishte nisur që në vitin 1945 me
burgosjen, torturat, internimin, pushkatimin e mbi 200 klerikëve, me
grabitjen dhe vjedhjen e autorësisë së arkivave unikale të kishave,
vlera e të cilave më shumë se fetare ishte kulturore e historike
shqiptare, me prishjen e 2300 objekteve me vlera arkitekturore të
kultit.
E pikërisht në vitin 1967, plot 1900 vjet mbas 29 qershorit të
kryqëzimit dhe tretjes së varrit të apostullit të Krishtit, Shën
Pjetrit, në Shqipëri u dhunuan dhe u tretën eshtrat e Shën Fishtës,
“Apostullit të Madh të Shqiptarizmës”, siç e quan Koliqi.
Në fakt, për faj të shqiptarëve ose jo, panteonit kurrë të ngritur
të kombit i mungojnë shumë prej eshtrave të të vdekurve të mëdhej:
varri i Gjergj Kastriotit u dhunua prej turqve, përpara se trupi i
pajetë i Pjetër Bogdanit të hidhej në shesh po prej aziatikëve. (Zef
Simoni shkruan se më 1946, pas torturave, edhe trupi i varur i
priftit Mark Gjani iu hodh qenve e kockat u lëshuan në përrua.) As
serbët nuk u mjaftuan vetëm me vrasjen e mbledhësit të Kanunit,
Shtjefën Gjeçovi; “L’Osservatore Romano” i 30 janarit 2000 thotë se
në të njëjtën mënyrë u sollën edhe komunistët me eshtrat e Jak
Serreqit, Lazër Mjedës, Gaspër Thaçit, Ernest Cozzit, Bernardin
Shllakut e Gjergj Fishtës. Në shumë shkrime përmendet edhe Dedë Gjo’
Luli, për të cilin herë thuhet se ka qenë varrosur pranë Fishtës, e
herë në kapelën e vogël, në të majtë të altarit të Kishës
Françeskane, bashkë me fretërit e lartpërmendur, por kjo nuk i
pengoi komunistët ta njihnin hero, edhe pse ia tretën eshtrat.

Fjalët e kohës. Fishta që s’është
7 shkurt 1967. Gazetat “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”e “Puna” botojnë
fjalimin pesërfaqesh, në dukje kundër burokracisë, që Enver Hoxha
kishte mbajtë një ditë më parë në takimin e zgjeruar të disa
organizatave të rinisë e Partisë së Punës. Disa ditë më vonë,
fjalimin e botojnë edhe “Zëri i rinisë”, “Jeta e re” e çdo gazetë
lokale në vend. Gazetari i KQ të PPSH-së Xhelil Gjoni njofton në
“ZP”-në e 8 shkurtit se gjimnazistët durrsakë të “Naim Frashërit”
kanë marrë një nisëm për ta çliruar vendin prej së vjetrës e prej
fesë. Ky kryeartikull, në gazetën më të frikshme në vend, pasohet
nga të tjerë shkrime që pasqyrojnë entusiazmin e rinisë për
“dacibaot” që bllokojnë edhe dyert e kishave e xhamijave. Kinezëria
kulturore përkrahet në Durrës nga shkolla “Mujo Ulqinaku”, e më pas
nga i gjithë vendi. Në artikullin e gjatë “Kotësia dhe dëmi i
paragjykimeve fetare” të ZP së 18 marsit, Selami Tabaku, Arif Gashi
dhe Gjon Jaku (ky i fundit i akuzuar prej një bashkëkohësi si një
ndër “spiujt e parë të sigurimit në Shkodër, informatori kryesor për
pjesën katolike”) akuzojnë Patër Anton Harapin (që më 1944
shkruante: “…për fe e atdhe… ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që
po na zhduket ndër duer”), Hafiz Ali Tarin (antizogist, teolog
musliman që kishte mbajtur një fjalim të ndjerë në varrimin e
Fishtës) e Sali Myftinë për lidhje të ngushta me pushtuesit. Fishta
është kudo, por nuk përmendet askund. Fishta nuk përmendet as në një
shkrim për shtypin në Shkodër, që Vehbi Bala boton në “Jeta e re”,
ku ia ka dalë ta përjashtojë publicistin Gjergj Fishta nga
kontributi i themeltar në krijimin e drejtimin e “Elcisë së zemrës
s’Jezu Krishtit”, “Zanit të Shna Ndout” e “Postës së Shqypnies”, por
sidomos të “Hyllit të Dritës” pa të cilin nuk ka as histori të
shtypit shqiptar. Është koha kur në faqet e para të gazetave,
nëpërmjet titujve të mëdhenj masat e ndërsyera kërkonin “t’i
djegim”, “t’i shkatërrojmë” jo vetëm zakonet prapanike dhe
mashtrimet e fesë. Një përfaqësi e lagjes “Kongresi i Përmetit” po
në Shkodër, më 19 mars i shkruan një letër “shokut Enver Hoxha” ku e
njofton se xhamijat që kishin në lagje po i kthenin nga qendra terri
në institucione kulture. Aksione të tilla raportoheshin përditë nga
radioja dhe gazetat, si në Gjepalaj, Durrës, Tiranë, Roshnik të
Beratit, Kukës etj. E për ta mbajtur të ndezur zjarrin ku do të
digjeshin armiqtë, më 16 prill Këshilli i Përgjithshëm i Frontit
Demokratik të Shqipërisë i drejton një tjetër thirrje popullit “për
t’u ngritur mbi të vjetrën”.
Bashkë me fletërrufetë e panumërta ku në emër të rinisë kërkohej
ndalimi i fesë, kjo ishte ana e dukshme e asaj që ndodhi më 1967,
vit që i parapriu ateizmit zyrtar e që kulmoi me hapjen në Shkodër
të të vetmit muze ateist në botë. E padukshmja pjesë e këtij
aisbergu qe fatale për shkak se kalonte nga zyrat e Sigurimit të
Shtetit.
E Sigurimi nuk ka bërë asnjë fletërrufe.

Thash e them ose “bâj e bjer”
Historia e shkruar për herë të parë në një “RD” të fillimvitit 1991,
përveç kopjimit nga njëra gazetë në tjetrën, do të qarkullonte si
ata gojëdhënat, vërtetësia e të cilave, për shkak se i mvisheshin
diktaturës komuniste të konfirmuar si gjakatare dhe e pashpirt, nuk
kërkonte fakte konkrete, por mjaftohej me një pusullë anonime. Shumë
prej autorëve që shkruan për Fishtën qysh prej erës së demokracisë e
këtej, shprehen të sigurt se ka ndodhur pikërisht ashtu si shkruante
më 1990, sipas Zef Pllumit, një anonim në sallën e klubit të rinisë
“Heronjtë e Vigut”: Me urdhër të Bilal Parrucës, atëkohë kryetar i
Komitetit Ekzekutiv si dhe kryetar i Frontit Demokratik të Shkodrës,
eshtrat e Fishtës janë hedhur në Drin.
Duket pra, se ky është kontakti i parë që jo vetëm Zef Pllumi ka
pasur me lajmin për zhvarrimin e Fishtës, sepse në një shkrim
tjetër, vetë Pllumi pyeste: “A u zbulue ndonjiherë vorri i vërtetë i
Fishtës dhe a u hodhën në lum eshtnat e tij? Nuk mund [të] them
kurrgja me siguri”. Këtë artikull të rifillimit të “Hyllit të
Dritës” Pllumi e sjell në vitin 2001 në “Françeskanët e mëdhaj” dhe
e rikonfirmon në 2006 në “Histori kurrë e tregueme”, por duke i
bashkngjitur një shkrim ku, n’mes tjerash thuhet: “Kje natë. Simbas
nji dishmitari okular, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad
e i hodhën në Drin.” E më pas “…zoti Ferdinand Topalli, i cili
dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e
Fishtës për me i hjedhë në Drin” (“Histori kurrë e tregueme”, 2006).

Ndryshe nga Pllumi që shkrimeve të veta u shton nga ndonjë element,
por pa e zbuluar të vërtetën, Konrrad Gjolaj, gjithashtu françeskan
dhe i burgosur, në veprën e tij të guximshme “Çinarët” (1996) i
përmend thuajse shkarazi “vorret e përdhunueme të Fishtës, Mjedës…”
ndërsa duke iu referuar vdekjes së Bernardin Shllakut, hedh dritë
mbi vendin e mundshëm të tretjes së eshtrave të Fishtës, kur thotë
se Shllaku ishte varrosë në Kishën Françeskane, por “me
‘revolucionin kultural’ edhe eshtnat e Tija u tretën buzë Drinazës,
në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtnat e vllazënve të tjerë t’asaj
Kishe”. Ipeshkvi Zef Simoni, në të shumëcituarin në botë
“Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni, nga 1944-1990” (botuar
një vit pas “Martirizimit të Kishës Katolike Shqiptare 1944–1990”,
Tiranë, 1993), e rreshton Fishtën në një listë emrash të
priftërinjve katolikë që iu tretën eshtrat, pa treguar asgjë
konkrete se si, ku, kur e kush i ka bërë këto krime. Ndërkaq, me një
akrobaci absurde Dhori Qiriazi arrin të mos e përmendë fare dhunimin
e eshtrave të Fishtës, në librin e tij “Krishtërimi në Shqipëri” që
ndoshta duhej të kishte kushtimisht shumë të vërteta për
persekutimin e klerit katolik, e posaçërisht të varreve të tyre, si
një ndër krimet më barbare të kryera nga komunizmi. As Kapllan
Resuli në “Fishta dhe të tjerë” (2001) nuk e përmend fare zhvarrimin
e Fishtës, pavarësisht synimit të librit të tij. Në vitin 1992,
ndërsa i jepte përgjigje akuzave që iu patën bërë për 50 vjet
Fishtës, studiuesi fisnik Injac Zamputi nuk ka dashur me sa duket,
të merret me çështjen e eshtrave. Megjithatë, brenda kapakëve të
librit të tij “Fishta. Koha, njeriu, vepra”, botuesi F. Ferra e merr
të mirëqenë dhunimin e varrit të Fishtës, kur shkruan “Veprën e
Fishtës nuk arritën ta zhdukin, si zhdukën eshtrat e tij”.
Natyrisht, libri me dy data “Gjergj Fishta. Jeta dhe vepra” i
autorit Vehbi Bala nuk mund të kishte diçka për zhvarrimin e
mistershëm të Fishtës, jo vetëm për shkak se në Fjalorin
Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985, ky autor kishte shkruar “tanë
të zezat”, por edhe se lënda e librit daton shkurt 1961, pra 6 vjet
përpara natës pa datë të dhunimit të varrit.
Një autor tjetër, M. Korça, në “Patër Gjergj Fishta… gjeniu pa varr”
edhe pse nuk jep asnjë burim, e nuk citon asnjë dëshmitar, siguron
se “ish …edhe një natë e errët shkurti kur u përdhunua varri. Një
palë eshtra flakeshin në Dri për ta asgjësuar. … Bilal Parrucën
caktuan që urdhërin ta jepte!” Në këtë frymë duket se janë hartuar
mjaft artikuj. F. Radovani në “Një monument nën dhè” është i sigurt
se “përveç françeskanëve të tjerë u dhunue vorri i Poetit Kombëtar
At Gjergj Fishta dhe … eshtnat… u tretën.” Edhe një ndër studiuesit
më seriozë të letërsisë shqipe, Anton N. Berisha në librin e tij
“Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë”, (Prishtinë 2003), nuk e ndjen
të nevojshme të citojë asnjë burim kur pohon: “Tërbimi i kuqalashëve
ndaj këtij krijuesi madhor [Fishtës] dhe veprës së tij mbërriti deri
në absurd: ia zhdukën varrin dhe eshtrat!”. Disa vjersha e skica të
tashme të realizmit demokratik gjithashtu e marrin të mirëqenë
dhunimin e varrit të Fishtës, veç me një të dëgjuar. Në fund të
vitit 1996, dy shkrime të njëpasnjëshme në RD për ceremoninë e
rivarrimit të Fishtës, veç gafave panumërta nuk ofrojnë asgjë nga e
vërteta; madje njëri prej tyre mund të konsiderohet i
papërgjegjshëm: mbasi i ka quajtur disa herë eshtrat “mbetje të
tretura të trupit të poetit”, A. Malja shkruan më 29 dhjetor se
kisha françeskane e Shkodrës u prish gjatë vitit 1967 dhe “Me këtë
rast humbën edhe eshtrat e At Gjergj Fishtës.” Vetëm një ditë më
parë, I.Seci, në të njëjtën gazetë kishte përmendur disa herë se
eshtrat e Fishtës ishin tretur nga barbarët komunistë, por pa dhënë
as më të voglin detaj se si ka ndodhur kjo. Aty shkruhet gjithashtu
se Fishta ka vdekur me 30 janar e jo dhjetor, se ka vdekur në vitin
1910 e jo 1940 etj.; gabime të mundshme teknike.
Por padyshim, maja më e lartë e asaj që mund të quhet manipulim me
çështjen, është një libër i sapobotuar me autor Pjetër Pepa. Rreth
15 nga 1600 faqet e dyvëllimshit “Tragjedia dhe lavdia e klerit
katolik në Shqipëri” (2007), i kushtohen kapitullit me titullin “20
mars 1967. Hidhen në Drin eshtrat e Poetit Kombëtar Padër Gjergj
Fishta”. Mbasi shpall qysh në titull lajmin, autori duket se
pendohet në rradhët në vijim, kur shkruan: “Për të qenë i saktë me
historinë, më duhet të them që nuk jam i sigurtë nëse, vërtet, në
këtë datë u hodhën në Drin eshtrat e Poetit Kombëtar!” Dhe më pas:
“U hodhën në Drin e gjithçka përfundoi me turp” (v.II, faqe 373).
Edhe pse nuk e vë në dyshim hedhjen e eshtrave në Drin, autori nuk e
gjykon të nevojshme të sqarojë lexuesit, por edhe historinë me të
cilën pretendon të jetë i saktë, se si ndodhi akti e cilët ishin
aktorët.

Nga ta kapësh
Ndoshta askush nuk dëshiron ta diskutojë vërtetësinë e (f)aktit të
tretjes së eshtrave të Gjergj Fishtës, por pas shfletimit të mijëra
faqeve libra e gazeta është e pamundur t’i rezistosh tundimit për të
bërë pyetjen tjetër: kur? Ka kaq pak informacion në qarkullim, dhe
koha për hapjen e arkivave të fshehta duket se nuk do të vijë
asnjëherë në Shqipëri, sa është thuajse e sigurt se ndoshta për
shkak të natyrës së çështjes, edhe kjo pyetje aq e thjeshtë e
joimplikuese “Kur?” mund të mos marrë kurrë përgjigje. Për aq kohë
sa të dyja datat e ofruara nuk mbështeten në dëshmi apo dokumente,
do të ishte e gabuar të besohej si kohë e kryerjes së atij riti
hienash qoftë nata e shkurtit, e pretenduar nga M.Korça, qoftë 20
marsi i përgënjeshtruar nga vetë P.Pepa.

Nominus svnt odiosa
Është mëkat që Konrrad Gjolaj, ky burrë i dehur prej të vërtetës nuk
ka shkruar asgjë për zhvarrimin e Fishtës, edhe pse të krijohet
përshtypja se pikërisht kjo lëndë përbënte kapitullin që sikur i
është hequr në çastin e fundit librit të tij “Çinarët”, së fundmi
ribotuar nga françeskanët “me lejen e të parit të fesë”. Megjithatë,
boshllëkun që krijojnë autorët e tjerë në veprat e tyre për Fishtën,
në lidhje me pyetjen e rradhës “Kush e dhunoi varrin”, mund ta
plotësojë rrëfimi i jashtëzakonshëm i fratit velipojak Gjolaj, alias
Tomë Marku. Një ndër kapitujt e këtij libri të panderuar me asnjë
“Pendë” prej MTKRS e madje jo fort të pëlqyer nëpër Shkodër e gjetkë
për të vërtetat therëse, është ai kushtuar mësuesit të tij, njërit
prej dy priftërinjve gjermanë të pushkatuar në Shkodër më 1946:
Alfons Trackit. Përpara këtij kapitulli, vjershat e këngët e
panumërta kushtuar mësueve janë të vogla, por le të kthehemi në
çështje. Faqe pas faqeje, duke paraqitur gjendjen e klerit katolik
qysh prej vitit 1945, At Gjolaj nuk heziton të japë një mori emrash
të atyre që ishin protagonistët e sulmit mbi besimin, sulm që nuk u
ndal me vdekjen. Viti 1967 nuk është dhe aq i largët, ndaj paraqitja
e emrave të mëposhtëm mund t’ia kthejë kujtesën atyre që dinë diçka
për këtë ngjarje të errët. Gjithmonë duke cituar At Konrrad Gjolajn
nga libri i tij “Çinarët” (1996), konstatojmë se: Misto Treska, Kolë
Jakova, Rasim Guri, Gjovalin Luka, Irakli Bozo, Tonin Jakova, Gjon
Bushati, Muhamet Oruçi, Ahmet Daja, Sadetin Mandija, Ismail
Barbullushi, Zija Dibra, Mark Ndoja, Arif Gjyli, Hajdar Delvina,
Dulaç Lekiqi, Elez Mesi, Qazim Kapisyzi, Zoj Themeli, Fadil
Kapisyzi, Hysni Ndoja, Dul Rrjolli, Lilo Zeneli, Zoj Shkurti, Nesti
Kopali, Gjon Prendushi, Çesk Shoshi, Hys Zaja, Pjetër Darragjati,
Mestan Janiku, Aranit Çela, Tonin Miloti, Spiro Pane, Gjon Jaku,
Rrahman Përllaku, Qamil Gavoçi, Gani Dizdari, Ahmet Çaku, Mahmut
Kaja, Shaban Arra, Gaspër Leci, Martin Margilaj, Gac Mazi, Nuri
Llazani, Stavro Frashëri, Çiril Pistoli, Sabri Hoti, Ethem
Barbullushi, Gjon Banushi, Hamit Beqja, Ramiz Alia, Ylvi Dibra,
Pjerin Kçira, Gjovalin Mazreku, Zef Bardhoku, Vehbi Çanga, Luigj
Shala, Hulusi Hako, Dilaver Sadikaj, Pjetër Hasi, Mark Uli, Sadik
Rama, Rustem Sykja, Nevzat Haznedari, Ndoc Deda, Vehibe Xhabija,
Xhixhi Mazi, Xhuhere Mushani, Satber Jubani, Minire Haxhi, Kasëm
Troshani, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Shyqyri Çoku, Asllan Lici,
Rakip Beqja, Jup Kastrati, Viron Koka, Bik Pepa, Kadrie Kopliku,
Marie Vasili, Mita Leka, Bose Marku, Marie Siliqi, Laje Haxhia,
Gjylafe Gjylbegu, Jovanka Perja, Violeta Stavri, Adlije Kazazi,Pal
Mëlyshi, Xhemal Selimi, Adlije Bushati, Ndreko Rino, Mehmet Shehu,
Shefqet Peçi, Faik Kapllani, Skënder Drini, Tano Banushi, Hasan
Smaja, Lin Çollaku, Nush Baba, Asim Halili, Zef Shohi, Faik
Minarolli, Ali Xhunga, Hilmi Seiti, Dhimitër Shkodrani, Jahe Tefiku,
Mustafa Qilimi, Hilmi Hebovija, Loro Beltoja, Xhemal Dini, Angjelin
Kumria, Fadil Ymeri, Ramiz Hafizi, Halit Isufi, Fadil Kraja, Jovan
Vojushi, Selahedin Cena, Luigj Frangaj, Mikel Prennushi, Musa Kraja,
Lin Simoni, Pjetër Hasi e Mark Tarri ishin njerëzit më aktivë të
kohës në krye të luftës kundër fesë dhe njerëzve të fesë. Ai përmend
edhe Ndoc Vasilin, xhakonin e ri, që më vonë, sipas tij do të bëhej
bashkëpunëtor i Sigurimit në futjen e armëve në Kishë, si dhe disa
priftërinj të tjerë, të cilët më vonë janë penduar e falur nga
eprorët e kishës. Sipas Gjolajt, detyrat dhe përfitimet e secilit
ishin të ndara: një pjesë ishin spiunë; një pjesë agjitatorë dhe
bërtitës në salla gjyqesh kundër klerit; një pjesë përvetësuan
veprat shkencore nga arkivat e kishave dhe u doktoruan, me studimet
e Justin Rrotës, psh.; një pjesë ishin të pabesë me miqtë; një pjesë
i kanë lyer duart me gjak duke torturuar për vdekje, duke gjymtuar
këmbë, duke ngulur gozhdë në kafka, apo duke ekzekutuar të
pafajshëm; një pjesë ndërmerrnin hetime, ngrinin akuza dhe
nënshkruanin mandate vdekjeje; një pjesë ishin ordinerë, hajdutë,
kriminelë, përdhunues; një pjesë…
Është e qartë se përderisa bëhet fjalë për periudhën nga vitet 1945
e në këtej, pjesa më e madhe e emrave të akuzuar prej Gjolajt kanë
vazhduar ta udhëheqin deri në fund luftën kundër fesë, pra edhe
mbylljen e kishave e të xhamijave. Ndryshe nga anonimi i dhjetorit
1990 që citon Zef Pllumi, Konrrad Gjolaj nuk përmend emrin e Bilal
Parrucës, një figurë aktive në jetën partiake, shoqërore, madje edhe
gazetareske në Shkodrën e atyre viteve, por shtimi i këtij emri nuk
përjashton mundësinë që dhunuesit e varrit të Fishtës të jenë disa
prej emrave të lartpërmendur. Edhe konfirmimi apo hedhja poshtë e
kësaj hipoteze të mbështetur në fakt, në një taban të qëndrueshëm, i
takon gjithashtu të ardhmes, meqenëse së tashmes, dëshmitarët kanë
vendosur t’ia mbyllin gojën.
Prej kohësh jo vetëm në “gazetën gojore të Shkodrës” qarkullon një
variant, sipas të cilit dy burra të së njëjtës familje, me të
njëjtin mbiemër kanë kryer zhvarrimin dhe hedhjen e eshtrave në
Drin. Por këto dy burra mbajnë mbiemrin e një prej anëtarëve të
kuvendit të Shqipërisë. Pushteti i politikës, jo vetëm në Shqipëri,
ka mbytur të vërteta dhe njerëz të mëdhenj, ndaj pyetjes se a janë
emrat e të akuzuarve nga kjo “gazetë” në listën e mësipërme, apo ato
emra ruhen jo vetëm prej politikës, por ndoshta edhe për arsye të
reputacionit të besimit, më saktë se askush tjetër mund t’i
përgjigjet dëshmitari i vetëm publik i zhvarrimit, F. Topalli, i
cili flet nëpërmjet shkrimit të dikujt tjetër, por pa treguar
asnjëherë se cili paska qenë ai status i tij kaq i fuqishëm, që i ka
mundësuar praninë që në momentin e dhunimit të varrit e deri në
hedhjen diku në Drin të eshtrave të Gjergj Fishtës, ndoshta në
njërën nga ditët e para të prillit të largët 1967.
Po në këtë qytet, një ish-punëtor kërkon shpërblim të majmë për të
treguar vendin, ku sipas tij janë fshehur eshtrat e Fishtës, që ai
pretendon se nuk janë hedhur në Drin. Se sa të drejtë ka në
pretendimin e vet ky njeri, ndoshta nuk ka për t’u mësuar asnjëherë,
jo vetëm se që prej 16 vjetësh ai nuk ka gjetur njeri t’ia blejë të
vërtetën e tij, por dhe se ky variant është hedhur në treg, kohë më
parë nga njerëz me kredibilitet të dyshimtë e me qëllime aspak të
qarta.

(vijon në numrin e ardhshëm)











Copyright 2007 Gazeta Shqiptare

1 comment:

Anonymous said...

Quhem Valdet Xhabija, dhe jam mbesa e vehibe Xhabise, lexova artikullin sa me siper, dhe mund te them me shume krenari, qe qyshja ime, nuk ka qene spiune, nuk ka ndihmuar Sigurimin, nuk ka qene tradhtare, dhe sidomos nuk i ka lyer duart me gjak.Jam krenare te kem pasur nje qyshe keshtu, dhe kjo me ben te mendoj se ndoshta gjith keto gjera i ka tridhuar feja katolike o musulmane, per te dalur e pafajshme per te gjith krimet qe vete kane bere.Zoti eshte nje, mund ti nderroni emtrat, po gjithmone Zot eshte.(me falni per gabimet ortografiche)