Wednesday, May 02, 2007

Shqipua u ngrit me kembe, junase ti tregonj vende


Ndina Kakome e madhe,
Ndina ju shenjtorë të gjithë
Shëndëlliu në një bigë,
Kakomeja në një grikë.





365 kambanat e Shasit


Nga Ardian Klosi
06-04-2007

Kishe e rrenuar ne Shas



Suaciumi përbëhej vetëm nga kisha... Nga një për
çdo ditë të vitit. 365 kisha në një sipërfaqe që
nuk është më e madhe se ajo e kurorës së Rozafës
ose të Drishtit.
Dëgjova para pak ditësh në lajmet kryesore se ka
dalë një libër për pellazgët, për epërsinë e
tyre ndaj helenëve dhe lidhjen e drejtpërdrejtë
të pellazgëve me ilirët dmth. shqiptarët. U
shtua edhe një libër, thashë me vete, për një
kulturë dhe një gjuhë të panjohur, e cila vjen,
nëpërmjet një gjuhe tjetër të panjohur sikurse
ilirishtja, te kombi ynë. U shtua edhe më
mjegulla dhe enigma mbi prejardhjen e
shqiptarëve dhe rrënjët tona në histori.
Mendime krejt të tjera më kishin mbërthyer para
pak kohësh në Suacium, apo Shas, apo Svaç, një
qytet-rrënojë pak kilometra përtej kufirit tonë
veriperëndimor, në territor të Malit të Zi.
Qytet mesjetar që mund të shihet e preket,
ndryshe nga e kaluara e lavdishme (dhe e
magjishme) pellazge-ilire.
Udhëtarët e shumtë që kalojnë nëpër Murriqan për
të shkuar në plazhet e Malit të Zi, do të kenë
vënë re më të majtë një tabelë që thotë Svac dhe
Sasko jezero; për çudi emri i vendit është
sllav, kurse liqeni anë tij mban emërtimin
shqip: Shas, liqeni i Shasit.
Rrënojat e qytetit të moçëm shtrihen mbi kurorën
e një kodre, nga larg thuajse të padallueshme,
po të mos ishin ende gjysmë në këmbë gërmadhat
perimetrale të një kishe. Para se të marrësh
shtegun për në majë të kodrës lexon mbi një
përmendore të re, me gërma të praruara shqipe,
pak a shumë se ky vendbanim dëshmon kulturën e
lashtë ilire dhe prejardhjen e popullit
shqiptar.
Ngjitja dhe endja nëpër gërmadhat e qytetit nuk
është aspak e lehtë. Kudo kanë mbirë shkurre e
bimë kacavjerrëse, në këtë vend nuk ka mbetur
gur mbi gur, përveç mureve që ende qëndrojnë nga
dy kisha dhe shtyllave anësore të njërës prej
portave të qytetit. Veç kësaj bije një shi i
imtë që i bën gurët e rrëzuar edhe më të
rrëshqitshëm edhe më të pasigurt seç duken në
rënien e tyre rastësore. Para meje çajnë rrugën
nëpër gjëmbaçë dhe shpatore dy historianë. I
pari, Oliver Jens Schmitt, diçka më i sigurt nga
i dyti, Dritan Egro, ngaqë ka qenë disa herë në
këtë vend enigmatik.
Prej mëse një shekulli, nga koha kur këto
rrënoja i vizitoi dhe i përshkroi konsulli i
Austro-Hungarisë në Shkodër Theodor Ippen
("Kisha dhe rrënoja kishash në Shqipëri„, botuar
në Vjenë më 1900), duket se asgjë nuk ka
ndryshuar. Shkruante Ippeni aso kohe: "Gërmadhat
janë në një gjendje aq të keqe saqë muret ende
të ruajtura përzihen me grumbujt e gurëve të
rrëzuar dhe shkëmbinjtë e kodrës, aq sa vizitori
e ka të pamundur të krijojë një përfytyrim të
ndërtimeve të këtij qyteti të vjetër ipeshkvnor„
Askush nuk mund ta thotë se kur është krijuar ky
qytet dhe kur është braktisur. Dihet vetëm që
rrënimi kishte filluar para se krahinat në të
dyja brigjet e Bunës të merreshin përfundimisht
nga turqit në shekullin 15. Si ipeshkvi Suaciumi
përmendet qysh në shekullin 11. Më 1244
shkatërrohet nga tartarët. Por e merr veten
sërish, nis e pret madje edhe monedhat e veta.
Ka qenë me sa duket deri në zenitin e
perandorisë së Stefan Dushanit (mesi i shekullit
14) qytet e treg i pasur krahinor. Rënia duhet
të ketë filluar me ngritjen e zotërve të pavarur
të Arbërisë, konkretisht në ato anë të
Balshajve. Sikurse e kanë vënë re K. Jirecek
("Skutari und sein Gebiet im Mittelalter„), M.
von Shufflay ("Staedte und Burgen Albaniens im
Mittelalter„) e së fundi O. J. Schmitt ("Arbëria
venedike„, shqip 2007, këtu sidomos kapitulli
"Hapësira jetike e qyteteve„, f. 95-161)
periudha e lulëzimit të qyteteve mesjetare
arbëre përkon me fuqizimin e mbretërisë, më pas
perandorisë serbe. Kjo për arsye se mbretërit e
carët përkatës u lanë qyteteve dalmate-arbëre
autonominë dhe kushtetutat e tyre në këmbim të
njohjes së sovranitetit mbretëror/perandorak.
Mbreti përfaqësohej në këto qytete, siç na e
dëshmojnë Statutet e Shkodrës nga një kont.
"Konti, si përfaqësues i sundimtarit të vendit,
shumë shpesh mbante gjysmën e një gjobe të vënë;
gjysma tjetër i shkonte komunës ose të
dëmtuarit. Përveçse si përfitues i këtyre
pagesave, konti thuajse nuk shfaqet gjetiu në
statutet. Ai kufizohej thjesht me përfaqësimin e
sundimit serb e sa për të tjerat duhej të
respektonte vetadministrimin e komunës„
(Schmitt, vep. cit. f. 118). Mungesa e dhunës në
shtrirjen e mbretërisë/perandorisë serbe në
trevat bregdetare të Dalmacisë e Arbërisë, pra
në këto vise të moçme të katolicizmit, ka një
sërë shpjegimesh. Më njërën anë ato zëvendësuan
Perandorinë e Bizantit të shpërbërë pas vitit
1204, duke mos ndryshuar marrëdhënien ndaj
qytetarive me autonomi e kushtetuta aq të
zhvilluara, siç ishin Raguza e Kotori, Budva,
Tivari e Ulqini, Shkodra e Drishti, për mos
përmendur më të voglat si Balezo, Suacium, Danja
e Sarda; më anë tjetër në ish-Dioklenë
latiniteti mbeti përherë komponente e brendshme,
e mbështetur shpesh edhe nga monarkët, sikurse
njihet sidomos prej mbretëreshës serbe me
prejardhje frënge Helena, së shoqes të Uroshit
I, e cila ngriti e blatoi kisha dhe manastire të
shumta, ndër to edhe kishën më të madhe e më të
famshme të këtyre anëve, atë të Shën Shirgjit
(në nderim të shenjtorëve Sergj e Bak) aty nga
fundi i shekullit 13.
Shpërbërja e shpejtë e Perandorisë serbe me
vdekjen e Stefan Dushanit (1356), çel periudhën
e fuqizimit të zotërve lokalë në trevat e
Arbërisë dhe të Zetës (Malit të sotëm të Zi).
Deri në vendosjen e Venedikut në këto anë dhe
ngadhnjimin përfundimtar të osmanëve kemi
struktura tejet të paqëndrueshme pushteti, ku më
e fuqishmja shfaqet në Arbëri të veriut e Zetë
dera e Balshajve. Për qytetet kjo nënkupton një
situatë krejt të re: mbreti serb, një pushtet i
largët që kënaqej me pagimin e detyrimeve të
caktuara dhe njohjen e sovranitetit simbolik
zëvendësohet me një zot që ndodhet fare pranë,
që kërkon ta mbajë oborrin dhe shpurat e tij
luftarake duke i mjelë me sa mundet qytetet e
pasura që ndodhen në territoret e sunduara prej
tij "Kështu Balshajt e ngritën tributin që duhej
të paguante Tivari në lartësi marramendëse dhe
pa vonuar kërkuan për vete të gjithë të ardhurat
e komunës... Në Durrës Topiajt kufizuan edhe
liritë e qytetarëve; për të siguruar pushtetin e
tyre ata tërhoqën brenda në qytet përkrahës të
vet, arbër etnikë në masë të madhe, e u dhanë
atyre tokat e pronat e qytetarëve, të cilët
nganjëherë u bënë edhe skllevër„ (Schmitt, vep.
cit., f. 200).
Pra për qytetet dhe komunat e Arbërisë duhet të
përfytyrojmë një qëndrueshmëri që shkon ndër
shekuj deri në mesjetën e vonë dhe përfundon me
rënien e perandorisë së fundit, asaj serbe.
Copëzimi nën zotërit territorialë, me një
periudhë stabiliteti relativ për qytetet që u
bënë venedike: Tivar, Ulqin, Shkodër, Drisht,
Lezhë e Durrës, i pasuar nga inkursionet dhe
invazioni osman, shënon orën e tyre të mbrame.
Schmitt vë re me të drejtë se sa më afër oborrit
të sunduesit, aq më i rrezikuar ishte nga
ngushtimet dhe grabitjet një qytet. Suaciumi
konkretisht ishte shumë pranë Ulqinit,
rezidencës së Balshajve. Dimë që një ipeshkv i
këtij qyteti arriti në vitin 1367 të kthente në
katolicizëm tre vëllezërit Balsha. Por kjo pa
dyshim që nuk ka qenë e mjaftë për të vendosur
një marrëdhënie ku do të respektohej autonomia e
qytetit të brishtë majë kodrinës. Aty nga fundi
i shekullit 14 plaçkitjet e qytetit nga ana e
Balshajve dhe e turqve pasojnë njëra-tjetrën.
Kur venedikasit arrijnë të mposhtin më të
fundmit e Balshajve, Gjergjin III në vitit
1420/21 Suaciumi kishte perënduar si qytet dhe
ishte shndërruar në një pronojë të thjeshtë.
Në një vështrim të parë qyteti të duket se ka
qenë i mirëfortifikuar e i mbrojtur nga pozita e
tij e ngritur. Por pastaj e kupton se ndryshe
nga Rozafa ose kështjella e Drishtit, pozicioni
nuk është aspak ai i një kalaje në vend të
thepisur që do mund t'i bënte ballë një rrethimi
të gjatë. Vetë kjo kodër është e butë dhe
ndodhja e saj pranë ujërave jetëdhënëse të Bunës
e liqenit dhe anë rrugës që lidhte pellgun
shkodran me bregdetin, aq sa ishin kushte të
mbara për një lulëzim paqësor, aq u bënë pas
vitit 1350 një fatalitet i pandreqshëm.
Megjithatë nuk është fati i rrënimit të një
qyteti, shembull që në trevat e Arbërisë mund të
takohet me dhjetëra herë, ai që e bën Suaciumin
vend kaq të veçantë e të çuditshëm. Sepse kjo
tokë fsheh nën cipën e saj të përmbysur sa herë
shumë më tepër qytete të vdekura sesa të gjalla,
shumë më tepër kulturë të qenë sesa kulturë të
tashme. Jo, ajo që e bën Suaciumin kaq të
veçantë dhe endjen time gur mbi gur, me dy
historianë në ballë, fantazmagorike, janë lloji
i ndërtimeve të këtushme. Suaciumi përbëhej
vetëm nga kisha... Nga një për çdo ditë të
vitit. 365 kisha në një sipërfaqe që nuk është
më e madhe se ajo e kurorës së Rozafës ose të
Drishtit.
Kjo e dhënë duket e sigurt. Na e thotë për herë
të parë një udhëtar venedikas, Giustiniani, i
cili shkruan më 1553 se "në këtë qytet të lashtë
ndodhen rrënojat e 360 kishave dhe kapelave„
(Ljubic, Com. et relationes 2, 231, cituar te
Shufflay "Die kirchlichen Zustaende im
vortuerkischen Albanien„, Illyrisch-Albanischen
Forschungen I, f. 264). Edhe popullsia aty pranë
rrënojat i ka quajtur për një kohë të gjatë
"Kishat„ (po aty). Ippeni në vitin 1900 na thotë
se "të gjitha muret që qëndrojnë ende në këmbë
kanë në njërën anë një apsidë që del përpara në
formë të rrumbullakosur„ ("Shqipëria e vjetër„,
f. 233, Tiranë 2002).
Përfytyroni një qytet të përbërë vetëm nga kisha
dhe kapela, rrugët e tij, personazhet që ndesh
në rrugë, të cilët janë vetëm priftërinj.
Përfytyroni një ditë të diel, një mesnatë
Pashkësh ose një mbrëmje Kërshëndellash dhe 365
kambana që rrahin në të njëjtën kohë. Ato duhet
të jenë dëgjuar deri poshtë në Bunë, në Shirgj e
në Shkodër. Po publiku vallë cili ka qenë? Kush
mbante vesh gjithë ato mesha? Një udhëtar i
shekullit 17 thoshte se Shasi ishte vendi i
grave të hijshme...
Diçka e veçantë duhet të ketë ndodhur në këtë
vend, një martirizim, një mrekulli a një vegim i
pashoq. Fuqia e besimit a energjia e mistikës,
quajeni si të doni, ka arritur ta mbushë çdo
pëllëmbë të kurorës së kodrës me nga një shtëpi
të Zotit. A ka pasur qytet të tillë vallë
tjetërkund në botë, së paku në botën e
krishterë?
Në yllësinë e qyteteve të Arbërisë veriore në
mesjetën qendrore dhe të vonë, Suaciumi mund të
ketë qenë përjashtim për "monokishësinë„ por jo
për vetë dendurinë e kishave. Një fjalë e njohur
gjatë kohës së sundimit venedik thoshte se
"midis Shkodrës dhe Drishtit shtëpitë e
Perëndisë janë kaq afër njëra-tjetrës sa një
mace mund të kërcente nga çatia në çati dhe të
mbërrinte në qytetin tjetër„ (te Cordignano,
"Antichi monasteri benedittini in Albania„
Civlità catolica 80/2, 1929, f. 18). Ndërsa në
një qytetth si Balezo në luginë të Rrjollit nga
25 kryefamiljarë të regjistruar më 1417, tetë
ishin priftërinj. Nga Drishti i vogël njihen
prej dokumentesh 8 kisha; në të vërtetë duhet të
kenë qenë shumë më tepër. Shuflai na thotë se
Arbëria në Mesjetë ishte e rrëmbushur me kisha e
me manastire. Ashtu sikurse Dalmacia e Greqia
edhe ajo bënte pjesë në trevat e moçme të
krishterimit, që shumë pak u tronditën nga
paganizmi sllav. Edhe pykat e ortodoksisë që u
futën më pas mes digës katolike – po t'i
përmbahemi sërish figuracionit të medievalistit
të shquar kroat – nuk morën në këto vise trajtat
e përplasjeve të dhunshme, për çudi madje
arritën edhe forma simbioze sikurse i gjejmë në
oborret e fisnikëve arbër nga Balsha te Topia,
nga Araniti te Skënderbeu.
Sidoqoftë këto përfundime janë pak, fare pak për
të rrokur atë që ka qenë jeta e këtyre vendeve
thellësisht të krishtera e tërësisht
europiane-mesdhetare deri në prak të pushtimit
osman. Në qoftë se arkeologjia shqiptare për
antikitetin ka arritjet e veta e na ka nxjerrë
deri-diku në dritë qytete të lashta, arkeologjia
mesjetare duket krejt në "këpucët e foshnjes„.
Mesjeta dhe krishtërimi kanë qenë tema të
padëshiruara në të vetmen epokë kur punoi
arkeologjia shqiptare, atë të socializmit. Kurse
historianët e mesjetës punojnë sot e gjithë
ditën në rastin më të mirë me arkiva dhe në
rastin më të rëndomtë, te ne, me punimet e të
tjerëve.
Kjo do të thotë që për Suaciumin nuk do të
mësojmë asgjë tjetër nga sa është botuar deri më
sot. Në dokumentat e shkruara për të nuk
përmendet as dhe një kishë... Ndërkohë që ai ka
pasur 365. Për secilën ditë të vitit. Gurë të
rrokullisur që nuk flasin dot.