Wednesday, May 02, 2007

Shqipua u ngrit me kembe, junase ti tregonj vende


Ndina Kakome e madhe,
Ndina ju shenjtorë të gjithë
Shëndëlliu në një bigë,
Kakomeja në një grikë.





365 kambanat e Shasit


Nga Ardian Klosi
06-04-2007

Kishe e rrenuar ne Shas



Suaciumi përbëhej vetëm nga kisha... Nga një për
çdo ditë të vitit. 365 kisha në një sipërfaqe që
nuk është më e madhe se ajo e kurorës së Rozafës
ose të Drishtit.
Dëgjova para pak ditësh në lajmet kryesore se ka
dalë një libër për pellazgët, për epërsinë e
tyre ndaj helenëve dhe lidhjen e drejtpërdrejtë
të pellazgëve me ilirët dmth. shqiptarët. U
shtua edhe një libër, thashë me vete, për një
kulturë dhe një gjuhë të panjohur, e cila vjen,
nëpërmjet një gjuhe tjetër të panjohur sikurse
ilirishtja, te kombi ynë. U shtua edhe më
mjegulla dhe enigma mbi prejardhjen e
shqiptarëve dhe rrënjët tona në histori.
Mendime krejt të tjera më kishin mbërthyer para
pak kohësh në Suacium, apo Shas, apo Svaç, një
qytet-rrënojë pak kilometra përtej kufirit tonë
veriperëndimor, në territor të Malit të Zi.
Qytet mesjetar që mund të shihet e preket,
ndryshe nga e kaluara e lavdishme (dhe e
magjishme) pellazge-ilire.
Udhëtarët e shumtë që kalojnë nëpër Murriqan për
të shkuar në plazhet e Malit të Zi, do të kenë
vënë re më të majtë një tabelë që thotë Svac dhe
Sasko jezero; për çudi emri i vendit është
sllav, kurse liqeni anë tij mban emërtimin
shqip: Shas, liqeni i Shasit.
Rrënojat e qytetit të moçëm shtrihen mbi kurorën
e një kodre, nga larg thuajse të padallueshme,
po të mos ishin ende gjysmë në këmbë gërmadhat
perimetrale të një kishe. Para se të marrësh
shtegun për në majë të kodrës lexon mbi një
përmendore të re, me gërma të praruara shqipe,
pak a shumë se ky vendbanim dëshmon kulturën e
lashtë ilire dhe prejardhjen e popullit
shqiptar.
Ngjitja dhe endja nëpër gërmadhat e qytetit nuk
është aspak e lehtë. Kudo kanë mbirë shkurre e
bimë kacavjerrëse, në këtë vend nuk ka mbetur
gur mbi gur, përveç mureve që ende qëndrojnë nga
dy kisha dhe shtyllave anësore të njërës prej
portave të qytetit. Veç kësaj bije një shi i
imtë që i bën gurët e rrëzuar edhe më të
rrëshqitshëm edhe më të pasigurt seç duken në
rënien e tyre rastësore. Para meje çajnë rrugën
nëpër gjëmbaçë dhe shpatore dy historianë. I
pari, Oliver Jens Schmitt, diçka më i sigurt nga
i dyti, Dritan Egro, ngaqë ka qenë disa herë në
këtë vend enigmatik.
Prej mëse një shekulli, nga koha kur këto
rrënoja i vizitoi dhe i përshkroi konsulli i
Austro-Hungarisë në Shkodër Theodor Ippen
("Kisha dhe rrënoja kishash në Shqipëri„, botuar
në Vjenë më 1900), duket se asgjë nuk ka
ndryshuar. Shkruante Ippeni aso kohe: "Gërmadhat
janë në një gjendje aq të keqe saqë muret ende
të ruajtura përzihen me grumbujt e gurëve të
rrëzuar dhe shkëmbinjtë e kodrës, aq sa vizitori
e ka të pamundur të krijojë një përfytyrim të
ndërtimeve të këtij qyteti të vjetër ipeshkvnor„
Askush nuk mund ta thotë se kur është krijuar ky
qytet dhe kur është braktisur. Dihet vetëm që
rrënimi kishte filluar para se krahinat në të
dyja brigjet e Bunës të merreshin përfundimisht
nga turqit në shekullin 15. Si ipeshkvi Suaciumi
përmendet qysh në shekullin 11. Më 1244
shkatërrohet nga tartarët. Por e merr veten
sërish, nis e pret madje edhe monedhat e veta.
Ka qenë me sa duket deri në zenitin e
perandorisë së Stefan Dushanit (mesi i shekullit
14) qytet e treg i pasur krahinor. Rënia duhet
të ketë filluar me ngritjen e zotërve të pavarur
të Arbërisë, konkretisht në ato anë të
Balshajve. Sikurse e kanë vënë re K. Jirecek
("Skutari und sein Gebiet im Mittelalter„), M.
von Shufflay ("Staedte und Burgen Albaniens im
Mittelalter„) e së fundi O. J. Schmitt ("Arbëria
venedike„, shqip 2007, këtu sidomos kapitulli
"Hapësira jetike e qyteteve„, f. 95-161)
periudha e lulëzimit të qyteteve mesjetare
arbëre përkon me fuqizimin e mbretërisë, më pas
perandorisë serbe. Kjo për arsye se mbretërit e
carët përkatës u lanë qyteteve dalmate-arbëre
autonominë dhe kushtetutat e tyre në këmbim të
njohjes së sovranitetit mbretëror/perandorak.
Mbreti përfaqësohej në këto qytete, siç na e
dëshmojnë Statutet e Shkodrës nga një kont.
"Konti, si përfaqësues i sundimtarit të vendit,
shumë shpesh mbante gjysmën e një gjobe të vënë;
gjysma tjetër i shkonte komunës ose të
dëmtuarit. Përveçse si përfitues i këtyre
pagesave, konti thuajse nuk shfaqet gjetiu në
statutet. Ai kufizohej thjesht me përfaqësimin e
sundimit serb e sa për të tjerat duhej të
respektonte vetadministrimin e komunës„
(Schmitt, vep. cit. f. 118). Mungesa e dhunës në
shtrirjen e mbretërisë/perandorisë serbe në
trevat bregdetare të Dalmacisë e Arbërisë, pra
në këto vise të moçme të katolicizmit, ka një
sërë shpjegimesh. Më njërën anë ato zëvendësuan
Perandorinë e Bizantit të shpërbërë pas vitit
1204, duke mos ndryshuar marrëdhënien ndaj
qytetarive me autonomi e kushtetuta aq të
zhvilluara, siç ishin Raguza e Kotori, Budva,
Tivari e Ulqini, Shkodra e Drishti, për mos
përmendur më të voglat si Balezo, Suacium, Danja
e Sarda; më anë tjetër në ish-Dioklenë
latiniteti mbeti përherë komponente e brendshme,
e mbështetur shpesh edhe nga monarkët, sikurse
njihet sidomos prej mbretëreshës serbe me
prejardhje frënge Helena, së shoqes të Uroshit
I, e cila ngriti e blatoi kisha dhe manastire të
shumta, ndër to edhe kishën më të madhe e më të
famshme të këtyre anëve, atë të Shën Shirgjit
(në nderim të shenjtorëve Sergj e Bak) aty nga
fundi i shekullit 13.
Shpërbërja e shpejtë e Perandorisë serbe me
vdekjen e Stefan Dushanit (1356), çel periudhën
e fuqizimit të zotërve lokalë në trevat e
Arbërisë dhe të Zetës (Malit të sotëm të Zi).
Deri në vendosjen e Venedikut në këto anë dhe
ngadhnjimin përfundimtar të osmanëve kemi
struktura tejet të paqëndrueshme pushteti, ku më
e fuqishmja shfaqet në Arbëri të veriut e Zetë
dera e Balshajve. Për qytetet kjo nënkupton një
situatë krejt të re: mbreti serb, një pushtet i
largët që kënaqej me pagimin e detyrimeve të
caktuara dhe njohjen e sovranitetit simbolik
zëvendësohet me një zot që ndodhet fare pranë,
që kërkon ta mbajë oborrin dhe shpurat e tij
luftarake duke i mjelë me sa mundet qytetet e
pasura që ndodhen në territoret e sunduara prej
tij "Kështu Balshajt e ngritën tributin që duhej
të paguante Tivari në lartësi marramendëse dhe
pa vonuar kërkuan për vete të gjithë të ardhurat
e komunës... Në Durrës Topiajt kufizuan edhe
liritë e qytetarëve; për të siguruar pushtetin e
tyre ata tërhoqën brenda në qytet përkrahës të
vet, arbër etnikë në masë të madhe, e u dhanë
atyre tokat e pronat e qytetarëve, të cilët
nganjëherë u bënë edhe skllevër„ (Schmitt, vep.
cit., f. 200).
Pra për qytetet dhe komunat e Arbërisë duhet të
përfytyrojmë një qëndrueshmëri që shkon ndër
shekuj deri në mesjetën e vonë dhe përfundon me
rënien e perandorisë së fundit, asaj serbe.
Copëzimi nën zotërit territorialë, me një
periudhë stabiliteti relativ për qytetet që u
bënë venedike: Tivar, Ulqin, Shkodër, Drisht,
Lezhë e Durrës, i pasuar nga inkursionet dhe
invazioni osman, shënon orën e tyre të mbrame.
Schmitt vë re me të drejtë se sa më afër oborrit
të sunduesit, aq më i rrezikuar ishte nga
ngushtimet dhe grabitjet një qytet. Suaciumi
konkretisht ishte shumë pranë Ulqinit,
rezidencës së Balshajve. Dimë që një ipeshkv i
këtij qyteti arriti në vitin 1367 të kthente në
katolicizëm tre vëllezërit Balsha. Por kjo pa
dyshim që nuk ka qenë e mjaftë për të vendosur
një marrëdhënie ku do të respektohej autonomia e
qytetit të brishtë majë kodrinës. Aty nga fundi
i shekullit 14 plaçkitjet e qytetit nga ana e
Balshajve dhe e turqve pasojnë njëra-tjetrën.
Kur venedikasit arrijnë të mposhtin më të
fundmit e Balshajve, Gjergjin III në vitit
1420/21 Suaciumi kishte perënduar si qytet dhe
ishte shndërruar në një pronojë të thjeshtë.
Në një vështrim të parë qyteti të duket se ka
qenë i mirëfortifikuar e i mbrojtur nga pozita e
tij e ngritur. Por pastaj e kupton se ndryshe
nga Rozafa ose kështjella e Drishtit, pozicioni
nuk është aspak ai i një kalaje në vend të
thepisur që do mund t'i bënte ballë një rrethimi
të gjatë. Vetë kjo kodër është e butë dhe
ndodhja e saj pranë ujërave jetëdhënëse të Bunës
e liqenit dhe anë rrugës që lidhte pellgun
shkodran me bregdetin, aq sa ishin kushte të
mbara për një lulëzim paqësor, aq u bënë pas
vitit 1350 një fatalitet i pandreqshëm.
Megjithatë nuk është fati i rrënimit të një
qyteti, shembull që në trevat e Arbërisë mund të
takohet me dhjetëra herë, ai që e bën Suaciumin
vend kaq të veçantë e të çuditshëm. Sepse kjo
tokë fsheh nën cipën e saj të përmbysur sa herë
shumë më tepër qytete të vdekura sesa të gjalla,
shumë më tepër kulturë të qenë sesa kulturë të
tashme. Jo, ajo që e bën Suaciumin kaq të
veçantë dhe endjen time gur mbi gur, me dy
historianë në ballë, fantazmagorike, janë lloji
i ndërtimeve të këtushme. Suaciumi përbëhej
vetëm nga kisha... Nga një për çdo ditë të
vitit. 365 kisha në një sipërfaqe që nuk është
më e madhe se ajo e kurorës së Rozafës ose të
Drishtit.
Kjo e dhënë duket e sigurt. Na e thotë për herë
të parë një udhëtar venedikas, Giustiniani, i
cili shkruan më 1553 se "në këtë qytet të lashtë
ndodhen rrënojat e 360 kishave dhe kapelave„
(Ljubic, Com. et relationes 2, 231, cituar te
Shufflay "Die kirchlichen Zustaende im
vortuerkischen Albanien„, Illyrisch-Albanischen
Forschungen I, f. 264). Edhe popullsia aty pranë
rrënojat i ka quajtur për një kohë të gjatë
"Kishat„ (po aty). Ippeni në vitin 1900 na thotë
se "të gjitha muret që qëndrojnë ende në këmbë
kanë në njërën anë një apsidë që del përpara në
formë të rrumbullakosur„ ("Shqipëria e vjetër„,
f. 233, Tiranë 2002).
Përfytyroni një qytet të përbërë vetëm nga kisha
dhe kapela, rrugët e tij, personazhet që ndesh
në rrugë, të cilët janë vetëm priftërinj.
Përfytyroni një ditë të diel, një mesnatë
Pashkësh ose një mbrëmje Kërshëndellash dhe 365
kambana që rrahin në të njëjtën kohë. Ato duhet
të jenë dëgjuar deri poshtë në Bunë, në Shirgj e
në Shkodër. Po publiku vallë cili ka qenë? Kush
mbante vesh gjithë ato mesha? Një udhëtar i
shekullit 17 thoshte se Shasi ishte vendi i
grave të hijshme...
Diçka e veçantë duhet të ketë ndodhur në këtë
vend, një martirizim, një mrekulli a një vegim i
pashoq. Fuqia e besimit a energjia e mistikës,
quajeni si të doni, ka arritur ta mbushë çdo
pëllëmbë të kurorës së kodrës me nga një shtëpi
të Zotit. A ka pasur qytet të tillë vallë
tjetërkund në botë, së paku në botën e
krishterë?
Në yllësinë e qyteteve të Arbërisë veriore në
mesjetën qendrore dhe të vonë, Suaciumi mund të
ketë qenë përjashtim për "monokishësinë„ por jo
për vetë dendurinë e kishave. Një fjalë e njohur
gjatë kohës së sundimit venedik thoshte se
"midis Shkodrës dhe Drishtit shtëpitë e
Perëndisë janë kaq afër njëra-tjetrës sa një
mace mund të kërcente nga çatia në çati dhe të
mbërrinte në qytetin tjetër„ (te Cordignano,
"Antichi monasteri benedittini in Albania„
Civlità catolica 80/2, 1929, f. 18). Ndërsa në
një qytetth si Balezo në luginë të Rrjollit nga
25 kryefamiljarë të regjistruar më 1417, tetë
ishin priftërinj. Nga Drishti i vogël njihen
prej dokumentesh 8 kisha; në të vërtetë duhet të
kenë qenë shumë më tepër. Shuflai na thotë se
Arbëria në Mesjetë ishte e rrëmbushur me kisha e
me manastire. Ashtu sikurse Dalmacia e Greqia
edhe ajo bënte pjesë në trevat e moçme të
krishterimit, që shumë pak u tronditën nga
paganizmi sllav. Edhe pykat e ortodoksisë që u
futën më pas mes digës katolike – po t'i
përmbahemi sërish figuracionit të medievalistit
të shquar kroat – nuk morën në këto vise trajtat
e përplasjeve të dhunshme, për çudi madje
arritën edhe forma simbioze sikurse i gjejmë në
oborret e fisnikëve arbër nga Balsha te Topia,
nga Araniti te Skënderbeu.
Sidoqoftë këto përfundime janë pak, fare pak për
të rrokur atë që ka qenë jeta e këtyre vendeve
thellësisht të krishtera e tërësisht
europiane-mesdhetare deri në prak të pushtimit
osman. Në qoftë se arkeologjia shqiptare për
antikitetin ka arritjet e veta e na ka nxjerrë
deri-diku në dritë qytete të lashta, arkeologjia
mesjetare duket krejt në "këpucët e foshnjes„.
Mesjeta dhe krishtërimi kanë qenë tema të
padëshiruara në të vetmen epokë kur punoi
arkeologjia shqiptare, atë të socializmit. Kurse
historianët e mesjetës punojnë sot e gjithë
ditën në rastin më të mirë me arkiva dhe në
rastin më të rëndomtë, te ne, me punimet e të
tjerëve.
Kjo do të thotë që për Suaciumin nuk do të
mësojmë asgjë tjetër nga sa është botuar deri më
sot. Në dokumentat e shkruara për të nuk
përmendet as dhe një kishë... Ndërkohë që ai ka
pasur 365. Për secilën ditë të vitit. Gurë të
rrokullisur që nuk flasin dot.

Wednesday, April 25, 2007

Absentia

Kur je i zene je i zene. Dhe sic thone nganjehere: If you are going to write at all write it all!
Bloglleku duket se po i vuan pasojat e kesaj adaxhoje

Thursday, February 15, 2007

Analistet e Bythes


Une nuk kisha bere ndonjehere nga keto! Por dua te protestoj dhunimin e jetes private te Ed Rames. Sic thote selmaderadio.blogspot.com
EDHE UNE JAM NUDIST!!

Kete artikull e mora borxh nga Peshku pa Uje
Në fillim dolen fotot, e pastaj nuk vonuan anal-istët. E në modë tipike anal-itike, këta të fundit i zhbiruan fotot a thua se këto të ishin vepra arti apo libra voluminoze. I përtypën gjerë e gjatë kuptimet e shumëfishta të këtij fenomeni "të ri" të politikës shqiptare, e na sollën (bjerini daulleve), analizat e tyre madheshtore.

Ja c'thotë Fatos Lubonja, që mbahet si progresist, per fotot nudo te Ed Rames:

Unë, personalisht, nuk kam probleme të mëdha me lakuriqësinë. Mua më shqetëson më shumë ajo çka tha Pango, ekzibicionizmi që [Edi Rama] përmendi. Padyshim, këto foto tregojnë një sindromë ekzibicionizmi, pra është prirja për të tërhequr vëmendjen, ose për t’u dukur me çdo kusht. ... Arrin pika më ekstreme, kur njerëzit zhvishen lakuriq për të tërhequr vëmendjen. Por unë problemin e kam te Tirana, te qyteti. Pra, kur një njeri i tillë merr përsipër të drejtojë qytetin, mundet që prirja e ekzibicionizmit të më dëmtojë qytetin.

Ah, qenkan prirjet ekzibicioniste... po prit, se Lubonja nuk mjaftohet me kaq:

Për shembull, ngjyrat e pallateve, që unë i kam kundërshtuar, janë sindromë ekzibicioniste. Por edhe plani francez me tetë kullat me nga 25 kate, tërësisht të panevojshme me këtë popullsi që ka, është frymë ekzibicioniste dhe njëkohësisht, kjo prirje është dhe diktatoriale, kur për të tërhequr vëmendjen eliminon të gjithë të tjerët. Unë e kam parë shqetësues Ramën si politikan dhe mund ta konsideroja pozitiv si intelektual që provokon shoqërinë, të dyja bashkë nuk bëhen dot dhe ky është problemi në thelb, sipas meje.

Anal-iza e Lubonjës është e thellë, shumë e thellë. Tre fotot e Edit, megjithëse iu vodhën dhe iu paraqitën (apo ekzibicionuan) publikut nga një gazetë kundërshtare si shantazh gjatë një fushate elektorale, demonstrojnë tendencat e tij (Edit, pra) për të shitur mend e për t'u dukur, thotë Lubonja. Llogjikë hermetike. S'ka rendesi kush i nxorri fotot: vete fakti qe keto foto ekzistojne vertetojne ekzibicionizmin e Rames. Me tej, del se ekzibicionizmi është thelbi i personit të Edi Ramës: ndryshe, pse do t'i kishte lyer pallatet me aq shumë ngjyra? Opa, ja dhe tulla e dytë. Lakuriqësia e fotove shpalos të njëjtat cilësi që shpalosin bojërat e pallateve të Tiranës. (Lubonja mund të kishte shkuar dhe më tej e të pyeste: pse vallë është Edi Rama kaq anormalisht i gjatë? Hmmm... shenje ekzibicionizmi, doemos!)
Llogjika hermetike vazhdon: megallomania e Edit nuk është gjë tjetër vecse diktatorializëm, thote Lubonja. (Une nudo, ju me rroba = une diktator, ju proletar.) E si mund të mos jetë i prirur për diktator një njeri që këmbëngul të bëjë Punë? (kot nuk quhej tjetra Partia e Punës...). 8 kulla me 25 kate? Jo mor zotëri, vetem komunistet mund te kene plane te tilla. Mbikalim, nënkalim? Komplet totalitarizëm. U përmbush dhe tulla e trete.

E katerta: artisti-politikan nuk bën. Sepse artisti ka për qëllim të provokojë dhe politikani ka për qëllim të hedhë premtime boshe. Largqoftë që këto të përmbushen...largqoftë që politikani të provokojë shoqërinë me objekte dhe plane progresive...largqoftë që politikani të ketë ndonjëfarë talenti që ta dallojë nga të tjerët (artist? Kurrën e kurrës!). Simbioza artist-politikan është shkatërrimtare. Një milion herë më e dëmshme se filozofi mbret.
Kaq kishte progresisti.
Hapi rrugën populistit "par excellence", mjeshtrit te "common nonsense", Mero Baze. Ky i përzien teoritë më arkaike të moralit popullor në një mish-mash absurd. Disa fjali 'cilësore' vijojnë, sepse koherencën e argumentit Mero nuk e njeh:

1. Jeta private e kandidatit për kryeministër të Shqipërisë dhe e kandidatit për kryetar Bashkie të Tiranës duhet të njihet në çdo skutë, pasi ne do t’i besojmë atij fatin e fëmijëve tanë dhe edukimin e tyre...Më tej, jeta e tij, private duhet doemos të kalojë në një shoshë dhe, nëse ka ndonjë person, ndaj të cilit duhet të kryhen zyrtarisht hetime për jetën private, është pikërisht ky, pasi është një qenie shoqërisht e rrezikshme.

2. Unë kam në kasafortën time foto orgjish të tij [Edi Ramës], apo foto që vënë në dyshim integritetin e tij, njerëzor...

3. Ai ka pozuar nudo dhe shumë i gëzuar para kamerës dhe para syve të fëmijëve që ka rrotull. Ai ka ushtruar dhunë seksuale mbi ta. Kjo nuk është jetë private. Ky është perversitet publik dhe askush nuk mund t’i besojë më fjalët e tij për shkolla dhe edukim fëmijësh në këtë vend.

4. Ky është padyshim skandali më i madh në botë, pasi bota nuk ka asnjë rast që një politikan të vetëfotografohet me gëzim me organe seksuale zbuluar.

Me Meron nuk po e mbaj dot më distancën që të lejon sarkazma. Fjalitë e tij të mësipërme, e shumë të tjera në artikull, janë nga fjalët më anti-demokratike që kam lexuar ne shume kohe, mbase ndonjëherë. Mero qëndron aty ku përputhen fashizmi dhe komunizmi: tek ekstremet e të majtës dhe të djathtës që dëshirojnë t'a bëjnë shoqërine një unitet konformist totalitar. Në një paragraf të vetëm Mero i thotë jo jetës private të individit, kërkon që shteti t'a hetojë jetën e tij private dhe deklaron se posedon foto të orgjive të Ramës. Mero thotë hapur se është kundër lirisë së individit dhe se ky i fundit duhet të hetohet (doemos, nga Sigurimi)...me veprime thote se ka foto të orgjive, në stil klasik spiunesk. Jo vetem kaq, por deklaron se Rama eshte "qenie shoqerisht e rrezikshme". Si keshtu? Si cifutet apo si homoseksualet?
Totalitarizmin dhe mungesën e tolerancës demokratike Mero e fsheh pas një moralizmi arkaik: Rama ka pozuar nudo para fëmijëve, krimineli! Perversi! Ne duhet t'i heqim nga shoqëria shqiptare individë të tillë anormalë (po ashtu sic nazistët hoqën qafe cifutët, homoseksualët e evgjitët) -- bërtet me të madhe Mero, duke shpalosur dëshirat e tij per nje shtet fashist.

Mos more, paska dalë Ed Rama nudo në një plazh ku ka fëmijë...po ku e pe krimin more plaku Mero? Në cilin ligj të shtetit shqiptar ndalohet dalja nudo rrugëve, apo edhe më keq, në plazh? Në një vend ku filmat porno kanë vite që jepen në pikë të mëngjesit në kanale televizive, krimi na qenka dalja nudo në plazh. "Dhunim publik" thotë plaku, duke shpikur kështu një kategori të re krimesh...
Ah, po, meqë Edi e "nxorri në plazh", para kalamajave, ne nuk mund t'i besojmë më fjalëve të tij për edukimin e fëmijëve...kurrsesi. E ja ku doli dhe morali kryesor i trillimit të plakut: mos votoni për Ramën! Votoni per Olldashin, se e ka mbajtur rrushin brenda, dhe rrjedhimisht mund te na jape leksione per edukimin e femijeve.
Trillimi merr përmasa të tjera kur Mero na sjell në muhabet familjen: po pse, këtij perversit do ia besoni fatin e fëmijëve tuaj? Besojani Fyhrerit tim, se ai është njeri me biografi te paster, burrë me grua e kalamaj qe trupin e vet nuk ia imponon si dhune publikut. Dhune publike! Oh cfare koncepti...
E, sigurisht, Mero nuk harron te na kujtoje se fotot e vjedhura janë skandali më i madh në botë, jo për faktin se janë vjedhur (pse, krim është vjedhja?) as për faktin se cënojnë privatësinë e individit Rama (se e kemi vendosur Ne të Udhëheqjes që Rama nuk ka jetë private) por për faktin se politikani ka dalë nudo. Dhe asnjë politikan në botë, thotë plaku që e njeh botën si gishtat e duarve te veta, nuk ka pozuar nudo me gëzim. As edhe një. Hic fare. Skandale seksuale me politikane nuk ka bota e zhvilluar. A ke degjuar gje ti per ndonje President qe te beje seks oral me nje punonjese, ne zyre, tek Shtepia e Bardhe? JO. S'ke degjuar, se skandale te tilla NUK KA.
--------------------------------------------------

Nuk mundem më. S'mundem më të kundërshtoj barbarët e medias shqiptare, "analistët", që ose bëjnë propagandë totalitare ose fshehin mllefet e tyre personale pas fjalish të sofistikuara. Nuk dua të përzihem më me arkaizma të tilla, e njerëz gjoja intelektualë që flasin a thua se Naim Frashëri është akoma gjallë. Hipokrizia dhe injoranca kanë gjetur mjetin e shpalosjes: fushatën elektorale. Fatmirësisht, fjala e shkruar mbetet në arkiv, që nesër pasnesër, të mbajmë mend se cfarë mrekullish pjell media e "lirë" "demokratike" shqiptare.

Tuesday, February 13, 2007

Albanologji. Vetem pa moral, shefo! Te lutem, pa moral!


Ardian Klosi: nje ze i rendesishem ne sferen shqiptare

Arbër dhe shqiptarë E hënë 29 janar 2007



Shekulli


Nga Ardian Klosi
28-01-2007


Çështja e emërtimit të shqiptarëve nga të huajt
dhe e vetemërtimit të tyre ndër shekuj, është
një nga problemet më tërheqëse dhe më të
diskutuara të historisë së kulturës dhe gjuhës
së Albanisë, Arbënisë, Shqipërisë. Edhe pse me
të janë marrë shumica e albanologëve historianë
dhe e albanologëve gjuhëtarë, nuk duket se
debati është i shterrur, qoftë për burimin e
fjalës Albania ose Arbanon qoftë për zhvillimin
e fjalëve emërtuese a vetemërtuese në rrjedhë të
kohërave.
E rihap diskutimin jo për të shtuar ndonjë
shpjegim të ri etimologjik, por më tepër për të
kujtuar disa të vërteta që janë vënë re pak në
të shkuarën, si dhe për të dhënë një propozim në
fund të shtjellimeve, i cili ndoshta ka vlerë
për botimet tona historike, qofshin origjinale
këto, qofshin përkthime.
Dihet përgjithësisht që trajtat Arbëni,
arbënisht ose arbëresh janë shumë më të moçme se
Shqipëri dhe shqip. Ndër autorët tanë të vjetër
kemi përmendje të „shqip" si emërtim të gjuhës
një herë te Buzuku, tri herë e ndeshim te
"Rituale Romanum" të Budit dhe vetëm një herë te
parathënia e Bogdanit, por pastaj thuajse
rregullisht në gjithë botimet e shekujve 16-17
arbënisht e arbëresh, ndërsa për vendin pa
përjashtim Arbëni e Arbëri.
Më parë kemi dokumentimin më të hershëm të
mbiemrit "shqiptar" si llagap nga qyteti i
Drishtit në vitin 1368.
Trajtat Arbëni, Arbëri, Alvanoi etj. janë
diskutuar me hollësi edhe nga Çabej (shih "Emri
nacional i shqiptarëve", te Studime gjuhësore V,
Prishtinë 1976 f. 62-67) dhe këtu nuk do të
përsërisim dije të njohura. Është përgjithësisht
e pranuar që fisi i parë "përgjegjës" për emrin
tonë nacional është fisi ilir i Albanoi-ve, me
qendër Albanopolisin, që përmend gjeografi i
lashtësisë Ptolemeu në shek. 2 të erës sonë dhe
që bërthama e Albanias ose Arbanonit ka qenë
diku në malësinë në juglindje të Krujës. Nuk
duket fort bindës mendimi i Çabejt që sheh si
trajtë primare rrënjën arb dhe jo atë alb,
megjithëse përmendja e parë nga Ptolemeu, por
edhe tradita bizantine, ose shpjegimi që bëjnë
disa etimologë tek lidhin alb me mal dhe Gustav
Meyeri që sheh te Labëri një metatezë të *Albëri
duken bindëse për një formë primare me alb.
Çabej do ta lidhë rrënjën arb/arv me latinishten
arvum dhe greqishten e vjetër arura të dyja arë,
tokë buke. Pra kemi edhe këtu në miniaturë
kundërvënien ndaj shpjegimeve që historinë e
popullit shqiptar e lidhnin kryesisht me malet
dhe blegtorinë.
***
Në veprën e vet madhore "Arbëria venedike", që
del së shpejti në shqip, historiani zviceran
Oliver Jens Schmitt përshkruan ndër të tjera se
si është shtrirë në mesjetë drejt jugut dhe
veriut, tërhequr e shtrirë përsëri emërtimi
Albania, Arbanon etj. Duke qenë që nuk
ekzistonte një shtet mesjetar Arbëri dhe një
kulturë e dallueshme e arvanoi ose albanesi, ai
sugjeron që është më saktë të përdoret termi
hapësira arbëre, ku jetonin qytetarë a fshatarë
që flisnin arbërisht ose i njihnin si arbër për
arsye të tjera që do t'i cekim më poshtë. "Prej
një bërthame të vogël në botën malore të
Shqipërisë së sotme të mesme emërtimi u shtri
prej shekullit 12 e më pas në të katra anët e
horizontit, duke arritur rreth vitit 1400 në
veri deri në Kotor e në jug deri në Lepanto
(Naupaktos), e pra duke përfshirë gjithë pjesën
bregdetare të Ballkanit jugperëndimor."
("Arbëria venedike", kapitulli I, në
përgatitje).
Pikënisja ishte principata e Arbanonit që
shfaqet në burimet bizantine, e shtrirë diku mes
Çermenikës dhe rrjedhës së sipërme të Drinit të
Zi. Më pas me zbritjen e sundimit anzhuin të
Napolit në këtë anë të Adriatikut, u quajt
„mbretëri e Arbërisë" principata me kryeqendër
Durrësin. Ndërkohë Albanum dhe Arbanum kishin
edhe përdorimin e vet kishtar, pasi shënonin
dioqezën me të njëjtin emër (episcopus
Albanensis).
E pra në mesjetën e vonë nis e shtrihet emërtimi
i Albanias si e dallueshme nga Sclavonia në veri
– trevat e sllavëve të jugut, para së gjithash e
mbretërive dhe despotateve serbe - dhe Romania
në jug, gjithë ç'ishte Bizanti ose trashëgimia e
tij. Në shekujt 14-15 ndodh zgjerimi gati i
vrullshëm i Albanias në jug duke përfshirë
gjithë atë që quhej Epir në lashtësi dhe i po
këtij emërtimi në veri me krijimin e Albania
veneta, pra Arbërisë venedike që fillon me
protektoratin venedik mbi Durrësin më 1392, e
pastaj me marrjen e Shkodrës, Lezhës, Drishtit,
Danjës, Ulqinit e Tivarit me qarqet e tyre.
Ndërsa shtrirja e emërtimit në jug përkon me
valët e emgrimit masiv të arbërve në Greqi dhe
me ngritjen e principatave të përkohshme arbëre
në Gjirokastër apo Artë, në veri nuk ndodh një
fenomen i ngjashëm, pasi aty arbërit etnikë
dokumentohen edhe në shekuj të mëparshëm, por,
siç e përmendëm, kemi shtrirje të emërtimit nga
administra venedike, e cila pas rënies së
Shkodrës (1479) dhe vendosjes së gjykatës së
apelit në Kotor vazhdonte ta quante Albania
veneta edhe këtë pjesë të Dalmacisë, deri në
perëndimin e Republikës më 1797. Schmitt e
krahason zbrapsjen e emërtimeve si Romania,
Sclavonia ose Zeta në të mirë të emërtimit
Albania me zhvendosjen prej Bizantit të
emërtimit Makedonia në lindje drejt Trakisë,
pasi që Maqedonia e mirëfilltë u zu nga sllavët
e jugut. Një fenomen i ngjashëm do të ndodhte më
pas me "Epirin", i cili, me shtrirjen e
ortodoksisë dhe helenizimin e arbërve dhe
vllehëve të kësaj treve, erdhi e u ringjall si
emërtim pas mesjetës, duke marrë konotacionet
nostalgjike të lashtësisë, megjithëse në
pikëpamje etnike deri në kohët moderne këtu
ishin viset më të përziera të asaj që më vonë u
bë Greqi veriore dhe Shqipëri jugore.
Duken mjaft të sakta vrojtimet e Schmittit edhe
lidhur me çka quhej arbër në mesjetë. Përveçse
se emërtonte "arbërit etnikë" të provincës, kjo
fjalë përdorej edhe për banorë qytetarë ose jo
në qarqet venedike. Njihet p.sh. nga Raguza në
vitin 1427 Bogdan Petroviç Albanensis de Budua:
nga emri qartas sllav, e megjithatë quhet arbër
- albanensis. Nga statutet e Shkodrës ose
Kotorit njohim dallimin midis qytetarëve më
njërën anë dhe Albanensis, Sclauus, vel Vulachus
më anë tjetër. Qytetari e ndjente veten të një
rangu më të lartë se këta arbër, sllavë ose
vllehë të provincës, bujq a blegtorë gjysmë
nomadë, që e kishin të vështirë ta fitonin
qytetarinë. Qytetarët e Durrësit ose të Shkodrës
barinjtë që vinin e kullotnin tufat e tyre në
lëndinat pranë qyteteve, i quanin "arbër" dhe i
shihnin si të huaj (Schmitt, po aty). Shkodranët
ose drishtianët, po t'i shohësh thjesht nga
emrat pra në pikëpamje etnike, janë ose romanë,
ose arbër ose sllavë; por në vetëdijen e tyre
ata janë në radhë të parë qytetarë e në ndarjen
tjetër të rëndësishme janë ose bon homines
(aristokratë) ose volgares. Nga këto pak
shtjellime kuptohet se në mesjetë ishte parësore
përkatësia
familjare-administrative-juridike-fetare dhe e
një rangu më të ulët ajo etnike-gjuhësore.
Në këtë kuptim janë naive dhe të historikisht të
cungëta shprehje si „shqiptarët në mesjetë
quheshin arbër dhe Shqipëria Arbëri", siç i gjen
rëndom në librat e historisë të shkollave tona.
Por vërtet, kur kanë filluar ta quajnë gjuhën e
tyre shqip arbërit etnikë dhe veten shqiptarë?
Pa dyshim që cezura apo thyerja e madhe erdhi me
pushtimin osman. Osmanët fshinë nga faqja e
dheut të gjitha emërtimet shtetërore a
princërore që lidheshin me Albania dhe Arbanon.
Ata zhdukën kujtimin e Regnum Albaniae të
anzhuinëve dhe Karl Topisë, të Arbanonit të
Skënderbeut (në emërtimin që i jep bajli i
Durrësit në vitin 1457: 'Vendi Albano me
kryeqendër Krujën po kërcënohet rëndë nga
osmanët'), Albania Araniti apo Arbanusin e
Gjergj Aranitit siç del në dokumenta latine të
fundit të shekullit 15. Masakrimi dhe deportimi
i popullatës, rrënimi dhe zhdukja e ngulimeve të
tëra, emigrimi masiv i qindra mijëra arbërve nga
gjithë trevat që u kishin bërë osmanëve
rezistencën më të gjatë që njihet në Gadishull,
solli atë që vendasit „e mbetur" në vetëdijen e
tyre të shkëputeshin prej çdo lidhjeje
konotative-emocionale me Arbëritë e vjetra, si
principata, mbretëri ose protektorate venedike.
Vetëm Venediku vazhdonte ta ruante me kryeneçësi
emërtimin Albania veneta për një Arbëri që ishte
më shumë virtuale sesa reale. Ndërsa jashtë
këtij vendi të mjeruar pjesëtarët e eksodit, më
pas të diasporave, i ruajtën gati me fanatizëm
emërtimet arbër e arbëresh. Këtu shqip e
shqiptar nuk njihej fare. Po kështu edhe në
folklor në vendin mëmë humbi thuajse krejt
emërtimi arbër, siç humbën edhe këngët për bëmat
e Skënderbeut dhe heronjve të tjerë bashkëkohas
– ndërkohë që në diasporat arbëreshe këto u
ruajtën mjaft mirë.
***
Megjithatë mendojmë se shqip duhet të jetë shumë
më e hershme nga sa dokumentohet. Kjo prej
faktit se folja shqiponj, shqiptonj vjen nga
latinishtja excipere që do të thotë "flas
qartë". Njerëzit që nuk kishin kulturë a gjë të
shkruar, në kontaktet e tyre me administratën,
gjyqet, kancelaritë e kishat latine, i
përfytyrojmë fare mirë tek këmbëngulin se flasin
qartë, se flasin shqip. Sepse edhe nuk ka kuptim
të merret në mesjetën e vonë një huazim kaq i
drejpërdrejtë nga latinishtja. Kështu që të dyja
emërtimet për gjuhën duhet të kenë ekzistuar
ndër shekuj paralelisht, megjithëse „shqip" më e
ngushtuar në zonat e përhapjes së vet (nuk e
kanë p.sh. diasporat e Greqisë e të Italisë së
jugut, me prejardhje kryesisht nga Toskëria,
Çamëria, Peloponezi) dhe në fillim me kuptimin e
qartësisë apo theksimit në të folur. Ndërsa me
humbjen e të gjitha gjurmëve të shtetit a të
shteteve që mbanin brenda emërtimin "Arbëri",
shenjë e vetme dalluese dhe e përbashkët e
banorëve që banonin një trevë të vijueshmeishte
gjuha dhe kjo gjuhë që nuk kishte më nga pas
kurrfarë shteti, mund të ishte tani vetëm „gjuha
shqip". Shumë më të vona janë pas kësaj
emërtimet "shqiptar" e "Shqipëri".
Pas këtyre shtjellimeve duket pak e çuditshme që
në gjithë historiografinë tonë edhe kur flitet
për arbërit e mesjetës, madje edhe kur flitet
për qytetarët e Durrësit, Shkodrës, Drishtit ose
Tivarit përdoret emërtimi "shqiptar", ose flitet
për "Shqipërinë venedike". Është e njëjta gjë
sikur principatën e anzhuinëve ose të Karl
Topisë apo edhe të Skënderbeut t'i quash
"Shqipëri". Prandaj në përkthimin që u
lartpërmend, kemi përdorur rregullisht "Arbëria
venedike", arbërit, gjuha arbërisht - edhe
trajtat gege arbën e arbënisht do të ishin
korrekte -, fisnikëria arbëre e kështu me radhë.
Është një zgjidhje që krijon lehtësi dhe u
përgjigjet shumë më mirë të vërtetave historike,
duke shmangur njëkohësisht paragjykimet etnike
dhe përjashtuar nacionalizmin që fle te barazimi
arbër = shqiptar.

Tuesday, January 30, 2007

Buken t'onë të përditshme epna né sot.


...E ndienai né fajet e mkatet t'ona, si i ndiejm na fajtorët t'onë. E mos na lên me ra në të keq: por largona prej gjith së keq. Ashtû kjoftë!

Kur ta thoni kete lutje drejtohuni me fytyre nga Meka!
Miresevini ne Zgjedhjet Lokale 2007!



Rrogozhine, demokristianet kandidojne myftiun
E Diele, 21 Janar 2007


Partia Demokristiane ben nje zgjedhje krejt te vecante,
duke preferuar kandidimin e nje udheheqesi mysliman per
postin e kryetarit te Bashkise se Rrogozhines. Tomor
Ballabani, myfti i Lezhes, do te garoje me 18 shkurt per
koalicionin qeveritar. Deklarata e myftiut: “Aplikimi i
paster i tre besimeve, jo me ngjyra politike apo
territoriale”. Kreret e PDK: “Jemi parti kombetare”

Partia Demokristiane ka bere nje zgjedhje krejt te
vecante, duke preferuar kandidimin e nje myftiu per
postin e kryetarit te Bashkise se Rrogozhines. Tomor
Ballabani, aktualisht numri nje i myslimaneve ne qarkun
e Lezhes, mesohet se do te garoje ne zgjedhjet e
ardhshme vendore te 18 shkurtit per bashkine e
Rrogozhines. Vendi i tij i origjines, qyteti i vogel i
Rrogozhines, do te jete sfida elektorale e myftiut te
Lezhes, i njohur per disa iniciativa te bashkepunimit
nderfetar. Megjithate e vecanta e ketij kandidimi
qendron ne faktin se kreu i myslimaneve do te rreshtohet
ne radhet e demokristianeve te udhehequr nga Nard Ndoka.
Ndonese jo nje parti me karakter fetar, demokristianet
mendohet se jane me te fuqishem ne zonat me popullsi
kryesisht kristiane te vendit. Ndersa zgjedhja e bere
per Bashkine e Rrogozhines pritet te sherbeje per ta
afruar kete force politike edhe me pjese dhe shtresa te
tjera te shoqerise.

Vete myftiu i Lezhes njihet per disa nisma interesante
te marredhenieve mes besimeve te ndryshme fetare. Ne
qytetin e Lezhes jane organizuar disa aktivitete, ku
profesore dhe akademike jane mbledhur me nismen e
Myftinise, ku dhe kane referuar mbi tema te ndryshme, qe
kane te bejne me besimin mysliman. Ne keto takime nuk
kane munguar drejtues te pushtetit vendor, intelektuale
dhe besimtare e perfaqesues te feve te ndryshme, te
cilet bashkejetojne ne kete qytet. Ne nje nga keto
takime, vete Ballabani, Myftiu i Qarkut te Lezhes, eshte
shprehur se “besimtaret bashkejetojne ne menyren me te
mrekullueshme dhe njekohesisht kane nje harmoni te plote
mes te tyre.”

Ne nje artikull te botuar ne “Korrieri” disa kohe me
pare, Ballabani eshte shprehur se “aplikimi i paster i
tre besimeve ne Shqiperi duhet kuptuar me mosdhenien
ngjyra besimit, qofshin ato politike apo territoriale
dhe mosperzierjen e tyre ne kulturat e vendeve me
shumice dominuese te asaj feje.” “Vlen te vleresohet
roli i ketyre besimeve ne integritetin dhe ceshtjen
kombetare. Kjo eshte vertetuar historikisht ne historine
e Shqiperise”, shkruan myftiu i Lezhes. Sipas tij, nje
nga arsyet e ekzistences se kesaj tolerance te papare
eshte dhe natyrshmeria e shqiptarit. “Ai (shqiptari) ne
shekull nuk ka treguar qendrueshmeri, pasi ne kushte te
caktuara historike kane perqafuar me te rene. Kjo gje
eshte vertetuar historikisht me besimin e perendive te
atyre nga pellazget, perqafimi i katolicizmit nga iliret
dhe perqafimi i fese islame masivisht gjate sundimit
osman”, vlereson myftiu.

Te pyetur nga “Korrieri”, drejtues te Partise
Demokristiane thane dje se PDK eshte nje force kombetare
dhe mbeshtet harmonine nderfetare. Nderkohe, per te
mundesuar kandidimin e tij ne zgjedhjet vendore te 18
shkurtit, Ballabani do te duhet te largohet nga drejtimi
i myftinise se Lezhes per t’u rikthyer ne qytetin e tij
te Rrogozhines.

Albania Veneta - A different take on the "She dropped the ball" posting further down


Ky artikull u mor hua nga gazeta Shekulli e dates 30 Janar 2007, dhe ka lidhje me nje shkrim tjeter me poshte: "She dropped the ball!-Kush e ruan policin?". NJe mendje me thote qe shkruesi i ketij artikulli nuk eshte ne dijeni te kesaj lidhjeje midis Ambasadorkes Amerikane ne Tirane dhe Komplotit Venedikas! Qe!



Shekulli

Kulture Shqipëria në Bienalen e Venecias: Historia e një pune përsëmbrapshti


Nga Adrian Paci
30-01-2007


Ma në fund Bienalja e Venecias hyni në axhendën
e Ministrisë sonë të Kulturës, ups. . . të
Kulturës e të Turizmit, se kështu ia thonë.
Mbasi e kishte injorue për vite e vite me radhë
pjesëmarrjen shqiptare në evenimentin ma të
rëndësishëm artistik që zhvillohet çdo dy vjet
në qytetin e Venecias, Ministria jonë e Kulturës
dhe e Turizmit vendosi ma në fund me e marrë në
konsideratë këtë pjesëmarrje dhe ia hyni punës.
Veçse ia hyni përsëmbrapshti, duke prishë, e,
siç thotë poeti, "nuk kish sesi të ndodhte
ndryshe".
NDJESË
Unë e di fort mirë se sot opinioni ynë asht i
lodhun prej debateve e një debat për
pjesëmarrjen shqiptare në Bienalen e Venecias
nuk kishte me apasionue kërkënd.
Mandej nuk bahet fjalë për një debat kulturor,
për një debat që ka në qendër ide apo vizione,
pra për një debat gjithsesi të naltë. Jo, jo.
Këtu bahet fjalë për diçka të ultë e të pabukur,
nga ato që zyrat dhe konjukturat tona politike
dinë me servirë gjthmonë e që përgjithësisht
kalojnë në heshtje pikërisht sepse janë meskine
e jo tërheqëse.
I kërkoj të falun pra lexuesit të këtyne radhëve
për karakterin jo tërheqës të rrëfimit tem, por
nga ana tjetër jam i bindun se sa ma shumë me i
lanë në heshtje këto lloj mbrapështish, aq ma
shumë ato kanë me u zhvillue e me i ndejtë
kamëkryq jetës sonë kulturore.
PAK KRONIKË
Më 1997, për herë të parë një flamur i kuq me
shqiponjën e zezë sillej nëpër ambientet e
Bienales së Venecias. Ishte artisti Sislej Xhafa
që pa e thirrë kërkush, me një gjest tipik
provokativ por edhe lojcak, kishte vendosë me
mbathë rrobat e kombëtares shqiptare e me iu
paraqitë platesë së artit botnor në Venecia në
formën e një pavijoni klandestin.
Dy vjet ma vonë, pra në Bienalen e 1999-s, një
grup prej dhjetë artistësh shqiptarë në një
ekspozitë me titullin "Shqipëria Sot, Koha e
optimizmit ironik" të kurueme prej Edi Mukës,
merrnin pjesë në të parin pavijon shqiptar që i
bashkëngjitej ekspozitave të shumta përreth
Bienales së Venecias. Interesi dhe vëmendja ndaj
këtij pavijoni ishin të pazakonta për një
ekspozitë që gjithsesi zhvillohej jashtë dyerve
zyrtare të Bienales, duke shënue kështu suksesin
e parë të prezantimit të artit shqiptar në një
eveniment të këtij rangu.
Edicioni i 2001-shit do të sillte një tjetër
surprizë. Anri Sala merr çmimin e artistit të ri
ma të mirë të Bienales me videon "Uomoduomo".
Shqipnia nuk merrte pjesë zyrtarisht në Bienale.
Ministria e Kulturës as që e dinte që një
aktivitet i tillë po zhvillohej e aq ma pak se
një artist shqiptar merrte çmimin e Bienales e.
. . nuk kish sesi të ndodhte ndryshe.
Edhe në Bienalen e 2003-shit shteti shqiptar nuk
merr mundimin të përfaqësohet në Bienale.
Kuratorët e seksionit ndërkombëtar ftojnë
sërisht Anri Salën që merr pjesë këtë vit me
videon "Dammi i Colori".
Në Bienalen e vitit 2005 kena një tentativë të
një kuratori të ri, Andi Tepelena që bashkë me
kolegen e vet italiane Cecilia Tirelli i bien
dyerve të institucioneve shqiptare për të
mbështetë pjesëmarrjen në Bienalen e Venecias.
Ministria e Kulturës e ban veshin e shurdhër se.
. . s'kish sesi të ndodhte ndryshe. I vetmi që
mbështet me pak mjete e vullnet të mirë asht
drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz
Hado.
Kësaj radhe duket se pjesëmarrja shqiptare do të
ketë një petk zyrtar. Sislej Xhafa caktohet
tashma jo si klandestin por zyrtarisht
përfaqësuesi i Shqipnisë në Bienalen e Venecias.

Falë punës së palodhun të Cecilias dhe Andit, si
dhe mbështetësve dhe përkrahësve të Sislejt
vepra-pavijon instalohet pranë parkut të
Bienales. Përveç Sislej Xafës edhe autori i
këtyne radhëve ftohet nga kuratorja e Bienales
jo si përfaqësues i Shqipnisë, por në seksionin
ndërkombëtar duke prezantue aty dy vepra.
Deri këtu pra, Bienalja e Venecias, megjithëse e
injorueme prej Ministrisë sonë të Kulturës,
Rinisë, Sporteve e tash së fundi edhe Turizmit,
kishte pasë si protagonistë të vet kryesisht tre
artistë shqiptarë.
Anri Salën, Sislej Xhafën dhe autorin e këtyne
radhëve. Kësisoj na u duk interesant propozimi
që ish drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve
na bani që për edicionin e 2007-tës të ishim ne,
pra tre artistë që kishim marrë pjesë në
edicionet e maparshme, që të merrnim rolin e
kuratorit të pjesëmarrjes shqiptare. Sigurisht
asnjeni prej nesh nuk kishte kurrfarë interesi
as material e as si imazh që të merrte pozën e
kuratorit. Propozimi na u duk interesant për
faktin se shpesh në botën e artit ku
kompeticioni asht aq i madh, jo shumë shpesh
gjen raste që artistët bashkëpunojnë ndërmjet
vetes për me promovue një tjetër koleg. Në
rastin tonë bahej fjalë edhe për tre artistë që
jetonin jashtë Shqipërisë e që krejt jashtë
rrugëve zyrtare të shtetit shqiptar kishin
arritë me krijue profilin e tyne në skenën e
artit botnor.
PROJEKTI
Mbasi Galeria Kombëtare e Arteve na propozoi me
u marrë me organizimin e pavijonit shqiptar në
Bienalen e vitit 2007, bashkë me Anrin dhe
Sislejn biseduem se si do të ishte ma mirë me e
konceptue këtë pavijon. Shqipnia nuk ka një
ndërtesë të vetën ku mund të organizohej
ekspozita, siç e kanë shumë vende të tjera në
Venecia, prandaj do të duhej gjetja e një
hapësine që gjithsesi mbetej jashtë parkut
kryesor të pavijoneve të Bienales. Duke mendue
se Bienalja vetë asht një aktivitet shumë
kompleks ku ndërthuren prezantimet e vendeve të
ndryshme me ekspozitën ndërkombëtare të kurueme
prej drejtorit artistik të Bienales si dhe me
shumë aktivitete të tjera anësore, ramë dakord
se prezenca shqiptare do të ishte ma efikase
sikur të mbështetej në prezantimin e një autori
e jo në një ekspozitë kolektive. Mendimi i
përbashkët i të treve ishte se artisti shqiptar
që do të prezantohej në Bienalen e 2007-tës të
ishte Edi Hila. Megjithëse jo ma i ri në moshë
Edi Hila kishte mbërritë me e mbajtë të freskët
kërkimin e vet artistik. Mbas mënjanimit të
forcuem që regjimi i kishte imponue në vitet
'70, duke e konsiderue veprën e tij si pjesë të
devijimit borgjezo-revizionist në kulturë e
arte, Edi Hila ia kishte nisë punës me një
entuziazëm të pazakontë në vitet '90 duke i
ndejtë afër të gjitha zhvillimeve të reja në
artin shqiptar. Pa pas nevojë me e "tradhëtue"
mjetin e vet të preferuem, pikturën, Hila kishte
gjetë forcën me e rinovue atë në funksion të një
reflektimi të rafinuem e të një vëzhgimi të
vëmendshëm të realitetit shqiptar. Të tre ishim
entuziastë për punën e Hilës dhe ishim të bindun
se po të gjendej mënyra efikase e prezantimit të
tij në Venecia, pavijoni shqiptar nëpërmjet
punëve të tija do tërhiqte vëmendjen e duhun të
kritikës dhe publikut ndërkombëtar. Fakti që tre
artistë ma të rinj e që punonin kryesisht me
mediat e reja prezantonin një artist ma të
vjetër që punonte me mjetet e pikturës, rrëzonte
një tjetër klishe të botës së artit sipas të
cilit artistët e vjetër janë në konflikt me të
rinjtë dhe piktura nuk çmohet nga artistët që
aplikojnë mjete të tjera si video, fotografi apo
instalacione. Të bindun se projekti ishte i
vlefshëm filluem kontaktet me drejtuesit e
Bienales dhe dukej se edhe ata ishin entuziastë.

ZHGËNJIMI
Këtë entuziazëm u përpoqa t'ia transmetoja edhe
ministrit të ri të kulturës kur në Janar të
2006-shtës i shkrova një letër ku, mbasi e uroja
për detyrën e re, i paraqita projektin e nisun
me miratimin zyrtar të Galerisë Kombëtare të
Arteve. Përgjigjja ishte korteze, por e
shkurtër; duhej të kontaktonim drejtorin e ri.
Domosdo çdo qeveri tek ne do të ndërrojë
drejtorët. Mos qoftë e thanë që kur ndërron një
ministër, drejtori i institucionit që varet prej
ministrisë të vazhdojë punën dhe projektet e
nisuna ma parë. I shkrova kështu një letër
drejtorit të ri të Galerisë, zotit Nestor Jonuzi
dhe mora prej tij përkrahjen se Galeria do
vazhdonte të mbështeste projektin tonë. Të
bindun se tashma asgja nuk pengonte vazhdimin e
projektit, ishim përqendrue në kërkimin e
hapësinës dhe mënyrave ma të mira të promovimit
të pavijonit shqiptar si dhe mbanim të tre
kontakte me Edi Hilën duke ndjekë me kuriozitet
e vëmendje punën e tij. Mirëpo, si duket, gjanat
në Shqipni funksiononin me një tjetër logjikë.
Mbrapa krahëve punohej për ta prishë projektin
tonë duke ngarkue me organizimin e pavijonit
shqiptar tjetër kënd. Kështu që kur nga zyrat e
Bienales u nis letra për në ambasadën shqiptare
në Romë për të kërkue zyrtarisht atashimin e
Shqipnisë pranë Bienales së Venecias për vitin
2007, në dyert e Ambasadës sonë mbërritën tre
letra; e para ishte letra zyrtare e
protokollueme nëpërmjet së cilës Galeria e
Arteve ngarkonte Adrian Pacin, Anri Salën dhe
Sislej Xhafën që të merreshin me organizimin e
pavijonit shqiptar në 2007-tën, e dyta ishte
letra e drejtorit të ri të Galerisë, Nestor
Jonuzit që thoshte të njëjtën gja dhe e treta
ishte shkresa zyrtare e Ministrisë së Jashtme që
përcillte vendimin e Ministrisë së Kulturës dhe
Turizmit se personi që do merrej me organizimin
e kësaj pjesëmarrjeje ishte Rubens Shima,
nëndrejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Sigurisht që Ambasada do t'i bindej Ministrisë.
Të ndodhte ndryshe s'kish se si…
MBYLLJA
Sigurisht që një pjesëmarrje në Bienalen e
Venecias mund të organizohet në mënyra të
ndryshme. Unë uroj që gjithsesi kjo pjesëmarrje
të jetë sa ma dinjitoze, por praktika e ndjekun
prej Ministrisë sonë të Kulturës e Turizmit nuk
premton asgja të mirë.
Një projekt u prish pa asnjë lloj motivimi, pa
marrë as ma të voglin mundim me argumentue një
pozicion të ndryshëm, pa asnjë kritikë apo
oponencë serioze. Tre artistë shqiptarë që
punojnë sot në vende të ndryshme të botës u
morën për muaj me radhë me një aktivitet nga i
cili nuk do të përfitonin asgja, ata donin vetëm
për me kontribue në prezantimin e vendit të tyne
në mënyrë sa ma të mirë dhe në vend të
mbështetjes morën shkopinj në rrota deri në
shkatërrimin e projektit. Asgja e mirë nuk mund
t'i vijë kulturës nga prapaskena të tilla
meskine frute të politikave amatoreske. Mandej
kuptohet se sa boshe tingëllojne deklaratat e
udhëheqësve tanë për të ashtuquajtunin "thithje
të trurit". Një tentativë për me ofrue një
kontribut të sinqertë e të kualifikuem u
shkatërrue pikërisht nga institucioni që ma
shumë se kushdo duhet të ofrojë mirëkuptim ndaj
çdo lloj kontributi të tillë. Sigurisht që as
Anri Sala as Sislej Xhafa e as Adrian Paci nuk
mbeten pa punë se dikush në Ministrinë e
Kulturës apo e Turizmit u prishi një projekt.
Shpresoj që edhe Edi Hila do ketë të tjera
shanse për ta ekspozue veprën e vet nëpër botë.
Thjesht një histori e mërzitshme zhgënjyese iu
shtue listës së gjatë të historive të ngjashme
që Ministria jonë e Kulturës dhe Turizmit
prodhon pa pushim.
Kush janë Adrian Paci, Anri Sala dhe Sislej
Xhafa
Nuk është ky vendi për të bërë analizën
artistike të poetikave që përcjellin punimet e
tre artistëve, por mund të thuhet pa frikë se
ndër tridhjetëvjeçarët e brezit të tyre ata janë
sot ndër emrat më të spikatur të skenës
artistike ndërkombëtare. I bashkon vetëm fakti
që janë shqiptarë, pasi janë krejt të ndryshëm
përsa i përket mënyrës së konceptimit të gjestit
artistik dhe kanë patur rrugëtime të ndryshme
artistike duke krijuar tre profile interesantë
që kanë tërhequr vëmendjen e kritikës më të
lartë të botë së artit.
Në kurrikulimin e tre artistëve, vepra e të
cilëve është paraqitur herë pas here edhe në
faqet e "Botës shqiptare", janë emrat e galerive
më në zë të botës, nga Neë Yorku e deri në
Japoni duke përfshirë galeri si Deitch Project,
Marian Goodmann, Yvon Lambert, Hauser und Wirth,
Shugoarts. Kanë ekspozuar në muzeumet më të
rëndësishmë të artit në shumë vende të botës e
kanë marrë çmime nga më të lartët.
Anri Sala, pasi ka mbaruar Akademinë e Artit në
Tiranë është specializuar dhe ka jetuar në
Francë ndërsa tani jeton në Berlin. Sislej
Xhafa, nga Peja e Kosovës, ka studiuar në
Akademinë e Firences e së fundi ka zgjedhur New
Yorkun si qytet të vetin. Ndërsa autori i
shkrimit, Adrian Paci, shkodran, ka mbaruar
studimet nëInstitutin e Lartë të Arteve në
Tiranë për t'u vendosur më pas në Milano ku
jeton me familjen kur gjen kohën mes një
udhëtimi nga njëri cep i botës në tjetrin.
"Gjithçka kemi mbërritë e kena mbërritë falë
talentit dhe punës, e jo falë ndihmës së shtetit
apo institucioneve shqiptare." shkruan Paci. "Në
fakt askush nuk po u kërkonte institucioneve
shqiptare me na ndihmue. Aq ma pak tashti qe nuk
kena asnjë grimë nevoje për këtë ndihme. Çdo
shtet serioz duhej t'i ishte vetëm mirënjohës
për kontributin që ata japin si përhapës të
emnit të mirë për vendin dhe kombin e vet. Por
ky i yni, jovetëm qe nuk asht serioz, por nuk
din me qenë as i hareshëm..."
(red.)

Friday, January 26, 2007

Po vjen po vjen!







Kosova sot filloi rrugen formale drejt Pavaresise! Une isha aq nervoz por ne fund (ne mengjes ketu) isha aq i gezuar, aq i gezuar! Tani, nuk i morem te gjitha c'deshem, por Pavaresia u pa sheshit qe ishte rezultati final qe kish' ne mendje si ky Antihisari edhe te tjeret. Sic thone: edhe Roma nuk u be ne nje dite.



I uroj te gjithe vellezerit e motrat e mija qe rrojne ne Kosove e i pershendes me kete vjershe qe e mora hua nga Fajtori.com. Naimi e shkroi kete vjershe per te kujtuar nje tjeter Ngjarje te Madhe per kombin tone-Shkollen e Pare Shqipe ne Korce me 7 Mars 1897






Korça
O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq' e mir'e kaq'e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!
Kjo është një dit'e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.
Ta lusimë këtë ditë,
Q'e bekoi zot'i vërtetë
Dh'e dërgoi me shumë dritë,
T'i mbes'emëri përjetë.
Sot e vumë gurr'e parë,
Sa'ësht'e bekuar kjo ditë!
Zot'i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!
Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh'e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.
Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht'e shtije,
Mbretëron fjal'e vërtetë,
Dhe të mirat gjith'i bije.
Zot'i math qoft'i lëvduar,
Q'e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo si ka buruar,
Pa e ndritur jetën.
Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!
Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!
Kjo ë'shtë mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gazthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.
S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Ne kët'emër nder'e kemi.
Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën' e vjyer.
Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!
Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.
O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.
Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë me perëndinë.
Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.
Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.
Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:
Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Tuesday, January 23, 2007

She dropped the ball!


Mire ne qe na ruan Polici, por Policin kush e ruan?




Tuesday, Jan 23, 2007

Posted on Sat, Jan. 20, 2007
BEHIND THE SCENES/ARTS & ENTERTAINMENT IN SOUTH FLORIDA
Miami's Albanian connection
ALEX QUESADA
'THE CREATION': The cast includes Jeff Koegh, standing, Valerie Stanford and Meshaun Labrone Arnold.
From South Beach to the Balkans, people in the contemporary art world have heard about Bonnie Clearwater, the executive director and chief curator of North Miami's Museum of Contemporary Art. Clearwater's latest fan is the vice director of Albania's National Gallery of Arts, Rubens Shima, who invited Clearwater to curate Albania's first ever pavilion in the Venice Biennale, an annual art fair that showcases works by artists from around the globe.
How did a museum director from North Miami end up curating a show that will represent a nation more than 5,500 miles away? It turns out that a MOCA docent, Amona Berman, is the mother of the American ambassador to Albania, Marcie Reis.
Reis recommended Clearwater to Shima, who also is commissioner for the Albanian pavilion at the Venice Biennale.
''I thought that this would be an amazing thing to do, to work with artists who for the last 16 years are just having the opportunity to experiment,'' Clearwater says, ``because under communism they were very much restricted to the social realism. Even their established masters are in a period of exploration right now, which is very exciting.''
Though the project is not related to her work at MOCA, Clearwater says she hopes the experience will allow her to develop relationships and a dialogue with Albania's contemporary art world, which would benefit the North Miami museum. ''It's good for me as a curator and art historian, being exposed to another type of art world, another mind-set, another approach,'' she says. ``There are a lot of artists I will be watching and staying in touch with and developing continuing relationships with.''-- DANIEL CHANG

Fajtor!

Disclaimer!!
Nje "Bloger" (theksi tek e-ja si ne: kamarier) qe blogon nen emrin bytycci me coi llaf e me tha se me paska cituar nje faqe interneti-South East Europe Times!
Pasi i coj "fal me shnet' Ushtrise Amerikane qe (besoj se) eshte i zoti i kesaj faqe "shumegjuheshe" por jo dhe "e shume-sakte", i bej te ditur gjithe dynjase kesaj ane dhe m'ate ane te Pellgut se une nuk i kam shtuar atij artikulli as edhe nje shkronje, me perjashtim te opinionit tim per gazeten botonjese! Gjithashtu, edhe titulli (me demek "cheeky") ish' imi! Une nuk kam asnje merite, pervec se, ne mes' te hajduterve ku ndoshta do levdohesha nga bash-hajduti per rrembim te nje artikulli qe e ka nxerre ne drite tjater kush!
Me sy perdhe i kerkoj ndjese Gazetes Java dhe artikull-shkronjesit!

Wednesday, January 17, 2007

Artikull? Ca artikulli?

Artikulli eshte marre nga gazeta Java (an acquired taste, if you ask me, but no matter) dhe ka te beje me ndertimin e nje kishe katolike ne Prishtine.

Katedralja ne Prishtinë: kujt i shërben Nga Ardian Ndreca, Rome Dec 21, 2006,
Të gjithë merren me çeshtjen e katedrales në Prishtinë, jo pse asht edhe aq e randësishme, por pse duket se qenka fort e bezdisshme. S’e kuptoj pse prish punë katedralja në Prishtinë, në nji kohë që shumë prej atyne që e “sulmojnë” e dinë mirë se, jo mungesa e saj, por kundërshtimi i ndërtimit të saj në Prishtinë e damton të ardhmen e Kosovës. Me kundërshtue ndërtimin e katedrales në Prishtinë domethanë me u vu në nji vijë me disa vende të lindjes së mesme ku s’mund të ndërtohen vepra kultesh alternative, e sigurisht asnji prej këtyne vendeve nuk asht model për t’u ndjekë sot për nji copë sado të vogël Europe siç asht edhe Kosova. Ajo çka më habiti pa masë ishte fakti se ndërtimi i katedrales katolike në Prishtinë në nji artikull të fundit të gazetarit Migjen Kelmendi krahasohej dhe barazohej me ndërtimin e kishës ortodokse në vitet e fundit të Millosheviqit. E njoh verve-n intelektuale të Migjenit, ashtu si edhe pasionin e tij për paradokset dhe për idetë me spec, por si mund të mendohet se akti politik i Millosheviqit për me ndërtue nji kishë ortodokse të ketë të njejtën vlerë me atë të ndërtimit të katedrales katolike! Katolikët në Kosovë janë në shtëpi të vet dhe jo në nji geto – i dashtun Migjen – prandaj nuk mund t’u caktohet territori dhe metrat katrorë ku me ndejt dhe ku me u lutë! Nji françeskan shqiptar, filologu i hollë At Viktor Volaj e kishte zakon me perifrazue nji shprehje të Terencit, e thonte: albanensis sum, albanensis nihil a me alienum puto! Pra: jam shqiptar e kurrgja që asht shqiptare nuk asht e huej për mue. Katolikët e Kosovës janë jo mâ pak shqiptarë sesa pjesa tjetër e popullsisë, janë në shtëpi të vet e duen çka u takon, ata s’janë të ardhun e s’janë të huej. A u harrue ndihma që Kisha katolike me organizmat e saja bamirëse i dhanë popullit të Kosovës në kohën e luftës dhe mbas saj: në Kosovë, në Shqipni, në Itali, Gjermani, Austri dhe në vende tjera europiane! A u harrue përkrahja politike dhe ushtarake që pati ky popull e fakti se vetëm falë kësaj përkrahje sot Kosova po shkon drejt pamvarsisë! Pse, sjellja e katolikëve në përgjithsi ndaj Kosovës asht e njejtë me atë të ish leader-it serb? Katedralja katolike nuk mund të duhet në Prishtinë njilloj si nji MacDonalds apo si nji dyqan i Zara-ës – siç e bjen Migjen Kelmendi, ashtu si asnji xhami apo teqe bektashinjsh s’mund të konsiderohet si nji ndërtesë e njejtë me nji dyqan ku blehen e shiten mallna! Besimi asht çeshtje ndërgjegjet dhe kurrkush nuk ka të drejtë me cënue dhe me gjykue ndërgjegjen e të tjerëve. Për me ndërtue nji kishë në Kosovë mjafton që kosovarët katolikë ta duen nji gja të tillë e kjo gja të respektojnë parametrat administrativë, lejet e ndërtimit, rregullat e sigurisë etj. Sa për debatin e miratimin qytetar të popullit të Kosovës, jam dakord, por tue qenë se populli në Kosovë ka zgjedhë përfaqsuesit e vet të denjë, të cilëve u ka besue nji mandat me pushtet dhe me limite të caktueme, atëherë u takon këtyne me e thanë edhe mâ qartë sesa e kanë thanë deri tashti fjalën e tyne për ndërtimin e katedrales në Prishtinë. Nuk ka referendume për çeshtje të këtilla që i përkasin respektit ndaj ndërgjegjes së tjetrit, asnji vend europian nuk ka ngrehë referendum për me lejue ndërtimin e xhamijave apo pagodave në Europë, por i ka pranue si shenjë tolerancë, mbasi numri sasijor i referenduesave jo gjithmonë përkon me cilësinë e parimeve demokratike siç asht toleranca fetare dhe bashkëjetesa paqsore. Por, siç shkruen Migjen Kelmendi te Java,: “Kush na garanton neve në Kosovë, se nesër, nëse ndërtohet katedrala pa debate qytetare, pa miratimin e shumicës muslimane, pa përpjekjen ma të vogël me ia spjegue qytetarëve të qytetit të Prishtinës arsyet pse duhet katedrala, dhe pa – referendum për ndërtimin e saj – se nji djal i ri musliman, 20 vjet ma vonë, në shembullin e godinës së katedrales nuk ka me e pa materializimin dhe arrogancën e përçmimit ndaj Islamit dhe besimtarëve muslimanë, prandaj i bindun si fidai don me e rivendosë nderin dhe namin e Islamit në këte qytet? Kush në të vërtetë e ban ate djal me u flijue? Islami apo Kadare me Ali Podrimën e me ata infantila shqiptarë që menduen se po i ndihmojnë europianizimit të Kosovës?” – në qoftë se asht kështu, atëherë ai djalë i ri me idena të stërvjetra, nuk ka me ba kurrgja tjetër veçse ka me vërtetue teoremat serbe. Asht verbni shpirtnore me pa te nji katedrale e krishtenë në nji qytet me shumicë myslimane përçmimin dhe arrogancën ndaj Islamit; pse un besoj se xhamijat në Europë nuk janë ndërtue si shenja sfidash por si vende të përshpirtshme ku besimtarët falen dhe i afrohen Zotit! A mund të ndërtohet e nesërmja e Kosovës tue e mbajtë veten peng prej atij 20 vjeçarit hipotetik dhe gjithë atyne që pranojnë me u lëviz prej dikujt si gur shahut, jo për me shkatrrue nji katedrale gurësh (e sa e sa janë shkatrrue deri më sot pa mujtë me trand aspak at’ besim që vijon tash 2000 e sa vjetë!) por me shkatrrue idenë e shqiptarizmës, idenë e tolerancë dhe të mirëkuptimit, idenë se nuk jemi tribu barbarësh por jemi popull që drejtohet me ligje dhe këto ligje shprehin qytetnimin tonë dhe të Europës së cilës i përkasim me rranjë. Mendoj se shumica myslimane e shqiptarëve e din fort mirë se nderi dhe nami i Islamit nuk mbrohet tue cënue kishat katolike, prandaj nuk besoj se në gjinin e besimtarëve tolerant ka me pasë vend për idena që janë të importueme prej jashtë. Më erdhi shumë keq kur lexova në nji intervistë të para disa ditëve të shkrimtarit të njohtun gjerman Hans Magnus Enzensberger, i cili kur e pyetnin se cili ishte gabimi mâ i madh gjatë gjithë jetës së tij, thonte se ishte fakti që ka mbështetë UÇK dhe rezistencën e saj (La Repubblica, 6 dhetor 2006, fq. 61). Me siguri kundërshtimet e ndërtimit të katedrales s’kanë të bajnë me faktin se për faj të ndokujt po humbim përkrahje dhe miq, por këto fjalë të shkrimtarit gjerman duhet me na ba me mendue gjatë. Nëmos tjetër katedralja në Prishtinë asht si nji «ambasadë» që e nderon kryeqendrën e atij vendi, nemos tjetër e nderon për kujtimin e të parëve, të cilët nuk besoj se mohohen as si kujtim historik e as si nji e vërtetë e së kaluemes së popullit shqiptar! Ka disa gjana që kanë nji vlerë që shkon përtej funksionit të tyne të mirëfilltë, kjo gja ndodh edhe me katedralen e Prishtinës, dhe ketë gja e kanë kuptue mâ së miri të gjithë Alitë, Ismailat, Bajramat e Mehmetat – që përmend Migjeni e që duen që ajo të ndërtohet: ata janë fytyra e vërtetë e islamit përparimtar dhe demokrat, tolerant dhe atdhedashës, të atij islami që i nevojitet si shembull mbarë Europës. Mos me pasë katedrale në Prishtinë nuk ndodhë asgja, me e kundërshtue ndërtimin e saj vetëm humbim, me e lejue ndërtimin e saj vetëm fitojmë, si popull – merret vesht.
© by Gazetajava.com