Tuesday, January 30, 2007

Albania Veneta - A different take on the "She dropped the ball" posting further down


Ky artikull u mor hua nga gazeta Shekulli e dates 30 Janar 2007, dhe ka lidhje me nje shkrim tjeter me poshte: "She dropped the ball!-Kush e ruan policin?". NJe mendje me thote qe shkruesi i ketij artikulli nuk eshte ne dijeni te kesaj lidhjeje midis Ambasadorkes Amerikane ne Tirane dhe Komplotit Venedikas! Qe!



Shekulli

Kulture Shqipëria në Bienalen e Venecias: Historia e një pune përsëmbrapshti


Nga Adrian Paci
30-01-2007


Ma në fund Bienalja e Venecias hyni në axhendën
e Ministrisë sonë të Kulturës, ups. . . të
Kulturës e të Turizmit, se kështu ia thonë.
Mbasi e kishte injorue për vite e vite me radhë
pjesëmarrjen shqiptare në evenimentin ma të
rëndësishëm artistik që zhvillohet çdo dy vjet
në qytetin e Venecias, Ministria jonë e Kulturës
dhe e Turizmit vendosi ma në fund me e marrë në
konsideratë këtë pjesëmarrje dhe ia hyni punës.
Veçse ia hyni përsëmbrapshti, duke prishë, e,
siç thotë poeti, "nuk kish sesi të ndodhte
ndryshe".
NDJESË
Unë e di fort mirë se sot opinioni ynë asht i
lodhun prej debateve e një debat për
pjesëmarrjen shqiptare në Bienalen e Venecias
nuk kishte me apasionue kërkënd.
Mandej nuk bahet fjalë për një debat kulturor,
për një debat që ka në qendër ide apo vizione,
pra për një debat gjithsesi të naltë. Jo, jo.
Këtu bahet fjalë për diçka të ultë e të pabukur,
nga ato që zyrat dhe konjukturat tona politike
dinë me servirë gjthmonë e që përgjithësisht
kalojnë në heshtje pikërisht sepse janë meskine
e jo tërheqëse.
I kërkoj të falun pra lexuesit të këtyne radhëve
për karakterin jo tërheqës të rrëfimit tem, por
nga ana tjetër jam i bindun se sa ma shumë me i
lanë në heshtje këto lloj mbrapështish, aq ma
shumë ato kanë me u zhvillue e me i ndejtë
kamëkryq jetës sonë kulturore.
PAK KRONIKË
Më 1997, për herë të parë një flamur i kuq me
shqiponjën e zezë sillej nëpër ambientet e
Bienales së Venecias. Ishte artisti Sislej Xhafa
që pa e thirrë kërkush, me një gjest tipik
provokativ por edhe lojcak, kishte vendosë me
mbathë rrobat e kombëtares shqiptare e me iu
paraqitë platesë së artit botnor në Venecia në
formën e një pavijoni klandestin.
Dy vjet ma vonë, pra në Bienalen e 1999-s, një
grup prej dhjetë artistësh shqiptarë në një
ekspozitë me titullin "Shqipëria Sot, Koha e
optimizmit ironik" të kurueme prej Edi Mukës,
merrnin pjesë në të parin pavijon shqiptar që i
bashkëngjitej ekspozitave të shumta përreth
Bienales së Venecias. Interesi dhe vëmendja ndaj
këtij pavijoni ishin të pazakonta për një
ekspozitë që gjithsesi zhvillohej jashtë dyerve
zyrtare të Bienales, duke shënue kështu suksesin
e parë të prezantimit të artit shqiptar në një
eveniment të këtij rangu.
Edicioni i 2001-shit do të sillte një tjetër
surprizë. Anri Sala merr çmimin e artistit të ri
ma të mirë të Bienales me videon "Uomoduomo".
Shqipnia nuk merrte pjesë zyrtarisht në Bienale.
Ministria e Kulturës as që e dinte që një
aktivitet i tillë po zhvillohej e aq ma pak se
një artist shqiptar merrte çmimin e Bienales e.
. . nuk kish sesi të ndodhte ndryshe.
Edhe në Bienalen e 2003-shit shteti shqiptar nuk
merr mundimin të përfaqësohet në Bienale.
Kuratorët e seksionit ndërkombëtar ftojnë
sërisht Anri Salën që merr pjesë këtë vit me
videon "Dammi i Colori".
Në Bienalen e vitit 2005 kena një tentativë të
një kuratori të ri, Andi Tepelena që bashkë me
kolegen e vet italiane Cecilia Tirelli i bien
dyerve të institucioneve shqiptare për të
mbështetë pjesëmarrjen në Bienalen e Venecias.
Ministria e Kulturës e ban veshin e shurdhër se.
. . s'kish sesi të ndodhte ndryshe. I vetmi që
mbështet me pak mjete e vullnet të mirë asht
drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz
Hado.
Kësaj radhe duket se pjesëmarrja shqiptare do të
ketë një petk zyrtar. Sislej Xhafa caktohet
tashma jo si klandestin por zyrtarisht
përfaqësuesi i Shqipnisë në Bienalen e Venecias.

Falë punës së palodhun të Cecilias dhe Andit, si
dhe mbështetësve dhe përkrahësve të Sislejt
vepra-pavijon instalohet pranë parkut të
Bienales. Përveç Sislej Xafës edhe autori i
këtyne radhëve ftohet nga kuratorja e Bienales
jo si përfaqësues i Shqipnisë, por në seksionin
ndërkombëtar duke prezantue aty dy vepra.
Deri këtu pra, Bienalja e Venecias, megjithëse e
injorueme prej Ministrisë sonë të Kulturës,
Rinisë, Sporteve e tash së fundi edhe Turizmit,
kishte pasë si protagonistë të vet kryesisht tre
artistë shqiptarë.
Anri Salën, Sislej Xhafën dhe autorin e këtyne
radhëve. Kësisoj na u duk interesant propozimi
që ish drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve
na bani që për edicionin e 2007-tës të ishim ne,
pra tre artistë që kishim marrë pjesë në
edicionet e maparshme, që të merrnim rolin e
kuratorit të pjesëmarrjes shqiptare. Sigurisht
asnjeni prej nesh nuk kishte kurrfarë interesi
as material e as si imazh që të merrte pozën e
kuratorit. Propozimi na u duk interesant për
faktin se shpesh në botën e artit ku
kompeticioni asht aq i madh, jo shumë shpesh
gjen raste që artistët bashkëpunojnë ndërmjet
vetes për me promovue një tjetër koleg. Në
rastin tonë bahej fjalë edhe për tre artistë që
jetonin jashtë Shqipërisë e që krejt jashtë
rrugëve zyrtare të shtetit shqiptar kishin
arritë me krijue profilin e tyne në skenën e
artit botnor.
PROJEKTI
Mbasi Galeria Kombëtare e Arteve na propozoi me
u marrë me organizimin e pavijonit shqiptar në
Bienalen e vitit 2007, bashkë me Anrin dhe
Sislejn biseduem se si do të ishte ma mirë me e
konceptue këtë pavijon. Shqipnia nuk ka një
ndërtesë të vetën ku mund të organizohej
ekspozita, siç e kanë shumë vende të tjera në
Venecia, prandaj do të duhej gjetja e një
hapësine që gjithsesi mbetej jashtë parkut
kryesor të pavijoneve të Bienales. Duke mendue
se Bienalja vetë asht një aktivitet shumë
kompleks ku ndërthuren prezantimet e vendeve të
ndryshme me ekspozitën ndërkombëtare të kurueme
prej drejtorit artistik të Bienales si dhe me
shumë aktivitete të tjera anësore, ramë dakord
se prezenca shqiptare do të ishte ma efikase
sikur të mbështetej në prezantimin e një autori
e jo në një ekspozitë kolektive. Mendimi i
përbashkët i të treve ishte se artisti shqiptar
që do të prezantohej në Bienalen e 2007-tës të
ishte Edi Hila. Megjithëse jo ma i ri në moshë
Edi Hila kishte mbërritë me e mbajtë të freskët
kërkimin e vet artistik. Mbas mënjanimit të
forcuem që regjimi i kishte imponue në vitet
'70, duke e konsiderue veprën e tij si pjesë të
devijimit borgjezo-revizionist në kulturë e
arte, Edi Hila ia kishte nisë punës me një
entuziazëm të pazakontë në vitet '90 duke i
ndejtë afër të gjitha zhvillimeve të reja në
artin shqiptar. Pa pas nevojë me e "tradhëtue"
mjetin e vet të preferuem, pikturën, Hila kishte
gjetë forcën me e rinovue atë në funksion të një
reflektimi të rafinuem e të një vëzhgimi të
vëmendshëm të realitetit shqiptar. Të tre ishim
entuziastë për punën e Hilës dhe ishim të bindun
se po të gjendej mënyra efikase e prezantimit të
tij në Venecia, pavijoni shqiptar nëpërmjet
punëve të tija do tërhiqte vëmendjen e duhun të
kritikës dhe publikut ndërkombëtar. Fakti që tre
artistë ma të rinj e që punonin kryesisht me
mediat e reja prezantonin një artist ma të
vjetër që punonte me mjetet e pikturës, rrëzonte
një tjetër klishe të botës së artit sipas të
cilit artistët e vjetër janë në konflikt me të
rinjtë dhe piktura nuk çmohet nga artistët që
aplikojnë mjete të tjera si video, fotografi apo
instalacione. Të bindun se projekti ishte i
vlefshëm filluem kontaktet me drejtuesit e
Bienales dhe dukej se edhe ata ishin entuziastë.

ZHGËNJIMI
Këtë entuziazëm u përpoqa t'ia transmetoja edhe
ministrit të ri të kulturës kur në Janar të
2006-shtës i shkrova një letër ku, mbasi e uroja
për detyrën e re, i paraqita projektin e nisun
me miratimin zyrtar të Galerisë Kombëtare të
Arteve. Përgjigjja ishte korteze, por e
shkurtër; duhej të kontaktonim drejtorin e ri.
Domosdo çdo qeveri tek ne do të ndërrojë
drejtorët. Mos qoftë e thanë që kur ndërron një
ministër, drejtori i institucionit që varet prej
ministrisë të vazhdojë punën dhe projektet e
nisuna ma parë. I shkrova kështu një letër
drejtorit të ri të Galerisë, zotit Nestor Jonuzi
dhe mora prej tij përkrahjen se Galeria do
vazhdonte të mbështeste projektin tonë. Të
bindun se tashma asgja nuk pengonte vazhdimin e
projektit, ishim përqendrue në kërkimin e
hapësinës dhe mënyrave ma të mira të promovimit
të pavijonit shqiptar si dhe mbanim të tre
kontakte me Edi Hilën duke ndjekë me kuriozitet
e vëmendje punën e tij. Mirëpo, si duket, gjanat
në Shqipni funksiononin me një tjetër logjikë.
Mbrapa krahëve punohej për ta prishë projektin
tonë duke ngarkue me organizimin e pavijonit
shqiptar tjetër kënd. Kështu që kur nga zyrat e
Bienales u nis letra për në ambasadën shqiptare
në Romë për të kërkue zyrtarisht atashimin e
Shqipnisë pranë Bienales së Venecias për vitin
2007, në dyert e Ambasadës sonë mbërritën tre
letra; e para ishte letra zyrtare e
protokollueme nëpërmjet së cilës Galeria e
Arteve ngarkonte Adrian Pacin, Anri Salën dhe
Sislej Xhafën që të merreshin me organizimin e
pavijonit shqiptar në 2007-tën, e dyta ishte
letra e drejtorit të ri të Galerisë, Nestor
Jonuzit që thoshte të njëjtën gja dhe e treta
ishte shkresa zyrtare e Ministrisë së Jashtme që
përcillte vendimin e Ministrisë së Kulturës dhe
Turizmit se personi që do merrej me organizimin
e kësaj pjesëmarrjeje ishte Rubens Shima,
nëndrejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Sigurisht që Ambasada do t'i bindej Ministrisë.
Të ndodhte ndryshe s'kish se si…
MBYLLJA
Sigurisht që një pjesëmarrje në Bienalen e
Venecias mund të organizohet në mënyra të
ndryshme. Unë uroj që gjithsesi kjo pjesëmarrje
të jetë sa ma dinjitoze, por praktika e ndjekun
prej Ministrisë sonë të Kulturës e Turizmit nuk
premton asgja të mirë.
Një projekt u prish pa asnjë lloj motivimi, pa
marrë as ma të voglin mundim me argumentue një
pozicion të ndryshëm, pa asnjë kritikë apo
oponencë serioze. Tre artistë shqiptarë që
punojnë sot në vende të ndryshme të botës u
morën për muaj me radhë me një aktivitet nga i
cili nuk do të përfitonin asgja, ata donin vetëm
për me kontribue në prezantimin e vendit të tyne
në mënyrë sa ma të mirë dhe në vend të
mbështetjes morën shkopinj në rrota deri në
shkatërrimin e projektit. Asgja e mirë nuk mund
t'i vijë kulturës nga prapaskena të tilla
meskine frute të politikave amatoreske. Mandej
kuptohet se sa boshe tingëllojne deklaratat e
udhëheqësve tanë për të ashtuquajtunin "thithje
të trurit". Një tentativë për me ofrue një
kontribut të sinqertë e të kualifikuem u
shkatërrue pikërisht nga institucioni që ma
shumë se kushdo duhet të ofrojë mirëkuptim ndaj
çdo lloj kontributi të tillë. Sigurisht që as
Anri Sala as Sislej Xhafa e as Adrian Paci nuk
mbeten pa punë se dikush në Ministrinë e
Kulturës apo e Turizmit u prishi një projekt.
Shpresoj që edhe Edi Hila do ketë të tjera
shanse për ta ekspozue veprën e vet nëpër botë.
Thjesht një histori e mërzitshme zhgënjyese iu
shtue listës së gjatë të historive të ngjashme
që Ministria jonë e Kulturës dhe Turizmit
prodhon pa pushim.
Kush janë Adrian Paci, Anri Sala dhe Sislej
Xhafa
Nuk është ky vendi për të bërë analizën
artistike të poetikave që përcjellin punimet e
tre artistëve, por mund të thuhet pa frikë se
ndër tridhjetëvjeçarët e brezit të tyre ata janë
sot ndër emrat më të spikatur të skenës
artistike ndërkombëtare. I bashkon vetëm fakti
që janë shqiptarë, pasi janë krejt të ndryshëm
përsa i përket mënyrës së konceptimit të gjestit
artistik dhe kanë patur rrugëtime të ndryshme
artistike duke krijuar tre profile interesantë
që kanë tërhequr vëmendjen e kritikës më të
lartë të botë së artit.
Në kurrikulimin e tre artistëve, vepra e të
cilëve është paraqitur herë pas here edhe në
faqet e "Botës shqiptare", janë emrat e galerive
më në zë të botës, nga Neë Yorku e deri në
Japoni duke përfshirë galeri si Deitch Project,
Marian Goodmann, Yvon Lambert, Hauser und Wirth,
Shugoarts. Kanë ekspozuar në muzeumet më të
rëndësishmë të artit në shumë vende të botës e
kanë marrë çmime nga më të lartët.
Anri Sala, pasi ka mbaruar Akademinë e Artit në
Tiranë është specializuar dhe ka jetuar në
Francë ndërsa tani jeton në Berlin. Sislej
Xhafa, nga Peja e Kosovës, ka studiuar në
Akademinë e Firences e së fundi ka zgjedhur New
Yorkun si qytet të vetin. Ndërsa autori i
shkrimit, Adrian Paci, shkodran, ka mbaruar
studimet nëInstitutin e Lartë të Arteve në
Tiranë për t'u vendosur më pas në Milano ku
jeton me familjen kur gjen kohën mes një
udhëtimi nga njëri cep i botës në tjetrin.
"Gjithçka kemi mbërritë e kena mbërritë falë
talentit dhe punës, e jo falë ndihmës së shtetit
apo institucioneve shqiptare." shkruan Paci. "Në
fakt askush nuk po u kërkonte institucioneve
shqiptare me na ndihmue. Aq ma pak tashti qe nuk
kena asnjë grimë nevoje për këtë ndihme. Çdo
shtet serioz duhej t'i ishte vetëm mirënjohës
për kontributin që ata japin si përhapës të
emnit të mirë për vendin dhe kombin e vet. Por
ky i yni, jovetëm qe nuk asht serioz, por nuk
din me qenë as i hareshëm..."
(red.)

1 comment:

Anonymous said...

Your blog keeps getting better and better! Your older articles are not as good as newer ones you have a lot more creativity and originality now keep it up!