Thursday, February 15, 2007

Analistet e Bythes


Une nuk kisha bere ndonjehere nga keto! Por dua te protestoj dhunimin e jetes private te Ed Rames. Sic thote selmaderadio.blogspot.com
EDHE UNE JAM NUDIST!!

Kete artikull e mora borxh nga Peshku pa Uje
Në fillim dolen fotot, e pastaj nuk vonuan anal-istët. E në modë tipike anal-itike, këta të fundit i zhbiruan fotot a thua se këto të ishin vepra arti apo libra voluminoze. I përtypën gjerë e gjatë kuptimet e shumëfishta të këtij fenomeni "të ri" të politikës shqiptare, e na sollën (bjerini daulleve), analizat e tyre madheshtore.

Ja c'thotë Fatos Lubonja, që mbahet si progresist, per fotot nudo te Ed Rames:

Unë, personalisht, nuk kam probleme të mëdha me lakuriqësinë. Mua më shqetëson më shumë ajo çka tha Pango, ekzibicionizmi që [Edi Rama] përmendi. Padyshim, këto foto tregojnë një sindromë ekzibicionizmi, pra është prirja për të tërhequr vëmendjen, ose për t’u dukur me çdo kusht. ... Arrin pika më ekstreme, kur njerëzit zhvishen lakuriq për të tërhequr vëmendjen. Por unë problemin e kam te Tirana, te qyteti. Pra, kur një njeri i tillë merr përsipër të drejtojë qytetin, mundet që prirja e ekzibicionizmit të më dëmtojë qytetin.

Ah, qenkan prirjet ekzibicioniste... po prit, se Lubonja nuk mjaftohet me kaq:

Për shembull, ngjyrat e pallateve, që unë i kam kundërshtuar, janë sindromë ekzibicioniste. Por edhe plani francez me tetë kullat me nga 25 kate, tërësisht të panevojshme me këtë popullsi që ka, është frymë ekzibicioniste dhe njëkohësisht, kjo prirje është dhe diktatoriale, kur për të tërhequr vëmendjen eliminon të gjithë të tjerët. Unë e kam parë shqetësues Ramën si politikan dhe mund ta konsideroja pozitiv si intelektual që provokon shoqërinë, të dyja bashkë nuk bëhen dot dhe ky është problemi në thelb, sipas meje.

Anal-iza e Lubonjës është e thellë, shumë e thellë. Tre fotot e Edit, megjithëse iu vodhën dhe iu paraqitën (apo ekzibicionuan) publikut nga një gazetë kundërshtare si shantazh gjatë një fushate elektorale, demonstrojnë tendencat e tij (Edit, pra) për të shitur mend e për t'u dukur, thotë Lubonja. Llogjikë hermetike. S'ka rendesi kush i nxorri fotot: vete fakti qe keto foto ekzistojne vertetojne ekzibicionizmin e Rames. Me tej, del se ekzibicionizmi është thelbi i personit të Edi Ramës: ndryshe, pse do t'i kishte lyer pallatet me aq shumë ngjyra? Opa, ja dhe tulla e dytë. Lakuriqësia e fotove shpalos të njëjtat cilësi që shpalosin bojërat e pallateve të Tiranës. (Lubonja mund të kishte shkuar dhe më tej e të pyeste: pse vallë është Edi Rama kaq anormalisht i gjatë? Hmmm... shenje ekzibicionizmi, doemos!)
Llogjika hermetike vazhdon: megallomania e Edit nuk është gjë tjetër vecse diktatorializëm, thote Lubonja. (Une nudo, ju me rroba = une diktator, ju proletar.) E si mund të mos jetë i prirur për diktator një njeri që këmbëngul të bëjë Punë? (kot nuk quhej tjetra Partia e Punës...). 8 kulla me 25 kate? Jo mor zotëri, vetem komunistet mund te kene plane te tilla. Mbikalim, nënkalim? Komplet totalitarizëm. U përmbush dhe tulla e trete.

E katerta: artisti-politikan nuk bën. Sepse artisti ka për qëllim të provokojë dhe politikani ka për qëllim të hedhë premtime boshe. Largqoftë që këto të përmbushen...largqoftë që politikani të provokojë shoqërinë me objekte dhe plane progresive...largqoftë që politikani të ketë ndonjëfarë talenti që ta dallojë nga të tjerët (artist? Kurrën e kurrës!). Simbioza artist-politikan është shkatërrimtare. Një milion herë më e dëmshme se filozofi mbret.
Kaq kishte progresisti.
Hapi rrugën populistit "par excellence", mjeshtrit te "common nonsense", Mero Baze. Ky i përzien teoritë më arkaike të moralit popullor në një mish-mash absurd. Disa fjali 'cilësore' vijojnë, sepse koherencën e argumentit Mero nuk e njeh:

1. Jeta private e kandidatit për kryeministër të Shqipërisë dhe e kandidatit për kryetar Bashkie të Tiranës duhet të njihet në çdo skutë, pasi ne do t’i besojmë atij fatin e fëmijëve tanë dhe edukimin e tyre...Më tej, jeta e tij, private duhet doemos të kalojë në një shoshë dhe, nëse ka ndonjë person, ndaj të cilit duhet të kryhen zyrtarisht hetime për jetën private, është pikërisht ky, pasi është një qenie shoqërisht e rrezikshme.

2. Unë kam në kasafortën time foto orgjish të tij [Edi Ramës], apo foto që vënë në dyshim integritetin e tij, njerëzor...

3. Ai ka pozuar nudo dhe shumë i gëzuar para kamerës dhe para syve të fëmijëve që ka rrotull. Ai ka ushtruar dhunë seksuale mbi ta. Kjo nuk është jetë private. Ky është perversitet publik dhe askush nuk mund t’i besojë më fjalët e tij për shkolla dhe edukim fëmijësh në këtë vend.

4. Ky është padyshim skandali më i madh në botë, pasi bota nuk ka asnjë rast që një politikan të vetëfotografohet me gëzim me organe seksuale zbuluar.

Me Meron nuk po e mbaj dot më distancën që të lejon sarkazma. Fjalitë e tij të mësipërme, e shumë të tjera në artikull, janë nga fjalët më anti-demokratike që kam lexuar ne shume kohe, mbase ndonjëherë. Mero qëndron aty ku përputhen fashizmi dhe komunizmi: tek ekstremet e të majtës dhe të djathtës që dëshirojnë t'a bëjnë shoqërine një unitet konformist totalitar. Në një paragraf të vetëm Mero i thotë jo jetës private të individit, kërkon që shteti t'a hetojë jetën e tij private dhe deklaron se posedon foto të orgjive të Ramës. Mero thotë hapur se është kundër lirisë së individit dhe se ky i fundit duhet të hetohet (doemos, nga Sigurimi)...me veprime thote se ka foto të orgjive, në stil klasik spiunesk. Jo vetem kaq, por deklaron se Rama eshte "qenie shoqerisht e rrezikshme". Si keshtu? Si cifutet apo si homoseksualet?
Totalitarizmin dhe mungesën e tolerancës demokratike Mero e fsheh pas një moralizmi arkaik: Rama ka pozuar nudo para fëmijëve, krimineli! Perversi! Ne duhet t'i heqim nga shoqëria shqiptare individë të tillë anormalë (po ashtu sic nazistët hoqën qafe cifutët, homoseksualët e evgjitët) -- bërtet me të madhe Mero, duke shpalosur dëshirat e tij per nje shtet fashist.

Mos more, paska dalë Ed Rama nudo në një plazh ku ka fëmijë...po ku e pe krimin more plaku Mero? Në cilin ligj të shtetit shqiptar ndalohet dalja nudo rrugëve, apo edhe më keq, në plazh? Në një vend ku filmat porno kanë vite që jepen në pikë të mëngjesit në kanale televizive, krimi na qenka dalja nudo në plazh. "Dhunim publik" thotë plaku, duke shpikur kështu një kategori të re krimesh...
Ah, po, meqë Edi e "nxorri në plazh", para kalamajave, ne nuk mund t'i besojmë më fjalëve të tij për edukimin e fëmijëve...kurrsesi. E ja ku doli dhe morali kryesor i trillimit të plakut: mos votoni për Ramën! Votoni per Olldashin, se e ka mbajtur rrushin brenda, dhe rrjedhimisht mund te na jape leksione per edukimin e femijeve.
Trillimi merr përmasa të tjera kur Mero na sjell në muhabet familjen: po pse, këtij perversit do ia besoni fatin e fëmijëve tuaj? Besojani Fyhrerit tim, se ai është njeri me biografi te paster, burrë me grua e kalamaj qe trupin e vet nuk ia imponon si dhune publikut. Dhune publike! Oh cfare koncepti...
E, sigurisht, Mero nuk harron te na kujtoje se fotot e vjedhura janë skandali më i madh në botë, jo për faktin se janë vjedhur (pse, krim është vjedhja?) as për faktin se cënojnë privatësinë e individit Rama (se e kemi vendosur Ne të Udhëheqjes që Rama nuk ka jetë private) por për faktin se politikani ka dalë nudo. Dhe asnjë politikan në botë, thotë plaku që e njeh botën si gishtat e duarve te veta, nuk ka pozuar nudo me gëzim. As edhe një. Hic fare. Skandale seksuale me politikane nuk ka bota e zhvilluar. A ke degjuar gje ti per ndonje President qe te beje seks oral me nje punonjese, ne zyre, tek Shtepia e Bardhe? JO. S'ke degjuar, se skandale te tilla NUK KA.
--------------------------------------------------

Nuk mundem më. S'mundem më të kundërshtoj barbarët e medias shqiptare, "analistët", që ose bëjnë propagandë totalitare ose fshehin mllefet e tyre personale pas fjalish të sofistikuara. Nuk dua të përzihem më me arkaizma të tilla, e njerëz gjoja intelektualë që flasin a thua se Naim Frashëri është akoma gjallë. Hipokrizia dhe injoranca kanë gjetur mjetin e shpalosjes: fushatën elektorale. Fatmirësisht, fjala e shkruar mbetet në arkiv, që nesër pasnesër, të mbajmë mend se cfarë mrekullish pjell media e "lirë" "demokratike" shqiptare.

No comments: