Tuesday, January 30, 2007

Buken t'onë të përditshme epna né sot.


...E ndienai né fajet e mkatet t'ona, si i ndiejm na fajtorët t'onë. E mos na lên me ra në të keq: por largona prej gjith së keq. Ashtû kjoftë!

Kur ta thoni kete lutje drejtohuni me fytyre nga Meka!
Miresevini ne Zgjedhjet Lokale 2007!



Rrogozhine, demokristianet kandidojne myftiun
E Diele, 21 Janar 2007


Partia Demokristiane ben nje zgjedhje krejt te vecante,
duke preferuar kandidimin e nje udheheqesi mysliman per
postin e kryetarit te Bashkise se Rrogozhines. Tomor
Ballabani, myfti i Lezhes, do te garoje me 18 shkurt per
koalicionin qeveritar. Deklarata e myftiut: “Aplikimi i
paster i tre besimeve, jo me ngjyra politike apo
territoriale”. Kreret e PDK: “Jemi parti kombetare”

Partia Demokristiane ka bere nje zgjedhje krejt te
vecante, duke preferuar kandidimin e nje myftiu per
postin e kryetarit te Bashkise se Rrogozhines. Tomor
Ballabani, aktualisht numri nje i myslimaneve ne qarkun
e Lezhes, mesohet se do te garoje ne zgjedhjet e
ardhshme vendore te 18 shkurtit per bashkine e
Rrogozhines. Vendi i tij i origjines, qyteti i vogel i
Rrogozhines, do te jete sfida elektorale e myftiut te
Lezhes, i njohur per disa iniciativa te bashkepunimit
nderfetar. Megjithate e vecanta e ketij kandidimi
qendron ne faktin se kreu i myslimaneve do te rreshtohet
ne radhet e demokristianeve te udhehequr nga Nard Ndoka.
Ndonese jo nje parti me karakter fetar, demokristianet
mendohet se jane me te fuqishem ne zonat me popullsi
kryesisht kristiane te vendit. Ndersa zgjedhja e bere
per Bashkine e Rrogozhines pritet te sherbeje per ta
afruar kete force politike edhe me pjese dhe shtresa te
tjera te shoqerise.

Vete myftiu i Lezhes njihet per disa nisma interesante
te marredhenieve mes besimeve te ndryshme fetare. Ne
qytetin e Lezhes jane organizuar disa aktivitete, ku
profesore dhe akademike jane mbledhur me nismen e
Myftinise, ku dhe kane referuar mbi tema te ndryshme, qe
kane te bejne me besimin mysliman. Ne keto takime nuk
kane munguar drejtues te pushtetit vendor, intelektuale
dhe besimtare e perfaqesues te feve te ndryshme, te
cilet bashkejetojne ne kete qytet. Ne nje nga keto
takime, vete Ballabani, Myftiu i Qarkut te Lezhes, eshte
shprehur se “besimtaret bashkejetojne ne menyren me te
mrekullueshme dhe njekohesisht kane nje harmoni te plote
mes te tyre.”

Ne nje artikull te botuar ne “Korrieri” disa kohe me
pare, Ballabani eshte shprehur se “aplikimi i paster i
tre besimeve ne Shqiperi duhet kuptuar me mosdhenien
ngjyra besimit, qofshin ato politike apo territoriale
dhe mosperzierjen e tyre ne kulturat e vendeve me
shumice dominuese te asaj feje.” “Vlen te vleresohet
roli i ketyre besimeve ne integritetin dhe ceshtjen
kombetare. Kjo eshte vertetuar historikisht ne historine
e Shqiperise”, shkruan myftiu i Lezhes. Sipas tij, nje
nga arsyet e ekzistences se kesaj tolerance te papare
eshte dhe natyrshmeria e shqiptarit. “Ai (shqiptari) ne
shekull nuk ka treguar qendrueshmeri, pasi ne kushte te
caktuara historike kane perqafuar me te rene. Kjo gje
eshte vertetuar historikisht me besimin e perendive te
atyre nga pellazget, perqafimi i katolicizmit nga iliret
dhe perqafimi i fese islame masivisht gjate sundimit
osman”, vlereson myftiu.

Te pyetur nga “Korrieri”, drejtues te Partise
Demokristiane thane dje se PDK eshte nje force kombetare
dhe mbeshtet harmonine nderfetare. Nderkohe, per te
mundesuar kandidimin e tij ne zgjedhjet vendore te 18
shkurtit, Ballabani do te duhet te largohet nga drejtimi
i myftinise se Lezhes per t’u rikthyer ne qytetin e tij
te Rrogozhines.

Albania Veneta - A different take on the "She dropped the ball" posting further down


Ky artikull u mor hua nga gazeta Shekulli e dates 30 Janar 2007, dhe ka lidhje me nje shkrim tjeter me poshte: "She dropped the ball!-Kush e ruan policin?". NJe mendje me thote qe shkruesi i ketij artikulli nuk eshte ne dijeni te kesaj lidhjeje midis Ambasadorkes Amerikane ne Tirane dhe Komplotit Venedikas! Qe!



Shekulli

Kulture Shqipëria në Bienalen e Venecias: Historia e një pune përsëmbrapshti


Nga Adrian Paci
30-01-2007


Ma në fund Bienalja e Venecias hyni në axhendën
e Ministrisë sonë të Kulturës, ups. . . të
Kulturës e të Turizmit, se kështu ia thonë.
Mbasi e kishte injorue për vite e vite me radhë
pjesëmarrjen shqiptare në evenimentin ma të
rëndësishëm artistik që zhvillohet çdo dy vjet
në qytetin e Venecias, Ministria jonë e Kulturës
dhe e Turizmit vendosi ma në fund me e marrë në
konsideratë këtë pjesëmarrje dhe ia hyni punës.
Veçse ia hyni përsëmbrapshti, duke prishë, e,
siç thotë poeti, "nuk kish sesi të ndodhte
ndryshe".
NDJESË
Unë e di fort mirë se sot opinioni ynë asht i
lodhun prej debateve e një debat për
pjesëmarrjen shqiptare në Bienalen e Venecias
nuk kishte me apasionue kërkënd.
Mandej nuk bahet fjalë për një debat kulturor,
për një debat që ka në qendër ide apo vizione,
pra për një debat gjithsesi të naltë. Jo, jo.
Këtu bahet fjalë për diçka të ultë e të pabukur,
nga ato që zyrat dhe konjukturat tona politike
dinë me servirë gjthmonë e që përgjithësisht
kalojnë në heshtje pikërisht sepse janë meskine
e jo tërheqëse.
I kërkoj të falun pra lexuesit të këtyne radhëve
për karakterin jo tërheqës të rrëfimit tem, por
nga ana tjetër jam i bindun se sa ma shumë me i
lanë në heshtje këto lloj mbrapështish, aq ma
shumë ato kanë me u zhvillue e me i ndejtë
kamëkryq jetës sonë kulturore.
PAK KRONIKË
Më 1997, për herë të parë një flamur i kuq me
shqiponjën e zezë sillej nëpër ambientet e
Bienales së Venecias. Ishte artisti Sislej Xhafa
që pa e thirrë kërkush, me një gjest tipik
provokativ por edhe lojcak, kishte vendosë me
mbathë rrobat e kombëtares shqiptare e me iu
paraqitë platesë së artit botnor në Venecia në
formën e një pavijoni klandestin.
Dy vjet ma vonë, pra në Bienalen e 1999-s, një
grup prej dhjetë artistësh shqiptarë në një
ekspozitë me titullin "Shqipëria Sot, Koha e
optimizmit ironik" të kurueme prej Edi Mukës,
merrnin pjesë në të parin pavijon shqiptar që i
bashkëngjitej ekspozitave të shumta përreth
Bienales së Venecias. Interesi dhe vëmendja ndaj
këtij pavijoni ishin të pazakonta për një
ekspozitë që gjithsesi zhvillohej jashtë dyerve
zyrtare të Bienales, duke shënue kështu suksesin
e parë të prezantimit të artit shqiptar në një
eveniment të këtij rangu.
Edicioni i 2001-shit do të sillte një tjetër
surprizë. Anri Sala merr çmimin e artistit të ri
ma të mirë të Bienales me videon "Uomoduomo".
Shqipnia nuk merrte pjesë zyrtarisht në Bienale.
Ministria e Kulturës as që e dinte që një
aktivitet i tillë po zhvillohej e aq ma pak se
një artist shqiptar merrte çmimin e Bienales e.
. . nuk kish sesi të ndodhte ndryshe.
Edhe në Bienalen e 2003-shit shteti shqiptar nuk
merr mundimin të përfaqësohet në Bienale.
Kuratorët e seksionit ndërkombëtar ftojnë
sërisht Anri Salën që merr pjesë këtë vit me
videon "Dammi i Colori".
Në Bienalen e vitit 2005 kena një tentativë të
një kuratori të ri, Andi Tepelena që bashkë me
kolegen e vet italiane Cecilia Tirelli i bien
dyerve të institucioneve shqiptare për të
mbështetë pjesëmarrjen në Bienalen e Venecias.
Ministria e Kulturës e ban veshin e shurdhër se.
. . s'kish sesi të ndodhte ndryshe. I vetmi që
mbështet me pak mjete e vullnet të mirë asht
drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz
Hado.
Kësaj radhe duket se pjesëmarrja shqiptare do të
ketë një petk zyrtar. Sislej Xhafa caktohet
tashma jo si klandestin por zyrtarisht
përfaqësuesi i Shqipnisë në Bienalen e Venecias.

Falë punës së palodhun të Cecilias dhe Andit, si
dhe mbështetësve dhe përkrahësve të Sislejt
vepra-pavijon instalohet pranë parkut të
Bienales. Përveç Sislej Xafës edhe autori i
këtyne radhëve ftohet nga kuratorja e Bienales
jo si përfaqësues i Shqipnisë, por në seksionin
ndërkombëtar duke prezantue aty dy vepra.
Deri këtu pra, Bienalja e Venecias, megjithëse e
injorueme prej Ministrisë sonë të Kulturës,
Rinisë, Sporteve e tash së fundi edhe Turizmit,
kishte pasë si protagonistë të vet kryesisht tre
artistë shqiptarë.
Anri Salën, Sislej Xhafën dhe autorin e këtyne
radhëve. Kësisoj na u duk interesant propozimi
që ish drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve
na bani që për edicionin e 2007-tës të ishim ne,
pra tre artistë që kishim marrë pjesë në
edicionet e maparshme, që të merrnim rolin e
kuratorit të pjesëmarrjes shqiptare. Sigurisht
asnjeni prej nesh nuk kishte kurrfarë interesi
as material e as si imazh që të merrte pozën e
kuratorit. Propozimi na u duk interesant për
faktin se shpesh në botën e artit ku
kompeticioni asht aq i madh, jo shumë shpesh
gjen raste që artistët bashkëpunojnë ndërmjet
vetes për me promovue një tjetër koleg. Në
rastin tonë bahej fjalë edhe për tre artistë që
jetonin jashtë Shqipërisë e që krejt jashtë
rrugëve zyrtare të shtetit shqiptar kishin
arritë me krijue profilin e tyne në skenën e
artit botnor.
PROJEKTI
Mbasi Galeria Kombëtare e Arteve na propozoi me
u marrë me organizimin e pavijonit shqiptar në
Bienalen e vitit 2007, bashkë me Anrin dhe
Sislejn biseduem se si do të ishte ma mirë me e
konceptue këtë pavijon. Shqipnia nuk ka një
ndërtesë të vetën ku mund të organizohej
ekspozita, siç e kanë shumë vende të tjera në
Venecia, prandaj do të duhej gjetja e një
hapësine që gjithsesi mbetej jashtë parkut
kryesor të pavijoneve të Bienales. Duke mendue
se Bienalja vetë asht një aktivitet shumë
kompleks ku ndërthuren prezantimet e vendeve të
ndryshme me ekspozitën ndërkombëtare të kurueme
prej drejtorit artistik të Bienales si dhe me
shumë aktivitete të tjera anësore, ramë dakord
se prezenca shqiptare do të ishte ma efikase
sikur të mbështetej në prezantimin e një autori
e jo në një ekspozitë kolektive. Mendimi i
përbashkët i të treve ishte se artisti shqiptar
që do të prezantohej në Bienalen e 2007-tës të
ishte Edi Hila. Megjithëse jo ma i ri në moshë
Edi Hila kishte mbërritë me e mbajtë të freskët
kërkimin e vet artistik. Mbas mënjanimit të
forcuem që regjimi i kishte imponue në vitet
'70, duke e konsiderue veprën e tij si pjesë të
devijimit borgjezo-revizionist në kulturë e
arte, Edi Hila ia kishte nisë punës me një
entuziazëm të pazakontë në vitet '90 duke i
ndejtë afër të gjitha zhvillimeve të reja në
artin shqiptar. Pa pas nevojë me e "tradhëtue"
mjetin e vet të preferuem, pikturën, Hila kishte
gjetë forcën me e rinovue atë në funksion të një
reflektimi të rafinuem e të një vëzhgimi të
vëmendshëm të realitetit shqiptar. Të tre ishim
entuziastë për punën e Hilës dhe ishim të bindun
se po të gjendej mënyra efikase e prezantimit të
tij në Venecia, pavijoni shqiptar nëpërmjet
punëve të tija do tërhiqte vëmendjen e duhun të
kritikës dhe publikut ndërkombëtar. Fakti që tre
artistë ma të rinj e që punonin kryesisht me
mediat e reja prezantonin një artist ma të
vjetër që punonte me mjetet e pikturës, rrëzonte
një tjetër klishe të botës së artit sipas të
cilit artistët e vjetër janë në konflikt me të
rinjtë dhe piktura nuk çmohet nga artistët që
aplikojnë mjete të tjera si video, fotografi apo
instalacione. Të bindun se projekti ishte i
vlefshëm filluem kontaktet me drejtuesit e
Bienales dhe dukej se edhe ata ishin entuziastë.

ZHGËNJIMI
Këtë entuziazëm u përpoqa t'ia transmetoja edhe
ministrit të ri të kulturës kur në Janar të
2006-shtës i shkrova një letër ku, mbasi e uroja
për detyrën e re, i paraqita projektin e nisun
me miratimin zyrtar të Galerisë Kombëtare të
Arteve. Përgjigjja ishte korteze, por e
shkurtër; duhej të kontaktonim drejtorin e ri.
Domosdo çdo qeveri tek ne do të ndërrojë
drejtorët. Mos qoftë e thanë që kur ndërron një
ministër, drejtori i institucionit që varet prej
ministrisë të vazhdojë punën dhe projektet e
nisuna ma parë. I shkrova kështu një letër
drejtorit të ri të Galerisë, zotit Nestor Jonuzi
dhe mora prej tij përkrahjen se Galeria do
vazhdonte të mbështeste projektin tonë. Të
bindun se tashma asgja nuk pengonte vazhdimin e
projektit, ishim përqendrue në kërkimin e
hapësinës dhe mënyrave ma të mira të promovimit
të pavijonit shqiptar si dhe mbanim të tre
kontakte me Edi Hilën duke ndjekë me kuriozitet
e vëmendje punën e tij. Mirëpo, si duket, gjanat
në Shqipni funksiononin me një tjetër logjikë.
Mbrapa krahëve punohej për ta prishë projektin
tonë duke ngarkue me organizimin e pavijonit
shqiptar tjetër kënd. Kështu që kur nga zyrat e
Bienales u nis letra për në ambasadën shqiptare
në Romë për të kërkue zyrtarisht atashimin e
Shqipnisë pranë Bienales së Venecias për vitin
2007, në dyert e Ambasadës sonë mbërritën tre
letra; e para ishte letra zyrtare e
protokollueme nëpërmjet së cilës Galeria e
Arteve ngarkonte Adrian Pacin, Anri Salën dhe
Sislej Xhafën që të merreshin me organizimin e
pavijonit shqiptar në 2007-tën, e dyta ishte
letra e drejtorit të ri të Galerisë, Nestor
Jonuzit që thoshte të njëjtën gja dhe e treta
ishte shkresa zyrtare e Ministrisë së Jashtme që
përcillte vendimin e Ministrisë së Kulturës dhe
Turizmit se personi që do merrej me organizimin
e kësaj pjesëmarrjeje ishte Rubens Shima,
nëndrejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Sigurisht që Ambasada do t'i bindej Ministrisë.
Të ndodhte ndryshe s'kish se si…
MBYLLJA
Sigurisht që një pjesëmarrje në Bienalen e
Venecias mund të organizohet në mënyra të
ndryshme. Unë uroj që gjithsesi kjo pjesëmarrje
të jetë sa ma dinjitoze, por praktika e ndjekun
prej Ministrisë sonë të Kulturës e Turizmit nuk
premton asgja të mirë.
Një projekt u prish pa asnjë lloj motivimi, pa
marrë as ma të voglin mundim me argumentue një
pozicion të ndryshëm, pa asnjë kritikë apo
oponencë serioze. Tre artistë shqiptarë që
punojnë sot në vende të ndryshme të botës u
morën për muaj me radhë me një aktivitet nga i
cili nuk do të përfitonin asgja, ata donin vetëm
për me kontribue në prezantimin e vendit të tyne
në mënyrë sa ma të mirë dhe në vend të
mbështetjes morën shkopinj në rrota deri në
shkatërrimin e projektit. Asgja e mirë nuk mund
t'i vijë kulturës nga prapaskena të tilla
meskine frute të politikave amatoreske. Mandej
kuptohet se sa boshe tingëllojne deklaratat e
udhëheqësve tanë për të ashtuquajtunin "thithje
të trurit". Një tentativë për me ofrue një
kontribut të sinqertë e të kualifikuem u
shkatërrue pikërisht nga institucioni që ma
shumë se kushdo duhet të ofrojë mirëkuptim ndaj
çdo lloj kontributi të tillë. Sigurisht që as
Anri Sala as Sislej Xhafa e as Adrian Paci nuk
mbeten pa punë se dikush në Ministrinë e
Kulturës apo e Turizmit u prishi një projekt.
Shpresoj që edhe Edi Hila do ketë të tjera
shanse për ta ekspozue veprën e vet nëpër botë.
Thjesht një histori e mërzitshme zhgënjyese iu
shtue listës së gjatë të historive të ngjashme
që Ministria jonë e Kulturës dhe Turizmit
prodhon pa pushim.
Kush janë Adrian Paci, Anri Sala dhe Sislej
Xhafa
Nuk është ky vendi për të bërë analizën
artistike të poetikave që përcjellin punimet e
tre artistëve, por mund të thuhet pa frikë se
ndër tridhjetëvjeçarët e brezit të tyre ata janë
sot ndër emrat më të spikatur të skenës
artistike ndërkombëtare. I bashkon vetëm fakti
që janë shqiptarë, pasi janë krejt të ndryshëm
përsa i përket mënyrës së konceptimit të gjestit
artistik dhe kanë patur rrugëtime të ndryshme
artistike duke krijuar tre profile interesantë
që kanë tërhequr vëmendjen e kritikës më të
lartë të botë së artit.
Në kurrikulimin e tre artistëve, vepra e të
cilëve është paraqitur herë pas here edhe në
faqet e "Botës shqiptare", janë emrat e galerive
më në zë të botës, nga Neë Yorku e deri në
Japoni duke përfshirë galeri si Deitch Project,
Marian Goodmann, Yvon Lambert, Hauser und Wirth,
Shugoarts. Kanë ekspozuar në muzeumet më të
rëndësishmë të artit në shumë vende të botës e
kanë marrë çmime nga më të lartët.
Anri Sala, pasi ka mbaruar Akademinë e Artit në
Tiranë është specializuar dhe ka jetuar në
Francë ndërsa tani jeton në Berlin. Sislej
Xhafa, nga Peja e Kosovës, ka studiuar në
Akademinë e Firences e së fundi ka zgjedhur New
Yorkun si qytet të vetin. Ndërsa autori i
shkrimit, Adrian Paci, shkodran, ka mbaruar
studimet nëInstitutin e Lartë të Arteve në
Tiranë për t'u vendosur më pas në Milano ku
jeton me familjen kur gjen kohën mes një
udhëtimi nga njëri cep i botës në tjetrin.
"Gjithçka kemi mbërritë e kena mbërritë falë
talentit dhe punës, e jo falë ndihmës së shtetit
apo institucioneve shqiptare." shkruan Paci. "Në
fakt askush nuk po u kërkonte institucioneve
shqiptare me na ndihmue. Aq ma pak tashti qe nuk
kena asnjë grimë nevoje për këtë ndihme. Çdo
shtet serioz duhej t'i ishte vetëm mirënjohës
për kontributin që ata japin si përhapës të
emnit të mirë për vendin dhe kombin e vet. Por
ky i yni, jovetëm qe nuk asht serioz, por nuk
din me qenë as i hareshëm..."
(red.)

Friday, January 26, 2007

Po vjen po vjen!







Kosova sot filloi rrugen formale drejt Pavaresise! Une isha aq nervoz por ne fund (ne mengjes ketu) isha aq i gezuar, aq i gezuar! Tani, nuk i morem te gjitha c'deshem, por Pavaresia u pa sheshit qe ishte rezultati final qe kish' ne mendje si ky Antihisari edhe te tjeret. Sic thone: edhe Roma nuk u be ne nje dite.



I uroj te gjithe vellezerit e motrat e mija qe rrojne ne Kosove e i pershendes me kete vjershe qe e mora hua nga Fajtori.com. Naimi e shkroi kete vjershe per te kujtuar nje tjeter Ngjarje te Madhe per kombin tone-Shkollen e Pare Shqipe ne Korce me 7 Mars 1897






Korça
O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq' e mir'e kaq'e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!
Kjo është një dit'e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.
Ta lusimë këtë ditë,
Q'e bekoi zot'i vërtetë
Dh'e dërgoi me shumë dritë,
T'i mbes'emëri përjetë.
Sot e vumë gurr'e parë,
Sa'ësht'e bekuar kjo ditë!
Zot'i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!
Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh'e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.
Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht'e shtije,
Mbretëron fjal'e vërtetë,
Dhe të mirat gjith'i bije.
Zot'i math qoft'i lëvduar,
Q'e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo si ka buruar,
Pa e ndritur jetën.
Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!
Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!
Kjo ë'shtë mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gazthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.
S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Ne kët'emër nder'e kemi.
Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën' e vjyer.
Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!
Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.
O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.
Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë me perëndinë.
Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.
Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.
Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:
Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Tuesday, January 23, 2007

She dropped the ball!


Mire ne qe na ruan Polici, por Policin kush e ruan?




Tuesday, Jan 23, 2007

Posted on Sat, Jan. 20, 2007
BEHIND THE SCENES/ARTS & ENTERTAINMENT IN SOUTH FLORIDA
Miami's Albanian connection
ALEX QUESADA
'THE CREATION': The cast includes Jeff Koegh, standing, Valerie Stanford and Meshaun Labrone Arnold.
From South Beach to the Balkans, people in the contemporary art world have heard about Bonnie Clearwater, the executive director and chief curator of North Miami's Museum of Contemporary Art. Clearwater's latest fan is the vice director of Albania's National Gallery of Arts, Rubens Shima, who invited Clearwater to curate Albania's first ever pavilion in the Venice Biennale, an annual art fair that showcases works by artists from around the globe.
How did a museum director from North Miami end up curating a show that will represent a nation more than 5,500 miles away? It turns out that a MOCA docent, Amona Berman, is the mother of the American ambassador to Albania, Marcie Reis.
Reis recommended Clearwater to Shima, who also is commissioner for the Albanian pavilion at the Venice Biennale.
''I thought that this would be an amazing thing to do, to work with artists who for the last 16 years are just having the opportunity to experiment,'' Clearwater says, ``because under communism they were very much restricted to the social realism. Even their established masters are in a period of exploration right now, which is very exciting.''
Though the project is not related to her work at MOCA, Clearwater says she hopes the experience will allow her to develop relationships and a dialogue with Albania's contemporary art world, which would benefit the North Miami museum. ''It's good for me as a curator and art historian, being exposed to another type of art world, another mind-set, another approach,'' she says. ``There are a lot of artists I will be watching and staying in touch with and developing continuing relationships with.''-- DANIEL CHANG

Fajtor!

Disclaimer!!
Nje "Bloger" (theksi tek e-ja si ne: kamarier) qe blogon nen emrin bytycci me coi llaf e me tha se me paska cituar nje faqe interneti-South East Europe Times!
Pasi i coj "fal me shnet' Ushtrise Amerikane qe (besoj se) eshte i zoti i kesaj faqe "shumegjuheshe" por jo dhe "e shume-sakte", i bej te ditur gjithe dynjase kesaj ane dhe m'ate ane te Pellgut se une nuk i kam shtuar atij artikulli as edhe nje shkronje, me perjashtim te opinionit tim per gazeten botonjese! Gjithashtu, edhe titulli (me demek "cheeky") ish' imi! Une nuk kam asnje merite, pervec se, ne mes' te hajduterve ku ndoshta do levdohesha nga bash-hajduti per rrembim te nje artikulli qe e ka nxerre ne drite tjater kush!
Me sy perdhe i kerkoj ndjese Gazetes Java dhe artikull-shkronjesit!

Wednesday, January 17, 2007

Artikull? Ca artikulli?

Artikulli eshte marre nga gazeta Java (an acquired taste, if you ask me, but no matter) dhe ka te beje me ndertimin e nje kishe katolike ne Prishtine.

Katedralja ne Prishtinë: kujt i shërben Nga Ardian Ndreca, Rome Dec 21, 2006,
Të gjithë merren me çeshtjen e katedrales në Prishtinë, jo pse asht edhe aq e randësishme, por pse duket se qenka fort e bezdisshme. S’e kuptoj pse prish punë katedralja në Prishtinë, në nji kohë që shumë prej atyne që e “sulmojnë” e dinë mirë se, jo mungesa e saj, por kundërshtimi i ndërtimit të saj në Prishtinë e damton të ardhmen e Kosovës. Me kundërshtue ndërtimin e katedrales në Prishtinë domethanë me u vu në nji vijë me disa vende të lindjes së mesme ku s’mund të ndërtohen vepra kultesh alternative, e sigurisht asnji prej këtyne vendeve nuk asht model për t’u ndjekë sot për nji copë sado të vogël Europe siç asht edhe Kosova. Ajo çka më habiti pa masë ishte fakti se ndërtimi i katedrales katolike në Prishtinë në nji artikull të fundit të gazetarit Migjen Kelmendi krahasohej dhe barazohej me ndërtimin e kishës ortodokse në vitet e fundit të Millosheviqit. E njoh verve-n intelektuale të Migjenit, ashtu si edhe pasionin e tij për paradokset dhe për idetë me spec, por si mund të mendohet se akti politik i Millosheviqit për me ndërtue nji kishë ortodokse të ketë të njejtën vlerë me atë të ndërtimit të katedrales katolike! Katolikët në Kosovë janë në shtëpi të vet dhe jo në nji geto – i dashtun Migjen – prandaj nuk mund t’u caktohet territori dhe metrat katrorë ku me ndejt dhe ku me u lutë! Nji françeskan shqiptar, filologu i hollë At Viktor Volaj e kishte zakon me perifrazue nji shprehje të Terencit, e thonte: albanensis sum, albanensis nihil a me alienum puto! Pra: jam shqiptar e kurrgja që asht shqiptare nuk asht e huej për mue. Katolikët e Kosovës janë jo mâ pak shqiptarë sesa pjesa tjetër e popullsisë, janë në shtëpi të vet e duen çka u takon, ata s’janë të ardhun e s’janë të huej. A u harrue ndihma që Kisha katolike me organizmat e saja bamirëse i dhanë popullit të Kosovës në kohën e luftës dhe mbas saj: në Kosovë, në Shqipni, në Itali, Gjermani, Austri dhe në vende tjera europiane! A u harrue përkrahja politike dhe ushtarake që pati ky popull e fakti se vetëm falë kësaj përkrahje sot Kosova po shkon drejt pamvarsisë! Pse, sjellja e katolikëve në përgjithsi ndaj Kosovës asht e njejtë me atë të ish leader-it serb? Katedralja katolike nuk mund të duhet në Prishtinë njilloj si nji MacDonalds apo si nji dyqan i Zara-ës – siç e bjen Migjen Kelmendi, ashtu si asnji xhami apo teqe bektashinjsh s’mund të konsiderohet si nji ndërtesë e njejtë me nji dyqan ku blehen e shiten mallna! Besimi asht çeshtje ndërgjegjet dhe kurrkush nuk ka të drejtë me cënue dhe me gjykue ndërgjegjen e të tjerëve. Për me ndërtue nji kishë në Kosovë mjafton që kosovarët katolikë ta duen nji gja të tillë e kjo gja të respektojnë parametrat administrativë, lejet e ndërtimit, rregullat e sigurisë etj. Sa për debatin e miratimin qytetar të popullit të Kosovës, jam dakord, por tue qenë se populli në Kosovë ka zgjedhë përfaqsuesit e vet të denjë, të cilëve u ka besue nji mandat me pushtet dhe me limite të caktueme, atëherë u takon këtyne me e thanë edhe mâ qartë sesa e kanë thanë deri tashti fjalën e tyne për ndërtimin e katedrales në Prishtinë. Nuk ka referendume për çeshtje të këtilla që i përkasin respektit ndaj ndërgjegjes së tjetrit, asnji vend europian nuk ka ngrehë referendum për me lejue ndërtimin e xhamijave apo pagodave në Europë, por i ka pranue si shenjë tolerancë, mbasi numri sasijor i referenduesave jo gjithmonë përkon me cilësinë e parimeve demokratike siç asht toleranca fetare dhe bashkëjetesa paqsore. Por, siç shkruen Migjen Kelmendi te Java,: “Kush na garanton neve në Kosovë, se nesër, nëse ndërtohet katedrala pa debate qytetare, pa miratimin e shumicës muslimane, pa përpjekjen ma të vogël me ia spjegue qytetarëve të qytetit të Prishtinës arsyet pse duhet katedrala, dhe pa – referendum për ndërtimin e saj – se nji djal i ri musliman, 20 vjet ma vonë, në shembullin e godinës së katedrales nuk ka me e pa materializimin dhe arrogancën e përçmimit ndaj Islamit dhe besimtarëve muslimanë, prandaj i bindun si fidai don me e rivendosë nderin dhe namin e Islamit në këte qytet? Kush në të vërtetë e ban ate djal me u flijue? Islami apo Kadare me Ali Podrimën e me ata infantila shqiptarë që menduen se po i ndihmojnë europianizimit të Kosovës?” – në qoftë se asht kështu, atëherë ai djalë i ri me idena të stërvjetra, nuk ka me ba kurrgja tjetër veçse ka me vërtetue teoremat serbe. Asht verbni shpirtnore me pa te nji katedrale e krishtenë në nji qytet me shumicë myslimane përçmimin dhe arrogancën ndaj Islamit; pse un besoj se xhamijat në Europë nuk janë ndërtue si shenja sfidash por si vende të përshpirtshme ku besimtarët falen dhe i afrohen Zotit! A mund të ndërtohet e nesërmja e Kosovës tue e mbajtë veten peng prej atij 20 vjeçarit hipotetik dhe gjithë atyne që pranojnë me u lëviz prej dikujt si gur shahut, jo për me shkatrrue nji katedrale gurësh (e sa e sa janë shkatrrue deri më sot pa mujtë me trand aspak at’ besim që vijon tash 2000 e sa vjetë!) por me shkatrrue idenë e shqiptarizmës, idenë e tolerancë dhe të mirëkuptimit, idenë se nuk jemi tribu barbarësh por jemi popull që drejtohet me ligje dhe këto ligje shprehin qytetnimin tonë dhe të Europës së cilës i përkasim me rranjë. Mendoj se shumica myslimane e shqiptarëve e din fort mirë se nderi dhe nami i Islamit nuk mbrohet tue cënue kishat katolike, prandaj nuk besoj se në gjinin e besimtarëve tolerant ka me pasë vend për idena që janë të importueme prej jashtë. Më erdhi shumë keq kur lexova në nji intervistë të para disa ditëve të shkrimtarit të njohtun gjerman Hans Magnus Enzensberger, i cili kur e pyetnin se cili ishte gabimi mâ i madh gjatë gjithë jetës së tij, thonte se ishte fakti që ka mbështetë UÇK dhe rezistencën e saj (La Repubblica, 6 dhetor 2006, fq. 61). Me siguri kundërshtimet e ndërtimit të katedrales s’kanë të bajnë me faktin se për faj të ndokujt po humbim përkrahje dhe miq, por këto fjalë të shkrimtarit gjerman duhet me na ba me mendue gjatë. Nëmos tjetër katedralja në Prishtinë asht si nji «ambasadë» që e nderon kryeqendrën e atij vendi, nemos tjetër e nderon për kujtimin e të parëve, të cilët nuk besoj se mohohen as si kujtim historik e as si nji e vërtetë e së kaluemes së popullit shqiptar! Ka disa gjana që kanë nji vlerë që shkon përtej funksionit të tyne të mirëfilltë, kjo gja ndodh edhe me katedralen e Prishtinës, dhe ketë gja e kanë kuptue mâ së miri të gjithë Alitë, Ismailat, Bajramat e Mehmetat – që përmend Migjeni e që duen që ajo të ndërtohet: ata janë fytyra e vërtetë e islamit përparimtar dhe demokrat, tolerant dhe atdhedashës, të atij islami që i nevojitet si shembull mbarë Europës. Mos me pasë katedrale në Prishtinë nuk ndodhë asgja, me e kundërshtue ndërtimin e saj vetëm humbim, me e lejue ndërtimin e saj vetëm fitojmë, si popull – merret vesht.
© by Gazetajava.com

Albanensis sum, Albanensis nihil a me alienum puto!


Jam shqiptar e kurrgja qe asht shqiptare nuk asht e huej per mue.

Para ca ditesh lexova kete artikull i cili me futi ne mejtime. Megjithese une personalisht jam ateist (ose gati-ateist), dhe nuk do me behej vone cfaredo perfundimi te kete "problemi" i artikullit, prape se prape ky artikull me beri te mendoj! A eshte kjo ide (e vene nga mua si titull) nje e vertete universale qe duke qene aq e dukshme nuk ka pasur nevoje te artikulohet? Apo eshte kjo nje kerkese e Shqyptarit te Ri i cili po e zevendeson identitetin e tij tradicional (qyteti apo fshatin e lindjes, me apo pa shkolle te larte, perkatesine fetare) me nje kostum te ri; Shqyptar i Gjytetnuem?

Thursday, January 04, 2007

Shkrimtari i vitit?


Jam shume i gezuar qe At Zef Pllumi u laurua me Penden e Arte-cmim i dhene nga Ministria e Kultures e Shqiperise, per librin e tij Rrno per me Tregue'

Shpresoj qe te lexojme dhe gjera te tjera nga At Pllumi!